Djali i Vasil Katit: Amaneti i babait për t’u hakmarrë ndaj hetuesit

User Rating: 0 / 5

Star InactiveStar InactiveStar InactiveStar InactiveStar Inactive
 

 

 

Djali i Vasil Katit: Amaneti i babait për t’u hakmarrë ndaj hetuesit

 

Flet Ardian Kati, i biri i ish-zëvendësministrit të Tregtisë.

Djali i Vasil Katit: Si  e mësuam amanetin e babait nga spitali i burgut.

“Në një gjendje dëshpëruese kërkoi për t’u hakmarrë ndaj hetuesit Kristofor Mërtiro, që e kishte torturuar në qeli”

Viktimat e hordhive të Sigurimit në qelitë e Burgut 313 në Tiranë.

“Ahmet Jegeni dhe Andrea Manço vdiqën nga torturat”

 

(vijon nga numrat e kaluar): 

http://www.panorama.com.al/2012/12/28/dokumenti-ngjela-e-kati-bene-tregti-me-kompani-amerikane/

 

Vasil Kati e Kiço Ngjela, dy nga protagonistët e procesit të “grupit armik e antiparti të sabotatorëve në ekonomi” mundën t’i shpëtojnë ndëshkimit fatal, por jo kalvarit pa mbarim të vuajtjeve dhe persekucionit të tmerrshëm. Ajo që ndodhi me ta, sidomos pas 17 majit 1977, ditën kur u shpall vendimi i Gjykatës së Lartë, ka qenë një dramë e jashtëzakonshme. Në librin “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, avokati i njohur Spartak Ngjela është munduar të ndriçojë një pjesë të saj. Përjetimet e tij nga koha e bashkëvuajtjes me të atin, Kiçon, në ferrin e burgjeve të komunizmit, janë një rrëfenjë tronditëse me detaje e ngjarje rrëqethëse. Veçanërisht një bisedë e Ngjelës me Katin në spitalin e burgut ka tërhequr vëmendjen e lexuesve të shumtë. I traumatizuar nga një goditje kardiake, ish-zëvendësministri i Tregtisë, i dënuar me 20 vite burg, në gjendje kritike për jetën, i kërkon bashkëvuajtësit më të ri në moshë t’i thotë të birit, Ardianit, të vrasë hetuesin Kristofor Mërtiro(!) Një histori e trishtë amaneti, që Ngjela në libër preferon ta lërë brenda dyerve të spitalit të burgut. I preokupuar, me sa duket vetëm për mesazhin e saj, avokati nuk shtjellon se ç’dodhi më tej me porosinë e bashkëvuajtësit. Duke folur për fatin e saj, Ardian Kati, i biri i Vasilit, rrëfen për “Panorama” përjetimet e tij dhe të familjes nga kalvari i atyre viteve…

Zoti Ardian, Spartak Ngjela në librin “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, duke kujtuar një bisedë me babain tuaj në spitalin e burgut, përmend porosinë që i ka dhënë për ju: I thuaj Ardianit të vrasë hetuesin Kristofor Mërtiro! E keni ditur këtë amanet jo të zakontë të babait, apo e keni mësuar tani?
Në njëfarë mënyre me të jemi njohur para se të botohej libri i Ngjelës. Është një moment dramatik nga gjithë ai kalvar i tmerrshëm që përjetoi familja jonë pas dënimit të babait me akuzën absurde për sabotim e tradhti ndaj Partisë e diktaturës së proletariatit. Të tillë ka pasur me tepri. Rasti i amanetit,  mënyrës si është shprehur një çast në spitalin e burgut, është  një shpërthim emotiv në rrethana dëshpëruese, ku babai dilte nga vetvetja, nga natyra e tij. Kush ka pasur rastin ta njihte Vasil Katin, e ka të vështirë ta besojë një mesazh të tillë nga goja e tij. Nuk mund të arrinte deri aty një burrë si ai, me shpirt të ndjeshëm, karakter njerëzor dhe i vetëpërmbajtur, madje edhe në rrethana kritike. Ky ka qenë babai, profili i tij. Ai nuk guxonte të shikonte një pulë të therur e jo të urdhëronte një krim çnjerëzor. Megjithatë…
Me një fjalë, ju nuk e besoni atë që rrëfen avokat Ngjela?
Në kushte normale, Vasil Katit nuk do t’i shkonte mendja kurrë te një vrasje. Për këtë jam katërcipërisht i bindur. Ajo që tregon Ngjela, i përket një situate të tmerrshme, në një mjedis çnjerëzor, ku shpërthime të tilla janë të natyrshme. Kjo është arsyeja kryesore, por jo e vetmja, që më bën të besoj rrëfimin e Ngjelës për amanetin e tim eti nga ajo skëterrë shfarosëse.

Kur jeni njohur për herë të parë me amanetin e babit për të vrarë hetuesin e tij dhe si keni reaguar?
Me të më ka njohur Ngjela në takimin e parë që pata me të kur doli nga burgu. Në mos gaboj, ka qenë viti 1991, apo fillimi i ’92-shit. Ishte diçka rrëqethëse kur e dëgjova. U shtanga në vend dhe disa çaste mbeta pa fjalë. Taku e kuptoi gjendjen time dhe aty për aty u mundua të më qetësojë me togfjalëshin magjik “të shkuara, të harruara”, duke e shqiptuar me një lloj mëdyshje. Fal Zotit, xha Vasili shpëtoi gjallë, shtoi ai pastaj dhe u hodh në një histori tjetër, që nuk kishte lidhje me burgun dhe amanetin e tim eti. Nuk kaloi shumë dhe u ndamë. Ai në punën e tij, unë me një frymë drejt babait për ta mësuar nga goja e tij atë që i kishte thënë avokatit në spitalin e burgut…
E pohoi babai rrëfimin e Ngjelës?
Kur e pyeta për këtë, një moment mbeti si i zënë në faj dhe pas një pauze të shkurtër, m’u përgjigj me atë shprehjen e Takut “të shkuara, të harruara”. Ai zakonisht nuk dëshironte t’u kthehej kujtimeve nga burgu. Këtë, në njëfarë mënyre e kërkonte edhe nga ne. Megjithatë, kjo qasje e tij jo gjithnjë rezultonte efektive. Kishte raste, si ky i amanetit, ku s’mund të rrije pa kërkuar të vërtetën e fshehur në llahtarinë e ditëve të burgut.
Pra, babai nuk e kundërshtoi atë që ju kishte thënë Ngjela?  
As bëhej fjalë ta mohonte, por sa herë përmendej ky detaj, ai preferonte t’i shmangej me një lloj finese. Gjate 11 viteve të jetës së tij pas burgut, babai përjetoi probleme të shumta shëndetësore dhe psikologjike, si pasojë e torturave barbare gjatë dy viteve në Hetuesi dhe 12 të tjerave në kampet e punës. Nga kjo periudhë që e kishte rrënuar tërësisht, ai veçonte atë të paraburgimit dhe sidomos sjelljen barbare të Kristofor Mërtiros. Kur binte fjala për këtë të fundit, gati shpërfytyrohej…
Si i përshkruante babai raportet me hetuesin Mërtiro?
Raportet me Kristofor Mërtiron, babai i përmblidhte me shprehjen  “të tmerrshme”. Kur përmendej emri i këtij të fundit, e cilësonte “rrugaç, bandit”. Madje, të gjithë sojin e kolegëve të tij e vlerësonte të tillë. “Njerëz pa shpirt, të lindur për të bërë keq, bastardë të paimagjinueshëm”, thoshte për ta. Kur kujtonte torturat e tyre, shpërfytyrohej i tëri. Çuditej si kishte mundur të shpëtonte pas asaj masakre të tmerrshme.
A është përballur babai me Mërtiron pas daljes nga burgu?
Në fakt, babai me Kristofor Mërtiron është përballur qysh në burg.
Në çfarë rrethanash?
Për ironi të fatit, pas sukseseve në luftën kundër grupeve armiqësore, ku Mërtiro u përdor si “violinë e parë” e orkestrës funebre të diktaturës, përfundoi edhe vetë në kthetrat e saj. Jeta i kishte rezervuar kështu “luksin” të ritakohej sërish me viktimat e tij, këtë radhë nga pozitat e bashkëvuajtësit. Pikërisht në këto rrethana Vasil Kati u përball me të, në një nga burgjet e tmerrshme. Kuptohet, tanimë nuk ishte ai Mërtiro i parë, hetuesi pa shpirt që vret e pret pa të keq, por një i dënuar si të tjerët. Një i dënuar që u bashkohej të tjerëve me duar të gjakosura…
Çfarë ka komunikuar me hetuesin gjatë kohës kur vuanin dënimin të dy në të njëjtin kamp?
Vasili më ka thënë se përballja me të ka qenë diçka tronditëse.  Sakaq, më ka treguar se një numër të burgosurish sa e kishin marrë vesh, kishin tentuar disa herë radhazi të merrnin hak ndaj tij, por babai i pati frenuar, duke u shprehur: “Lëreni rrugaçin!
Ai në asnjë rast pas kësaj nuk ka tentuar t’i bëjë gjë këtij njeriu, që e torturoi në mënyrën më barbare.
Po ju keni menduar ndonjëherë të hakmerreni ndaj tij?
Mendoja se kishte vdekur ky njeri që ka shkaktuar kaq shumë dhimbje. Shumë nga ata që ka torturuar nuk jetojnë më, por të tjera viktima të tij, që sot janë gjallë, më janë shprehur me indinjatë se emri i këtij krimineli ishte në listat e këstit të dytë të dëmshpërblimit si i përndjekur politik. Mërtiro ka qenë vërtetë një përbindësh ndaj të dënuarve politikë. Torturat barbare që u përdoren për “grupin ekonomik” nën drejtimin e tij shkonin jashtë çdo arsyeje njerëzore. Prej tyre nuk dolën gjallë nga dhomat e Hetuesisë Andrea Manço dhe Ahmet Jegeni, dy nga drejtorët kryesorë të Ministrisë së Tregtisë. Ata ishin dy nga personalitetet me të spikatura të këtij sektori. Mërtiro është gjallë dhe askush nuk shkon t’i kërkojë të paktën vendin ku prehen eshtrat e tyre.
Çfarë kujtonte babai nga torturat në Hetuesi?
Për dy vite me radhë, Avdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati u mbajtën në katin e 3-të të Burgut 313, në “hotelin” e Hetuesisë speciale, brenda qelive të veshura me material izolues, mikrofona, me helmeta në kokë, mbyllur në arkivole, me një oficer mbi krye. Hetuesit specialë, njerëz-ujq, me emrat Kristofor Mërtiro, Nevzat Haznedari, S.Myftari, Dhimitër Shkodrani etj., të frymëzuar nga shefi i tyre Feçor Shehu, përdorën të gjitha torturat fizike dhe psikologjike për të vërtetuar sinoptikat e çmendura të Enverit. Më pas, pohimet e marra prej tyre viheshin mbi tavolinën e kasapit Aranit Çela. Ky pastaj, me atë ritualin e zakonshëm, nënshkruante vendimet me pushkatim dhe burgime të gjata. Araniti edhe sot e kësaj dite, me mënyrën si shfaqet, provokon dhe sfidon pa mëshirë të dënuarit politikë, viktimat e tij.
Përmendët Feçor Shehun, cili ishte ndikimi i tij në procesin e babait?
Ai ka qenë një nga regjisorët kryesorë jo vetëm të procesit, por edhe të torturës ndaj babait dhe të tjerëve. Edhe kur doli nga burgu, babai a dëgjonte emrin e tij rrëqethej në trup. Feçori ishte sa katil, aq edhe pervers. Një ditë, më tregonte babai, ai sa ishte futur te qelia e tij, u kishte thënë hetuesve ta rrjepin si borgjez, sepse kishte edhe gruan e bukur. Mërtiro komandohej drejtpërdrejt nga Feçorri. Ai nuk rreshti nga presionet diabolike dhe tortura psikologjike ndaj babait, por edhe ndaj mamasë dhe ne familjarëve të tjerë. Një ditë thirri në Hetuesi motrat, gjoja për të kthyer disa libra të sekuestruar, ndërkohë që nga ana tjetër nëpërmjet perdes, ua tregonin babait duke i thënë se po të mos pranonte akuzat, do t’i keqtrajtonte. Ishin vërtet barbarë, që çuditërisht mbetën pa ndëshkuar, para gjithë atyre krimeve. Si është e mundur që njerëz si Mërtiro, Dhori Shkodrani, Aranit Çela etj. nuk kanë marrë as ndëshkimin më të vogël për ato që kanë bërë dhe lëvizin kaq të qetë nëpër Tiranë? A kanë ndopak shpirt? A i vret sadopak ndërgjegjja? A i zë gjumi natën? A iu dalin në gjumë njerëzit që kanë vrarë e torturuar? A e mendojnë ndonjëherë sa familje kanë marrë në qafë?
Të kthehemi dhe një herë te amaneti i Vasilit për Mërtiron…
Krimineli i “mirë” Mërtiro, gjatë këtyre viteve të demokracisë, duhet të ketë dëgjuar se jo vetëm torturat direkte fizike dhe psikologjike që aplikoheshin mbi të arrestuarit, por edhe presionet psikologjike dhe poshtëruese, që ushtroheshin mbi familjarët, sipas konventave ndërkombëtare dhe ligjeve shqiptare që rrjedhin prej tyre -quhen TORTURË dhe si të tilla duhen ndëshkuar ligjërisht. Sa për hakmarrjen time, dhimbjet, vuajtjet, lotët dhe hidhërimet e viktimave të torturave, le të vendosin për të, si dhe të tjerët si ai. Zoti le t’i çojë aty ku e kanë vendin: në ferr…
I fotografuar në sallën e gjyqit, Vasil Kati duket me krahë të thyer. Çfarë u ka treguar për këtë më pas?
Babait në Hetuesi, ndër të tjera, i kanë thyer të dy krahët, por edhe dhëmbët. Për krahët më ka pohuar se ia ka thyer Hazdenari, për dhëmbët kujtonte grushtet e Mërtiros.

Diktatori në mbledhjen e Kuvendit Popullor
Enveri: Jo mëshirë për tradhtarët
Kërkesës për falje të Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit, të dënuar me vdekje, Enver Hoxha iu përgjigj si gjithnjë në të tilla raste me “Jo”. Monologu i tij për këtë çështje në seancën e Kuvendit Popullor fillon me togfjalëshin “asnjë mëshirë për tradhtarët!” “Tradhtarët e Partisë e të popullit, Abdyl Këllezi me Koço Theodhosin, -ka vijuar Hoxha, -kanë paraqitur kërkesë për falje. Unë, si edhe ju, jam i mendimit t’ua refuzojmë dhe të pranojmë vendimin e drejtë dhe të merituar që u dha Gjykata Popullore këtyre armiqve të vjetër e të betuar të Partisë e të popullit tonë. Për njerëz të tillë, komplotistë, sabotatorë, intrigantë e puçistë, nuk duhet të ketë asnjë fije mëshirë. Mbarë populli ynë, tërë Partia, gjithë këta tradhtarë, si ata të grupit të Beqir Ballukut, Abdyl Këllezit e Fadil Paçramit me shokët e tyre, i dënuan me urrejtje dhe ky ishte një dënim plotësisht i merituar. Këta elementë të degjeneruar, siç e vërtetuan katërcipërisht Hetuesia dhe gjyqi, ishin që të gjithë të organizuar me një platformë dhe kishin një qëllim të përbashkët: të merrnin fuqinë në dorë me puç e “me masakra”, siç e tha me gojën e tij tradhtari Abdyl Këllezi, ashtu siç e tha më parë edhe Beqir Balluku”.

Vendimi i gjyqit: Këllezi dhe Theodhosi dënohen me vdekje
Pasditen e 17 majit 1977, Gjykata e Lartë ka shpallur vendimin për dënimin e pjesëtarëve të grupit të ashtuquajtur armiqësor e antiparti në ekonomi. Sipas tij, Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi shpallen fajtorë për krimin e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, sabotimit dhe agjitacionit e propagandës armiqësore dhe dënohen me vdekje, konfiskimin e pasurisë, humbjen e së drejtës

 

 

Theodhosi e Këllezi pa varr
Koço Theodhosi, pasi u shkarkua nga të gjitha detyrat, u internua familjarisht në vitin 1975 në Kurbnesh të Mirditës. Më 17 maj 1977 u dënua me vdekje nga Gjykata e Lartë dhe po atë vit u ekzekutua. Megjithëse pjesa më e madhe e familjeve të funksionarëve të lartë të pushkatuar nga diktatura i kanë gjetur dhe rivarrosur eshtrat e të dashurve të tyre, varret e Abdyl Këllezit dhe të Koço Theodhosit, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të familjarëve, akoma edhe sot nuk janë gjetur.

AFRIM IMAJ


Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/01/07/djali-i-vasil-katit-amaneti-i-babait-per-tu-hakmarre-ndaj-hetuesit/#ixzz2HIrqDkFf

Diktatori në mbledhjen e Kuvendit Popullor

Enveri: Jo mëshirë për tradhtarët

Kërkesës për falje të Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit, të dënuar me vdekje, Enver Hoxha iu përgjigj si gjithnjë në të tilla raste me “Jo”. Monologu i tij për këtë çështje në seancën e Kuvendit Popullor fillon me togfjalëshin “asnjë mëshirë për tradhtarët!” “Tradhtarët e Partisë e të popullit, Abdyl Këllezi me Koço Theodhosin, -ka vijuar Hoxha, -kanë paraqitur kërkesë për falje. Unë, si edhe ju, jam i mendimit t’ua refuzojmë dhe të pranojmë vendimin e drejtë dhe të merituar që u dha Gjykata Popullore këtyre armiqve të vjetër e të betuar të Partisë e të popullit tonë. Për njerëz të tillë, komplotistë, sabotatorë, intrigantë e puçistë, nuk duhet të ketë asnjë fije mëshirë. Mbarë populli ynë, tërë Partia, gjithë këta tradhtarë, si ata të grupit të Beqir Ballukut, Abdyl Këllezit e Fadil Paçramit me shokët e tyre, i dënuan me urrejtje dhe ky ishte një dënim plotësisht i merituar. Këta elementë të degjeneruar, siç e vërtetuan katërcipërisht Hetuesia dhe gjyqi, ishin që të gjithë të organizuar me një platformë dhe kishin një qëllim të përbashkët: të merrnin fuqinë në dorë me puç e “me masakra”, siç e tha me gojën e tij tradhtari Abdyl Këllezi, ashtu siç e tha më parë edhe Beqir Balluku”.

Vendimi i gjyqit: Këllezi dhe Theodhosi dënohen me vdekje
Pasditen e 17 majit 1977, Gjykata e Lartë ka shpallur vendimin për dënimin e pjesëtarëve të grupit të ashtuquajtur armiqësor e antiparti në ekonomi. Sipas tij, Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi shpallen fajtorë për krimin e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, sabotimit dhe agjitacionit e propagandës armiqësore dhe dënohen me vdekje, konfiskimin e pasurisë, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet dhe me heqjen e të gjithë titujve e dekoratave që mbajnë. Sakaq, Kiço Ngjela e Vasil Kati dënohen me 20 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë së tyre, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe heqjen e të gjithë titujve dhe dekoratave që mbajnë. Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, shprehet më tej vendimi i Gjykatës, detyrohen që, solidarisht(!) me grupin e sabotatorëve të tjerë t’i dëmshpërblejnë shtetit shumën 891 876 800 lekë. Gjithashtu, solidarisht, me njëri-tjetrin(!) t’i dëmshpërblejnë shtetit 144 098 986 lekë.

Theodhosi e Këllezi pa varr
Koço Theodhosi, pasi u shkarkua nga të gjitha detyrat, u internua familjarisht në vitin 1975 në Kurbnesh të Mirditës. Më 17 maj 1977 u dënua me vdekje nga Gjykata e Lartë dhe po atë vit u ekzekutua. Megjithëse pjesa më e madhe e familjeve të funksionarëve të lartë të pushkatuar nga diktatura i kanë gjetur dhe rivarrosur eshtrat e të dashurve të tyre, varret e Abdyl Këllezit dhe të Koço Theodhosit, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të familjarëve, akoma edhe sot nuk janë gjetur.

AFRIM IMAJ

Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/01/07/djali-i-vasil-katit-amaneti-i-babait-per-tu-hakmarre-ndaj-hetuesit/#ixzz2HIrqDkFf