Historical Memory

Bardha e Gjomarkajve, princesha e Mirditës

Bardha e Gjomarkajve, princesha e Mirditës

 

Nga: Eugjen Merlika

 

Bardha Gjonmarkaj

Ka lajme të cilat shpesh njeriu ngurron t’i besojë. Kjo ndodh më tepër kur objekt i tyre është humbja e një njeriu të dashur, të cilin e ke takuar së fundi, madje para pak orësh, e je ndarë me të normalisht, pa të shkuar as nëpërmend se ai mund të ishte takimi i fundit. Mund të filozofosh gjatë mbi brishtësinë dhe paparashikueshmërinë e fundit të jetës njerëzore, për të qetësuar shpirtin e plagosur nga një humbje e pranueshme me vështirësi, por diçka mbetet që të sëmbon në shpirt në lidhje me bisedën që, papritmas, bëhet e fundit në jetën e një njeriu.

Më ndodh kështu tani, që marr penën për t’i bërë nderimin e fundit, nëpërmjet këtyre fjalëve të thjeshta që dalin nga thellësia e zemrës, një shoqeje të ngushtë të nënës sime, një bije të një familjeje mike të hershme të të parëve të mi, një gruaje fisnike, të njohur kur isha fëmijë në një kamp vdekjeje, në Tepelenë, një pasardhëseje krenare të një shtëpie të njohur të Shqipërisë së hershme të burrërisë e traditave të bukura, një princeshe të Mirditës, Bardhe Gjomarkaj.

 

Ajo u nda nga gjiri i familjes në datën 19 mars, kurse unë u ndava prej saj në portën e jashtme të shtëpisë së saj më 9 mars, mbas vizitës pothuajse të zakonshme, kur kthehem për pak ditë në Shqipëri, në shtëpinë e Gjomarkajve në Shkodër. Ishte një urim për një ritakim të shpejtë, një përqafim, si atëherë kur isha fëmijë, me ngrohtësinë e një nëne. Sepse ajo më kujtonte nënën e më fliste shpesh për të. Kishin kaluar bashkë vitet e tmerrshme të Tepelenës. Çdo ditë së bashku, në rreshtat mizorë të skllaveve, që do të ngarkonin drutë mbi shpina, për t’i sjellë në kamp apo për t’i çuar te familjet e oficerëve në Tepelenë. Çdo ditë nën peshën e druve të diktaturës, për vite me radhë në moshën më të bukur të jetës, në çerek shekullin e saj të parë, në moshën e ëndrrave femërore për dashurinë, për familjen.

 Bardha ishte bija më e vogël e Kapidan Gjonit të Mirditës. E gjithë jeta e saj është një vazhdimësi përndjekjesh që nga mosha e re e deri në frymën e fundit të regjimit. Përballoi me kurajë qytetare e me trimëri malësore ndarjen nga babai e vëllai Ndoi, që u larguan nga atdheu, humbjen e vëllezërve martirë të lirisë, Markut e Aleksandërit, burra të ndritur të rënë në ballin e betejës antikomuniste, internimet, fatkeqësitë familjare, si sëmundjen e gjatë të kunatës shejtneshë, Martës, mori përsipër rritjen dhe edukimin e mbesave të reja e nipit të vogël, punën e rëndë në kantieret dhe fushat e Shqipërisë, burgun në moshë jo më të re, burgun e burrit e, më pas, edhe humbjen e tij. Një grua fisnike e trimëreshë që nuk u thye asnjëherë, një grua e zgjuar që i zinte vend fjala edhe në kuvende burrash, një grua e ëmbël që përballoi me stoicizëm dhe mungesën e fëmijëve.

Ndryshimet e viteve të pas komunizmit do t’i sillnin dhe familjes së princërve të Mirditës kënaqësitë e saj. Ajo u kthye në shtëpinë e saj në Shkodër edhe se e gjeti atë pothuajse të shkatërruar plotësisht, por i dha mundësi të fuste kokën në strehën stërgjyshore. N’atë shtëpi u martua dhe Gjoni, nipi që përbënte shpresën e vetme të gjithë familjes së cunguar nga vdekjet dhe mërgimet. Gjoni, që arriti të zgjidhet deputet i Mirditës në Parlamentin shqiptar më 1996, qe dhe motivi i gëzimit të vërtetë të axhës Dedë e hallave Marta e Bardha.

Por fati mizor nuk deshi që ajo dritë e ndezur e shpresës, mbas një gjysmë shekulli errësire, të vazhdonte të ndriçonte fytyrat e lodhura. Gjoni u nda prej njerëzve të tij para kohe dhe ky qe grushti më i rëndë që pësoi familja, në të dhe Bardha. Atë hidhërim nuk arriti ta përtypë e vitet e fundit qenë vite dhimbjeje të lehtësuar vetëm nga prania e bashkëshortes së Gjonit, që u bë për ata pleq të lodhur e të nderuar, fëmija e ëndërruar gjithmonë në truallin e shtëpisë.

Tashmë shpirti i bardhë i princeshës Bardha ka arritur parajsën. Besoj se ferrin dhe purgatorin i kaloi në jetën e saj 87-vjeçare në tokën shqiptare.

Ne na la buzëqeshjen e saj të hijshme e kujtimet e shumë çasteve të vështira, të përballuara me zgjuarsinë dhe ëmbëlsinë e një princeshe, por edhe me fuqinë e vendosmërinë e një malësoreje.

Lamtumirë o bijë e denjë dhe e dashur e Shqipërisë fisnike, të qoftë i lehtë dheu i saj!

Po sikur Dosjet

top