NËSE JO PATRIOT, ÇFARË ISHTE ENVER HOXHA?

Star InactiveStar InactiveStar InactiveStar InactiveStar Inactive
 

 

 

NËSE JO PATRIOTÇFARË ISHTE ENVER HOXHA?

 

ANDREA STEFANI

Reagimet e shumta për artikullin “Enver Hoxha patriot?! Një lajthitje e Rexhep Qoses”, detyrojnë shprehjen më eksplicite të opinionit se çfarë qe Enveri. Nëse jo patriot, atëherë çfarë? Çështja është e një rëndësie jo thjesht skolastike, por me theks mjaft praktik, ngaqë ka të bëjë me të mësuarit nga historia për të mos përsëritur, në të sotmen dhe të nesërmen, gabimet e së shkuarës. Ndërkaq, nuk mund të flasësh a shkruash për figura të tilla, pa ngacmuar një furi pasionesh antagoniste, urrejtje dhe dashuri, simpati dhe antipati, pështirosje dhe idhujtari që duke u përplasur, pengojnë arsyetimin rreth një politikani si Enver Hoxha i cili dominoi jetën e Shqipërisë për thuajse gjysmë shekulli. Dhe aq ngushtë është lidhur Shqipëria e atyre viteve me kultin e Enver Hoxhës, sa lavdërimi i tij nuk mund të mos jetë edhe lavdërim i diktaturës. Dhe lavdërimi i diktaturës nuk është thjesht shprehje e një nostalgjie të padëmshme, por simptomë e ngjizjes së aspiratës për diktaturë.

 

***

Përjashtuar reagimeve prej zelotësh, produkt i politikës së ditës dhe që e marrin ngarkesën negative nga kritikat që unë drejtoj ndaj Sali Berishës, një pjesë dërrmuese e reagimeve janë të sinqerta. Si të atyre që revoltohen nga shpallja e Enver Hoxhës jo patriot, ashtu edhe e atyre që e quajnë të drejtë një kualifikim të tillë. Dukuria ka shpjegimin e vet, por respektimi i këtyre ndjenjave, nuk duhet të pengojë avancimin e së vërtetës dhe bashkë me të, edhe të arsyes. Sepse në këtë botë, e vërteta paraqitet e pleksur ngatërrueshëm me gënjeshtrën, e mira me të keqen, tradhtia e paketuar me atdhetari, autokratizmi me demokraci. Si në një minotaur. Sikur e keqja të qe maskuar vetëm me të keqe, nuk do qe vështirë të dallohej dhe të parandalohej. Prandaj që ta kuptosh atë, duhet ta zhveshësh nga gjithçka që e trukon dhe e bën të duket e mirë. Jo rastësisht, në shkrimin polemizues me Qosen, bëra një përqasje logjike, më afër arsyes së pastër të pandotur nga pasionet, interesat, ambiguiteti apo brishtësia e fakteve. Ndaj përdora silogjizmin: Diktatori nuk mund të jetë patriot. Enveri ishte diktator. Konkluzioni: Enveri nuk ishte patriot. Por nuk paska mjaftuar!

***

Në këtë pikë jo pak lexuesve mund t’u feksë në tru, koncepti i “diktatorit të ndritur”. Sepse ekziston teoria se ka edhe diktatorë mirëbërës. Tema është shumë e gjerë për kaq pak rreshta. Por ngushtohemi të themi shkarazi se koncepti i “diktatorit të ndritur” mbetet shumë i mjegullt, relativ dhe me shumë rreziqe për ardhmërinë. Ai shumë lehtë mund të shërbejë si sofizëm për ndërtimin e realiteteve paradoksale si ato të “diktaturave demokratike”, “jo të liga”, të “justifikueshme për kohën”. Investimi i shpresave te diktatorë të ndritur, është pohimi se shoqëria është zhytur në një gjendje egërsie apo barbarie që e bën të paqeverisshme me metoda të tjera. Nuk mendoj se shqiptarët janë në atë stad të turpshëm. Dhe është mëkat që një shoqëri të priret nga të tilla aliazhe centaurike, kur demokracia liberale ka stabilizuar prej thuajse dy shekujsh, maksimat dhe parimet e saj. Por një gjë është e sigurt. Enveri nuk qe një diktator i ndritur. Akti historik i përmbysjes që i bënë shqiptarët e përjashton një mundësi të tillë. Ndërkaq, logjikisht, një diktaturë e ndritur, që supozohet se duke ndrydhur pasionet sublimon njerëzit dhe mendimet, nuk ka gjë të përbashkët me burgjet, pushkatimet, internimet, izolimin e një shoqërie të tërë. Ndrydhja sublimuese frojdiane, edhe nëse e mundshme politikisht, nuk do të kish asgjë të përbashkët me shtypjen e egër patologjizuese të diktaturës komuniste e të çfarëdolloj diktature. Përveç këtyre, asgjë nuk mund të krahasohet me forcën sublimuese dhe qytetëruese të lirisë dhe sistemit të saj.

***

Në gjykimin e së kaluarës diktatoriale, nuk duhet të nisemi vetëm nga pikëvështrimi personal, nga ajo që kemi vuajtur apo nuk kemi vuajtur ne personalisht. Gjë jo fort e lehtë. Prandaj ndodh që ngjarjet vështirë se gjykohen objektivisht nga brezat që e kanë jetuar atë. Por ka më shumë shans t’i afrohemi objektivitetit po të gjykojmë nga pozitat e atyre që kanë vuajtur prej sistemit. Sepse është më humane. Kjo empati për viktimat është e nevojshme për të na çuar tek gjykimi me arsye dhe jo me pasione. Prandaj duke e gjykuar Enverin, duhet ta vëmë veten në pozitën e atyre që u ndodhën para skuadrës së pushkatimit, me gropën e varrit pas krahëve, vetëm sepse kishin pikëpamje të kundërt me regjimin, të atyre që i vranë “në emër të popullit dhe lirisë së tij”. Duhet të përpiqemi ta përjetojmë tmerrin e atyre sekondave si ata, si familjet e tyre. Një përpjekje e domosdoshme për të kuptuar se sa i padrejtë, sa kriminal është dhunimi i lirisë qytetare. Nëse nuk e bëjnë këtë, të gjithë ata shqiptarë që regjimi nuk i preku në jetët e tyre private, madje që ruajnë mbresën se ai solli përmirësime në jetët e tyre, nuk do ta kuptojnë dot anën e tij kriminale. Regjimi është i mirë se nuk më prek mua? Kjo është të paragjykosh sipas rastit dhe jo të arsyetosh e gjykosh sipas domosdoshmërisë. Dhe rreziku është se do ta tolerojnë një tjetër regjim shtypës, që mund të dhunojë të tjerët por jo ata. Gjë që të kujton fabulën e atij që i toleroi dhe duartrokiti nazistët kur arrestonin çifutët, katolikët, komunistët, socialdemokratët, komshiun derisa trokitën në derën e tij. E do lirinë vetëm kush i del në mbrojtje kur ajo dhunohet tek tjetri. Liria qytetare nuk mund të jetë ekskluzive. Vetëm për një pakicë. Liria është drejtësi. Ajo ose ekziston për të gjithë ose nuk ekziston fare. Sepse themelohet mbi institucione jo personale d.m.th., që varet nga vullneti i një njeriu apo klani në pushtet. Kur dhunohet tek dikush, ajo dhunohet për të gjithë. Prandaj në Perëndim, njerëzit alarmohen kur preket liria e dikujt, sepse shikojnë të preket sistemi që mbron lirinë e tyre. Në këtë kuptim, edhe pse “rastësisht nuk të prek”, në diktaturë pushteti të ka në dorë. Fakti që nuk të burgos, tregon se një diktaturë nuk mund të jetojë nëse i burgos të gjithë. Sepse asaj i duhen mbështetës “të lirë” që e “legjitimojnë” me duartrokitjet e tyre. Prandaj është prapambetje mendore që, duke u nisur nga fakti se ke qenë i paburgosur, i painternuar, të vazhdosh të ruash opinionin se diktatura komuniste ka qenë e mirë, ose jo aq e keqe. Sepse ti, edhe pse i paburgosur nuk ke qenë i lirë. Sepse e kanë pasur në dorë të të burgosin kur të kishin nevojë apo dëshirë për ta bërë një gjë të tillë. Ndaj liria është që ta kesh ti në dorë pushtetin, si qytetar dhe bashkësi qytetarësh, dhe jo pushteti ty. Nuk prekim këtu, për mungesë hapësire, gjymtimet në mendësi që regjimi i ka shkaktuar brezave të tërë me mbylljen, censurën, izolimin apo ideologjizimin. Pra pa empati për të përndjekurit politikë, veçanërisht nga njerëz, shtresa dhe breza që regjimi i mësoi ta duartrokitnin, nuk mund të kuptohet natyra kriminale e regjimit. Pa kultivimin e një empatie të tillë, nostalgjia për Enverin do jetë përherë e lartë dhe liria qytetare në Shqipëri do jetë përherë e rrezikuar nga aspirata diktature. Prandaj ka qenë shqetësuese edhe mungesa e nervit reagues së shoqërisë shqiptare ndaj padrejtësisë që iu bë të përndjekurve politikë dhe vetësakrifikimit të tyre. Është një mungesë empatie kërcënuese, një mungesë dhimbjeje për të vuajturit që të bën të dridhesh e frikësohesh për ardhmërinë… Edhe qëndrimi neglizhent i Sali Berishës ndaj të përndjekurve, shfaqet si mungesë empatie, dhimbjeje, prandaj edhe si hakmarrja e mbrame dhe testamentare e Enver Hoxhës ndaj tyre.

***

Mjaft ish-komunistë dhe njerëz që mbështetën regjimin komunist, e kanë të vështirë të pranojnë që udhëheqësi i tyre i dashur nuk ka qenë patriot. Ata kanë punuar e luftuar me sinqeritet, me pasionin dhe idealin për një botë më të mirë. E kanë dashur Enver Hoxhën dhe “pushtetin popullor”. Prandaj i duket sikur po të shpallet Enver Hoxha jo patriot, të tillë janë edhe ata që e mbështetën edhe e duartrokitën. Ata duhet të kryejnë një operacion brenda vetes. Që është mjaft i vështirë sepse, është si të presësh dhe të flakësh një nga pjesët e trupit tënd që është jeta jote. Ndërkaq frika e bashkëfajësisë me liderin vjen ngaqë duket se vazhdon unifikimi thuajse subkoshient i qindra mijëra njerëzve me udhëheqësin, i egove të tyre me superegon e përbashkët. Por ka një dallim të madh mes masës dhe liderit. Nëse patriotizmi luftarako-çlirimtar i Enver Hoxhës, dhe i disa liderëve të tjerë pranë tij, u pervertua nga lufta për pushtet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me jetët dhe përpjekjet e intelektualëve dhe njerëzve të thjeshtë. Partizani apo komunisti që luftoi dhe dha jetën për çlirimin e Atdheut, është më shumë se një patriot, është një martir, një hero. Të tjerë që luftuan për çlirim dhe më pas punuan me ndershmëri e djersë, janë patriotë me kontribute të padyshimta për Atdheun. Por është e rëndësishme të kuptojnë se gjakimi për pushtet absolut i liderëve që ata adhuronin, ishte edhe një tradhtim i patriotizmit dhe përkushtimit të tyre të sinqertë. Kjo nuk arrihet nëse njerëz që dikur e duartrokitën regjimin, sepse arrestonte “armiqtë e popullit”, nuk shikojnë tek ky “armik i popullit” (dhe këtu nuk flas për kriminelët ordinerë) njeriun e dhunuar në lirinë e tij dhe tek regjimi apo pushteti “popullor”, autorin e një krimi të përbindshëm që s’ka asgjë të përbashkët me patriotizmin. Nëse nuk shohin sot tek “pushteti popullor” që e deshën aq shumë, pushtetin antipopullor. Vetëm atëherë kulti i Enver Hoxhës do përmbyset realisht në kokat e njerëzve e bashkë me të, edhe zakoni i idhujtarisë masive dhe të verbër për udhëheqësin që mbetet kërcënues për lirinë qytetare. Por është fakt se Enver Hoxha ka udhëhequr luftën Nacional Çlirimtare. A nuk është ky një akt patriotik? Pa dyshim! Por kjo nuk e bën atë, në konkluzion të jetës së tij, një patriot. Edhe një vrasës ka një pjesë të pastër në jetën e tij por pas aktit kriminal, ai nuk është më njeriu i ndershëm. Përjashtuar rehabilitimin.

***

Shumë nga reagimet që nuk pranojnë se Enver Hoxha nuk ka qenë patriot, këmbëngulin te fakti i të mirave materiale që solli regjimi, edhe pse në fillim të viteve ’90, pas 45 vjet komunizëm, bilanci ekonomik i Shqipërisë ishte katastrofik. Shkurtimisht: Përpjekjet për të justifikuar varfërinë e Shqipërisë si ekonomi me shkaqe “objektive” (rrethimi imperialisto-revizionist etj.) janë vazhdimësi të psikologjisë prej skllavi e gatshme të vetësakrifikohet për pushtetin (interesi i përgjithshëm mbi atë personal) që e shtyp dhe e mban të varfër. Opinione të tjera e quajnë të ligjshme nostalgjinë për Enverin, duke u nisur nga problematika e sotme, nga të këqijat e qeverisjeve, korrupsioni galopant, nga pabarazia ekonomike ulëritëse, nga papunësia masive, ndotja katastrofike e mjedisit, shfarosja e pyjeve, gërryerja e lumenjve apo zhdukja e plazheve, rritja e kriminalitetit, trafiqeve të drogave. Dukuria është e pritshme. Vështirësitë e tranzicionit drejt lirisë, të shndërruar në kaos nga një klasë politike e papërgjegjshme dhe e korruptuar, nuk mund të mos ngjallin ndjenjën e rikthimit te “rregulli”, te “rendi”, tek ai sistem kriminal pa kriminalitet, i varfër po pa varfëri, i korruptuar, por pa korrupsion. Dhe kuptueshëm gjëja e parë që i vjen ndër mend, është diktatori Enver Hoxha. Simptoma është e lashtë sa njerëzimi. Izraelitët, kur u larguan nga Egjipti nën udhëheqjen e Moisiut, të lodhur e rraskapitur nga endjet në shkretëtirë, kërkuan të kthehen prapë në Egjipt, të ktheheshin në statusin e skllevërve për të shpëtuar nga vuajtjet që shkaktonte rruga drejt lirisë. Kjo simptomë që shfaqin sot jo pak shqiptarë, ka një emër: Arratisje nga liria!

***

E nëse jo patriot, çfarë qe Enver Hoxha? Dihet që ishte diktator, një kryeshtetar, një “burrë shteti”, pa i dhënë këtij termi asnjë konotacion lavdërues, një “statesman” që do të ketë vendin e tij në histori, dritëhijet e qeverisjes së tij, por kurrsesi lavdinë e një patrioti. Ndoshta do të ketë nesër edhe ndonjë monument a muze për të. Një monument që mund të ngrihet, sepse ishte diktator pra, për të njëjtin shkak që ia rrëzuan. Një monument piketë historike që të na kujtojë nënshtrimin. Një muze që t’u rrëfejë brezave se si ishte një diktator, se sa epidemike ishte idhujtaria për të, sa gjithëpërfshirëse ishin ovacionet dhe nënshtrimi i shqiptarëve, sa total ishte kulti i tij dhe verbëria e turmave si bazament “popullor” i këtij kulti dhe që i dha i diktaturës që u themelua mbi këtë kult, bazamentin e totalitetit. Që të tregojë se diktatori di të buzëqeshë me dashuri, të puthë fëmijë, të japë e të marrë lule, t’ia bëjë me dorë, madje të ulet gju më gju me popullin që e shtyp, të flasë me dashuri për Atdheun dhe lirinë tij duke shtypur lirinë e Atdheut. Që të tregojë se fytyra, fasada e diktaturës nuk është kurrë koka me gjarpërinj e Meduzës, por ajo e “humanizmit”, e “patriotizmit”, e “lirisë” dhe “demokracisë”. Autokratët e sotëm si Sali Berisha, shembin monumentet dhe zhdukin imazhet e diktaturës jo vetëm si shfryrje të destruktivitetit që i karakterizon, jo vetëm për t’u shitur si antikomunistë, por edhe me atë qëllim që Enver Hoxha nuk lejonte publikimin e “Main Kampfit” pra, që shqiptarët e vjetër të harrojnë dhe ata më të rinj mos të zbulojnë ngjashmëritë e të keqes që ka ndodhur me atë që po ndodh në Shqipëri, ngjashmëritë e “demokracisë” me diktaturën komuniste.

***

Në fund, dy fjalë për Rexhep Qosen që e respektoj si akademik, por edhe për sinqeritetin e të shprehurit mbi zhvillimet negative në shtetin e Shqipërisë, gjë që nuk e bëjnë mjaft intelektualë të Tiranës që kanë më shumë detyrim ta bëjnë, por kanë zgjedhur ose të heshtin ose të përfitojnë nga pushteti i radhës. Kjo s’më pengon që në ndonjë rrafsh, si ky për Enver Hoxhën, të mos jem dakord me të. Ka pasur reagime që pretendojnë se një gazetar si unë, nuk duhet t’i kundërvihet një gjiganti si Rexhep Qosja. Këto janë mendësi vulgare kultngritëse që poshtërojnë lirinë e kritikës dhe të të shprehurit dhe që jam i bindur, se vetë akademiku Qose nuk i miraton.