Condemning the communist crime

Star InactiveStar InactiveStar InactiveStar InactiveStar Inactive
 

 

 

Edhe një herë mbi dënimin e krimeve të komunizmit

Nga Reshat Kripa

 
 

Dëgjova intervistën e Këshilltares për Çështjet Ballkanike pranë Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane, zonjës Shirley Cloyes Dioguardy, dhënë televizionit “Zëri i Amerikës” para disa ditësh dhe më tërhoqi vëmendjen njera nga përgjigjet e saj:

Një nga arsyet pse nuk kemi shtet të fortë ligjor dhe që drejtësia mbetet një institucion i brishtë është se nuk ka pasur ballafaqim me të kaluarën. Procesi nuk duhet të drejtohet nga qeveria apo një parti e vetme politike, ka plot institucione që ofrojnë përvojë. E gjithë kjo varet nga vullneti politik dhe nga dëshira për të bërë më shumë, duke u larguar nga praktika e margjinalizimit të atyre që vuajtën, ose e ngritjes së duarve duke thënë se s’mund të bëhet asgjë, apo me justifikimin se nuk ka shpresë dhe se procesi do të manipulohet për përfitime personale. Nuk e shoh të mundur që Shqipëria të ecë përpara, pa u përplasur me të kaluarën. ndërkombëtare.

Një kambanë alarmi për politikën shqiptare. Një sirenë kushtrimi për popullin shqiptar. Ai sot është zgjuar. E kupton fare mirë kush është e mira dhe kush e keqja. Di të ndajë të bardhën nga e zeza. Këtë e ka treguar në zgjedhjet parlamentare të viteve të fundit. Vini veshin! Pjesmarrja ka qenë tepër e ulët. Më e shumta e popullsisë nuk ka pranuar të shkojë në votime. Përse? Sepse nuk e gjente veten në asnjë krah të politikës shqiptare dhe kjo është e dhimbëshme.

 

Përse ndodh një gjë e tillë? Shkaku kryesor dhe, do të thosha i vetmi, është se në Shqipëri, megjithëse kanë kaluar njëzetedy vjet nga rivendosja e demokracisë, ende nuk janë dënuar krimet e kryera nga regjimi komunist. Ende në administratën shtetërore, në Kuvendin e Shqipërisë, në prokurorit dhe gjykatat, në partitë politike e shoqatat, në mediat e shkruara e ato vizive si dhe në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare gjenden elementë të përlyer me asistemin komunist. Është pikërisht ky element i përlyer që helmon gjithë hapsirën shqiptare.

Kambanat e alarmit po bien me të gjithë forcën e tyre. Paralajmërimet e opinionit ndërkombëtar dëgjohen gjithmonë e më tepër. Ne po aspirojmë për të hyrë në Europë. Por, a do të na pranojë Europa pa dënuar krimet e komunizmit? Unë mendoj se jo. Eksperienca e vendeve të tjera të lindjes e vërteton këtë. A nuk i kërkoi Bashkimi Europian Bullgarisë, si kusht për pranimin, hapjen e dosjeve të komunizmit? Hidhni vështrimin në ato vende. Kudo bie në sy lufta për zhdukjen e pasojave të komunizmit, që tek rishikimi i historisë, ngritja e muzeumeve të krimeve të komunizmit, ngritja e memorialeve të viktimave dhe plot vendime të tjera për zhdukjen e këtyre pasojave të hidhura. Por mos harroni! Shqipëria mban vendin e parë në Europë për krimet e kryera nga regjimi komunist. Vendet e tjera janë shumë larg. Po përsëris edhe një herë njoftimin që bëri përfaqësuesi sllovak në Kuvendin e Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, zoti Piter Bielek, mbajtur në Tiranë në muajin prill 2009, ekzekutimi i fundit në Sllovaki ishte bërë qysh në vitin 1956. Krahasojeni këtë me ekzekutimin e fundit në Shqipëri, atë të poetit Havzi Nela varur më 10 gusht 1998, për të mos përmendur

vrasjet pa gjyq në kufi në vitet 1990-1991 dhe do të bindeni mbi madhësinë e ushtrimit të

diktaturës në vendin tonë.

Por le të shikojmë rastet e tjera të kambaneve të alarmit dërguar Shqipërisë nga

institucionet ndërkombëtare. Më datën 20 mars 2010 lexova në median elektronike “Tribuna Shqiptare” lajmin e mëposhtëm, të shkruar nga drejtuesi i kësaj medie, zoti Ajet Nuro:

Para disa ditësh lexova një lajm që më bëri shumë përshtypje. Aty thuhej se një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë të dënoj komunizmin… Kuptojeni mirë, Një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkon Shqipërisë të dënojë krimet e komunizmit…

Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara të kërkoj që Shqipëria të dënoj komunizmin, punët janë shumë keq. Sepse ky delegacion duhet t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje kudo, aq sa është i shqetësuar. Dhe kjo njëzet vjet pasi Shqipëria pretendon se e hodhi poshtë komunizmin.

Mendova se më në fund kishte ardhur koha që edhe vendi ynë, sikurse edhe vendet e tjera ish socialiste të Europës Lindore, të dënonte krimet e regjimit komunist. Megjithëse i vonuar ky lajm më ngjalli shpresat për ndriçimin e së vërtetës mbi atë periudhë të errët të historisë së vendit tonë. Këtë shpresë ma shtoi më tepër Ligji Nr. 10242 datë 25.02.2010 “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri” miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në bazë të Vendimit Nr. 43 datë 14..01.2009 të Këshillit të Ministrave. Megjithëse u desh më shumë se një vit që të miratohej ky vendim, përsëri u gëzova se më në fund mori udhë çështja. Shpresova gjithashtu që ky ligj të mos mbetej në letër, ashtu si paraardhësit e tij. Kisha parasysh Rezolutat Nr.1096 (1996) ”Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste” dhe atë me Nr. 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilat pothuajse kaluan në heshtje si nga organet qeveritare ashtu edhe nga mediat e shumta që ishin në vendin tonë.

Fitorja e së djathtës në zgjedhjet e 2005-ës m’i ngjalli shpresat se një gjë e tillë do të merrte rrugë. Me të vërtetë nuk kaloi më shumë se një vit dhe Kuvendi i Shqipërisë miratoi, në tetor 2006, një rezolutë, në mbështetje të atyre të mësipërme të Këshillit të Europës, Rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri” në miratimin e së cilës deputetët socialistë, sipas urdhërit të liderit të tyre Edi Rama, nuk denjuan ta votojnë duke treguar haptazi se janë kundërshtarët kryesorë të zbardhjes së krimeve të komunizmit. Kanë kaluar gjashtë vjet nga miratimi i saj dhe deri më sot nuk shohim të realizuar pothuajse asnjë pikë të kësaj rezolute. Përse…?

Por le të kthehemi tek rezoluta për hetimin e krimeve të komunizmit. Së bashku me të u miratua edhe një Vendim i Këshillit të Ministrave, ai me Nr. 42 datë 14.01.2009 “Për Simbolet e Përkujtimit të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri”, në nenin 5 të së cilit thuhet:

Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktin e nevojshëm nënligjor, për ngritjen e “Obeliskut të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit”

.

Ndërsa në realcionin shoqërues të këtij projektligji, në njërin nga paragrafet e tij, thuhet:

Projektligji përcakton ngritjen e një obelisku, përmes të cilit do të përkujtohen viktimat

dhe krimet e komunizmit. Ky obelisk do të jetë “dëshmitar” i përhershëm i krimeve të komunizmit dhe, si i tillë, do të ndihmojë brezat, e tanishëm dhe të ardhshëm, të kujtojnë dramën që komunizmi i shkaktoi Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për të realizuar këtë mision kaq të rëndësishëm, obelisku duhet të vendoset në njerin nga sheshet kryesore të Tiranës, si një zgjidhje arkitekturore e një niveli të lartë internacional. Në bazë të këtij ligji, Këshilli i Ministrave ka hapësirën e mjaftueshme ligjore, për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për ngritjen e obeliskut.

Kanë kaluar dy vjet e gjysmë nga miratimi i këtyre ligjeve dhe për ligjin e ngritjes së obeliskut as që bëhet fjalë për vënien në jetë të tij. Kudo sundon heshtja. Përse…? Mos vallë mungojnë fondet? Po të jetë e vërtetë kjo unë do t’jua tregoja zgjidhjen. Bëjuni një thirrje biznesmenëve të përndjekur dhe do të shihni se ata do të jenë të gatshëm për një gjë të tillë. Hidhni vështrimin rreth e rrotull. Kudo do të shihni simbole të pushtetit të përmbysur. Mozaiku në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, basorelievi në godinën e Kryeministrisë, ylli i kuq në përmendoren “Nënë Shqipëri” në varrezat e dëshmorëve dhe plot simbole të tjerë dëshmojnë për mungesën e dëshirës për dënimin e krimeve të komunizmit. Vështroni emërtimet e shesheve, rrugëve, shkollave dhe institucioneve të tjera shtetërorë. Janë të mbushura me emra ngjarjesh dhe personazhes të epokës së përmbysur. Kujtoni emërtimet “Komuna e Parisit”, “Konferenca e Pezës”, “10 korriku”, “11 janari” “21 dhjetori” e të tjera dhe përgjigjuni. Çfarë simbolizojnë këto emërtime? Asgjë tjetër veçse një ringjallje të kohës së errët të së kaluarës së hidhur. Vështroni emrat e pesonazheve të asaj periudhe të ringjallura në këto emërtime. Do të gjeni një mori kriminelësh që si detyrë parësore të tyre kishin zhdukjen fizike të nacionalistëve të ndershëm dhe intelektualve të shquar, apo ish udhëheqës të lëvizjes komuniste që u bënë promotorë të fitores së diktaturës në vendin tonë. Po marrë vetëm një shembull, “Heroin e Popullit” Qemal Stafa. Çfarë shërbimi i bëri Shqipërisë ky “hero”? Ai u vra në moshën 21 vjeçare, në një kohë kur rezistenca antifashiste porsa kishte filluar dhe në kushte të dyshimta ku nuk përjashtohet mundësia e vrasjes nga shokët e tij. Përse sot emri i tij vazhdon të dominojë në shumicën e shkollave, rrugëve dhe shesheve të Shqipërisë? Po stadiumi kombëtar përse ende mban emrin e tij kur dihet se ai as që e kishte parë ndonjëherë fushën e futbollit? Mos vallë pse ishte njëri nga themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, varrmihëses së kombit shqiptar?

Më falni se ndoshta u zgjata pak në këtë pikë, por dua të kthehem edhe njëherë në ligjin mbi krijimin e Institutit të Hetimit të Krimeve të Komunizmit. Shkruajta më sipër se shpresoja që ky ligj të mos mbetej në letër. Por, për fat të keq, kjo ndodhi. U desh më shumë se një vit e gjysmë nga miratimi i tij që, më në fund, ky institut të ngrihej dhe të fillonte funksionimin. Në nenin 5 të këti ligji thuhet:

Pika “e” – Grumbullon të dhëna, dokumenta dhe dëshmi për ndriçimin e veprimtarisë së organeve dhe të strukturave të Sigurimit të Shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të të gjitha veprimtarive, që kanë çuar në dhunimin e të drejtave e të lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist.

Pika “ë”- Evidenton personat, që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, përmes tallonave të ushqimit.

Nuk e di nëse organet shtetërore, njësitë e qeverisjes vendore, organizatat, tërësisht ose pjesërisht buxhetore, organizatat që financohen nga qeverisja vendore, arkivat dhe të gjitha strukturat e tjera, që disponojnë dokumenta e materiale arkivore, që i përkasin periudhës së komunizmit, janë të gatëshme t’i ofrojnë këtij instituti pa pagesë, siç e parashikon neni 6 i tij, kopje të këtyre dokumentave arkivore. Unë dyshoj se jo të gjitha, në kushte e sotshme, e kryejnë një detyrim të tillë. Atëherë çfarë duhet bërë? Detyrimisht Shqipëria ka nevojë për një ligj të ri lustracioni, një ligj të studjuar mirë nga institucionet përgjegjëse dhe të diskutuar me shoqërinë civile të interesuar për të, ku në rradhë të parë mendoj se duhet të jenë shoqatat e të përndjekurve politikë. Një ndihmë e mirë, në këtë drejtim, do të jetë edhe konsultimi me Komisionin e Venecias.

Le të shohim edhe një kambanë tjetër alarmi. Në dhjetor 2010, lexova në median tjetër elektronike “Zemra shqiptare”, shkrimin e zonjë Sadie Kryeziu mbi një letër zyrtare, të nisur më 14 dhjetor 2010, nga ana Ministrave të Juashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, Zonja Kryeziu njoftonte se Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar letra, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Letra në fjalë përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit.

Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Por ajo nuk ishte. Megjithatë mendojmë se nuk është vonë që edhe tani përfaqësuesit e kësaj ministrie t’i bashkangjiten zyrtarisht kësaj nisme. Një gjë e tillë do të ishte në nderin dhe dinjitetin e çdo personaliteti shtetëror shqiptar. Të mos harrojmë se kjo është edhe një nga kërkesat kryesore që BE-ja dhe Kombet e Bashkuara i kanë paraqitur Shqipërisë.

Çfarë duhet bërë atëherë? Asgjë më shumë se të zbatohet plotësisht Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë “Për dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”. Çfarë parashikon ajo rezolutë?

1. Dënimin dhe heqjen zyrtare të të gjitha titujve dhe dekoratave kryediktatorit Endver Hoxha.

2. Rishikimin e të gjitha datave simbol të komunizmit dhe heqjen e tyre nga protokollet shtetërore.

3. Bërjen publikë të të gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet komuniste.

4. Hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit për të gjuthë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

5. Hartimi i një strategjie kombëtare për eliminimin e të gjitha pasojave të totalitarizmit enverian dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore që dalin nga Statusi i të Përndjekurve Politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre.

6. Ngritjen e një komisioni shtetëror dhe akordimin e një fondi për gjetjen dhe rivarrosjen e të zhdukurve me ose pa gjyq për arsye politike dhe ndërtimin e një varreze të veçantë për ta.

7. Rishikimin urgjent të historisë së Shqipërisë dhe të teksteve të shkollave shqiptare.

8. Hapjen e muzeumeve, kthimin në muze të burgjeve dhe kampeve më të tmerrshëm, si dhe ngritjen e memorialeve në përkujtim të të rënëve për lirinë dhe demokracinë e vendit.

9. Organizimin e një konference kombëtare me pjesmarrjen e përfaqësueve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve politikë dhe shoqatave të tjera homologe, akademikëve dhe historianëve për të analizuar krimet e kryera nga regjimet komuniste.

Deri më sot asnjë nga këto pika nuk është realizuar. Pa zbatimin e tyre nuk mund të ketë Shqipëri Demokratike, nuk mund të ketë hyrje në Bashkimin Europian.

Jemi në njqindvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Mendoj se në këtë përvjetor të madh Shqipëria duhet të hyjë ashtu siç i takon, ashtu siç e kanë ëndërruar paraardhësit tanë. Përveç kasaj jemi në një vit zgjedhor. Ky duhet të jetë një vit reflektimi për forcat e djathta, pasi për të majtat as që bëj fjalë pasi jam i bindur për qëllimet e tyre të errëta. Ftoj forcat e vërteta demokratike të bashkohen me mendimet e shprehura në këtë shkrim. Po të ndodhë kjo, jam i bindur në fitoren në zgjedhjet e ardhëshme. Në të kundërt mjerë Shqipëria pasi, siç shkruante dikur poeti, në vitet 90-të:

Fitmtarët, fitimtarë,

Të mundurit, të mundur në përjetësi,

Atëherë, po të jetë kështu,

Mos ardhsh kurrë demokraci!

Kryetar i Shoqatës Antikomuniste

të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës