Ligji per demshperblimin e ish te denuarve politike i azhurnuar

Star InactiveStar InactiveStar InactiveStar InactiveStar Inactive
 

 

 
LIGJ 
Nr.9831, datë 12.11.2007 
(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009) 
PËR DËMSHPËRBLIMIN E ISH TË DËNUARVE POLITIKË  
TË REGJIMIT KOMUNIST 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të 
Ministrave,  
KUVENDI 
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË 
VENDOSI: 
KREU I 
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME  
Neni 1 
Objekti dhe fusha e veprimit të ligjit  
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i përfituesve, masës, kritereve dhe procedurës së 
përfitimit të dëmshpërblimit financiar për ish të dënuarit politikë, të cilët kanë vuajtur 
persekutimin e drejtpërdrejtë në regjimin komunist, nëpërmjet kryerjes së dënimeve penale të 
padrejta, si burgim apo masa mjekësore të detyrueshme, si pasojë e një apo disa vendimeve 
penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave të 
organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991. 
Objekt i këtij ligji është edhe dëmshpërblimi i familjarëve të viktimave, të ekzekutuara 
apo të pushkatuara padrejtësisht për motive politike, me vendime penale të formës së prerë të 
gjykatave të zakonshme apo speciale, ose me urdhra të organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 
30.11.1944 deri më 1.10.1991, si dhe dëmshpërblimi financiar për personat e internuar ose të 
dëbuar, me kusht që humbja e jetës apo periudha e vuajtjes së internimit ose dëbimit të 
vërtetohen me dokument, të krijuar si burim arkivor para datës 1.10.1991. Dëmshpërblimi i 
viktimave, të vrara ose të ekzekutuara gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991, jepet 
vetëm për familjarët e përcaktuar sipas këtij ligji. 
Neni 2 
Qëllimi i ligjit 
(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009) 
Qëllimi i këtij ligji është dhënia e dëmshpërblimit financiar nga shteti shqiptar për ish 
të dënuarit politikë të regjimit komunist, të  mbetur gjallë, për familjarët e viktimave të 
ekzekutuara dhe personat e internuar ose të dëbuar në kampe, si një angazhim i shtetit 
demokratik në dënimin e krimeve të regjimit totalitar komunist dhe garantimin për ta të një 
jete më të mirë. 
Dëmshpërblimi financiar, sipas këtij ligji, nuk përjashton marrjen e masave të tjera, të 
njëkohshme ose të mëvonshme, ligjore apo administrative, në dobi të të persekutuarve e të 
dënuarve politikë, të cilat i shërbejnë rivendosjes së drejtësisë dhe dinjitetit shoqëror të kësaj 
shtrese apo krijimit të kushteve favorizuese, për riintegrimin shoqëror të tyre. 
 Procedura e shqyrtimit administrativ të kërkesave dhe masa e dëmshpërblimit 
financiar për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, 
gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991, përcaktohet me vendim të Këshillit të 
Ministrave. Neni 3 
Dënim penal i padrejtë 
(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009) 
Me dënim penal të padrejtë, në kuptim të këtij ligji, për efekt të dëmshpërblimit, 
nënkuptohet dënimi kapital ose çdo ditë heqje lirie, izolimi, internimi apo dëbimi, për vepra 
penale politike, në institucionet penitenciare apo një institucion mjekësor, psikiatrik apo 
jopsikiatrik, për shkak të një: 
a) vendimi apo urdhri hetuesie me vdekje, i ekzekutuar gjatë periudhës 30.11.1944 
deri më 1.10.1991; 
b) vendimi dënim me burgim të përjetshëm; 
c) vendimi dënim me burgim; 
ç) vendimi dënim me mjekim të detyruar; 
d) vendimi dënim me vendosje në një institucion mjekësor apo mjekësor psikiatrik; 
dh) urdhri nga hetuesia; 
e) vendimi dënim me vdekje, i paekzekutuar, si pasojë e rrëzimit të sistemit komunist 
më 1.10.1991; 
ë) vendimi, urdhri hetuesie apo vendimi administrativ politik për internim ose dëbim; 
 f) akti administrativ apo dokumenti zyrtar që provon internimin në kampe me rrethim 
me tela me gjemba. 
Neni 4 
Kriteret për të përfituar dëmshpërblim 
(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009) 
I dënuari ose familjarët e viktimave të dënuara, të ekzekutuara apo të pushkatuara, për 
të përfituar dëmshpërblim duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme: 
a) të jetë dënuar me dënim kapital, heqje lirie, internim dhe dëbim apo të jetë izoluar 
në hetuesi ose në një institucion mjekësor psikiatrik, për shkak të një vendimi gjykate të 
formës së prerë, të një akti administrativ apo të urdhrave të hetuesisë, të dhëna gjatë periudhës 
30.11.1944 deri më 1.10.1991; 
b) heqja e lirisë, izolimi në hetuesi apo në një institucion mjekësor psikiatrik, me 
vendim gjyqësor të formës së prerë apo me urdhër të hetuesisë, të jetë për shkak të një vepre 
penale politike, siç përcaktohet në nenin 5 të këtij ligji; 
c) të ketë kryer ose të ketë vuajtur dënim penal të padrejtë plotësisht ose pjesërisht;  
ç) të kenë fituar pafajësinë, sipas ligjit nr. 7541, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, 
amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar; 
d) sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, të mos ketë kryer veprime të dëmshme, 
me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991. 
Neni 5 
Vepra penale politike 
(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009)
Vepra penale politike, në kuptim të këtij ligji, vlerësohen vetëm veprat penale, të 
parashikuara në njërën nga dispozitat ligjore të mëposhtme: 
a) në nenin 1 të ligjit nr.21, datë 15.12.1944 “Mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit 
të popullit, mbi ata, që fshehin kriminelët e luftës etj., mbi ata që vjedhin pasurinë e shtetit 
dhe të popullit, mbi spekulatorët, falsifikatorët, mbi ata, që fshehin sende të domosdoshme për 
ushqimin dhe strehimin e popullit dhe për rindërtimin e vendit”; 
b) në nenet 14, 15, 16, 17 e 18 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945 “Mbi organizimin dhe 
funksionimin e gjykatave ushtarake”; c) në nenet 2, 3 pikat 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 13, 14, nenin 4, 6, 7, 8 e 9 të 
ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kontra popullit dhe shtetit”; 
ç) në ligjin nr.373, datë 12.12.1946 “Mbi ndjekjen e tregtisë së ndaluar, të spekulimit 
dhe sabotimit ekonomik”, pjesa e sabotimit ekonomik, si dhe në nenin 3 të ligjit nr. 1209, datë 
10.01.1951 “Mbi mbrojtjen e paqes midis popujve”; 
d) dispozitat e mëposhtme të Kodit Penal të vitit 1952: 
Neni 64 “Tradhtia ndaj atdheut” 
Neni 65 “Spiunazhi” 
Neni 69 “Organizimi dhe pjesëmarrja në bandat e armatosura” 
Neni 70 “Diversioni” 
Neni 71 “Sabotimi” 
Neni 72 “Agjitacioni dhe propaganda kundër pushtetit popullor”  
Neni 73 “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve midis kombësive, racave ose feve” 
Neni 74 “Propaganda e luftës” 
Neni 75 “Pjesëmarrja në një organizatë kundër pushtetit popullor” 
Neni 82 “Veprimtaria para çlirimit” 
Neni 83 “Solidarësia ndërkombëtare” 
Nenet 105, 106, 107 e 108 “Krime në lidhje me tatimet dhe detyrimet”. Neni 226 
“Moskallëzim i krimit”, paragrafi i parë për  moskallëzim të një krimi kundër shtetit, të 
parashikuar në nenet 64, 69, 70, 71, 72, 74, 75, 82, 83 të këtij Kodi dhe neni 259 “Kalim i 
paligjshëm i kufijve të shtetit”; 
dh) dispozitat e Kodit Penal të vitit 1977, miratuar me ligjin nr.5591, datë 15.6.1977 
dhe ndryshuar me ligjin nr. 6300, datë 27.3.1981, të përcaktuar si më poshtë: 
Neni 47 “Tradhtia ndaj atdheut” 
Neni 48 “Spiunazhi” 
Neni 52 “Diversioni” 
Neni 53 “Sabotimi” 
Neni 55 “Agjitacioni dhe propaganda kundër shtetit” 
Neni 57 “Krijimi i një organizate kundërrevolucionare ose pjesëmarrja në të” 
Neni 58 “Veprimtaria armiqësore para çlirimit” 
Neni 60 “Veprimtaria kundër lëvizjes revolucionare të klasës punëtore” 
Neni 112 “Moskallëzim i krimit”, paragrafi i dytë, për moskallëzim të një krimi 
kundër shtetit, të parashikuar në nenet 47  dhe 60 të këtij Kodi dhe neni 127 “Kalim i 
paligjshëm i kufijve”; 
e) shkelje e dekretit nr.7408 datë 31.7.1990 “Për mbledhjet grumbullimet dhe 
manifestimet e shtetasve në vende publike”; 
ë) shkelje e dekretit nr.7459 datë 22.1.1991 “Për respektimin dhe mbrojtjen e 
monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe simbolet shtetërore.” 
Kur, në përfundim të një gjykimi, ish i dënuari politik është dënuar me një vendim 
përfundimtar, të dhënë si bashkim dënimesh, një ose disa prej të cilave janë dënime penale 
politike të padrejta, në kuptim të këtij ligji, përllogaritja e pjesës takuese, që zë dënimi politik, 
për efekt të këtij ligji, në kohën e përgjithshme të vuajtjes së dënimit, të kryhet në përpjesëtim 
me raportin gjithsej, sipas formulës, që i bashkëlidhet shtojcës “A”. Në të njëjtën mënyrë 
veprohet në rastet kur bashkimi i dënimeve është dhënë gjatë kohës së vuajtjes së një dënimi 
të mëparshëm. 
Neni 6 
Masa e dëmshpërblimit për të burgosurit, të internuarit  
ose të dëbuarit politikë 
Masa e dëmshpërblimit për të burgosurit, të internuarit ose të dëbuarit politikë do të 
jetë si më poshtë: a) çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, 
spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet 
financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë; 
b) për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri 
në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1 000 (një mijë) lekë në ditë; 
c) për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e 
cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave. 
Dëmshpërblimi i përcaktuar në paragrafin më sipër u takon dhe familjarëve të tij, në 
pjesë të barabarta takuese, kur i dënuari nuk jeton më. E drejta e familjarëve për të kërkuar 
dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake.
Nga shuma që çdo i dënuar politik përfiton nga ky ligj, zbritet masa e dëmshpërblimit 
që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme. 
Neni 7 
Masa e dëmshpërblimit për familjarët e të dënuarve me dënim kapital 
Familjarët e viktimave, të pushkatuara apo të ekzekutuara me dënim politik të 
padrejtë, për vuajtjen dhe persekucionin, përfitojnë një dëmshpërblim financiar të barabartë, 
gjithsej, në masën e 8 viteve kompensim dënimi me burgim. E drejta e familjarëve për të 
kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake. 
Neni 8 
Rrethi i familjarëve sipas këtij ligji 
(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009)
1. Në kuptim të këtij ligji, me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera 
ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish të dënuarit politik, 
si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave. 
2. Familjarët, në shkallë më të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë. 
KREU II 
AUTORITETI PËRGJEGJËS DHE KRITERET, NË BAZË TË TË CILAVE KRYHET 
SHPËRNDARJA E DËMSHPËRBLIMIT 
Neni 9 
Autoriteti përgjegjës për miratimin e dëmshpërblimit 
Këshilli i Ministrave është autoriteti përgjegjës që miraton dëmshpërblimin financiar, 
në përputhje me këtë ligj, i cili, me vendim, përcakton gjenealitetet përkatëse të ish të dënuarit 
politik, llojin e dënimit, periudhën e plotë të vuajtjes së dënimit, gjithsej, në vite, muaj dhe 
ditë, sipas rastit, shumën e dëmshpërblimit financiar dhe, sipas rastit, gjenealitetet e sakta të 
familjarëve të viktimave të pushkatuara dhe masën përkatëse të dëmshpërblimit të tyre. 
Neni 10 
Autoriteti përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave 
 1. Ministria e Drejtësisë është autoriteti përgjegjës që shqyrton kërkesat për përfitimin 
e dëmshpërblimit, sipas këtij ligji, në përputhje me rregullat e përcaktuara në kreun V të këtij 
ligji. Kur, pas shqyrtimit administrativ, rezulton se kërkesa është e drejtë dhe e bazuar në ligj, 
Ministria e Drejtësisë i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e dëmshpërblimit. 
2. Këshilli i Ministrave shqyrton propozimet e dërguara nga Ministria e Drejtësisë 
brenda dy javëve kalendarike. Vendimet hyjnë në fuqi menjëherë dhe botohen në Fletoren 
Zyrtare. Neni 11 
Autoritetet përgjegjëse për bashkërendimin e punës 
1. Ministria e Drejtësisë, gjatë shqyrtimit të kërkesave, bashkërendon punën me 
Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, Shërbimin Informativ të Shtetit, Drejtorinë e 
Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe arkivat e sistemit gjyqësor. 
2. Kriteret, procedurat e bashkërendimit të informacionit dhe lloji i përgjigjes për çdo 
kërkesë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. 
3. Ministria e Brendshme, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit, të përcaktuar 
në pikën 2 të këtij neni, depoziton në Ministrinë e Drejtësisë kopje të njësuara të arkivit për 
dënimet me internim ose dëbim. 
Neni 12 
Kriteret për shpërndarjen e fondit 
(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009) 
Në bazë të buxhetit vjetor, të vënë në dispozicion dhe sipas radhës së caktimit të 
dëmshpërblimit, fondet do të ndahen në mënyrë proporcionale për të gjithë ish të dënuarit dhe 
familjarët e viktimave të pushkatuara, me kusht që vlera e dëmshpërblimit gjatë fazës së parë 
të mos jetë më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë. 
I njëjti mekanizëm do të përsëritet një ose më shumë herë, deri në shpërndarjen e plotë 
të shumës së dëmshpërblimit për të gjithë ish të dënuarit/familjarët e viktimave, me kusht që, 
në çdo rast, pjesa takuese që kompensohet të mos jetë më e vogël se 100 000 (njëqind mijë) 
lekë. Asnjë ish i dënuar apo familjar i tij nuk mund të dëmshpërblehet jashtë këtij mekanizmi. 
Neni 13 
Shpërndarja e dëmshpërblimit 
1. Ministria e Drejtësisë, brenda 1 jave  nga miratimi në Këshillin e Ministrave të 
vendimit për dëmshpërblimin, i përcjell Ministrisë së Financave kopjen e plotë të dosjeve 
individuale të ish të dënuarve politikë, që përfitojnë dëmshpërblim, sipas këtij ligji. 
2. Ministria e Financave, sipas buxhetit të vënë në dispozicion, shpërndan, në vlerë të 
plotë, dëmshpërblimin, për çdo të dënuar politik, që përfiton sipas këtij ligji, nëpërmjet çeljes 
së depozitës bankare, në emër dhe/ose për llogari të tij ose të familjarëve të tij, në një bankë të 
nivelit të dytë. Dokumenti i çeljes së llogarisë bankare i bashkëlidhet dosjes në Ministrinë e 
Financave. 
3. Ministri i Financave urdhëron shpërndarjen e dëmshpërblimit, sipas radhës së 
përparësisë së caktuar në nenin 12 të këtij ligji. 
Neni 14 
Tërheqja e dëmshpërblimit nga llogaritë 
(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009) 
Dëmshpërblimi financiar, i depozituar në llogaritë bankare, tërhiqet personalisht nga 
vetë ish i dënuari politik apo nga kujdestari i tij ligjor, kur ai ka humbur zotësinë juridike për 
të vepruar, apo nga familjari i viktimës së ekzekutuar. 
Kur ish i dënuari politik ka vdekur para ose vdes pas depozitimit të kërkesës në 
Ministrinë e Drejtësisë, familjarët e përcaktuar në nenin 8 këtij ligji, për çeljen e depozitës 
bankare, duhet të depozitojnë në Ministrinë e Financave këtë dokumentacion: 
a) certifikatën e vdekjes së ish të dënuarit politik; 
b) dëshminë e trashëgimisë së ish të dënuarit politik; c) kopje të vlefshme të dokumentit të identitetit; 
d) certifikatën e trungut familjar. 
Kur trashëgimtarët, sipas këtij ligji, e kanë deleguar me prokurë/akt njërit prej tyre, 
veprimet nga Ministria e Financave bëhen në emër të personit me këtë të drejtë. 
Neni 15 
Çelja e depozitës dhe njoftimi 
(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009) 
Depozitat bankare, që çelen në emër të ish të dënuarit politik apo familjarëve përfitues, 
sipas nenit 14 të këtij ligji, bëhen të disponueshme brenda 1 jave kalendarike nga çelja e tyre. 
Ministria e Financave njofton publikisht në media dhe nëpërmjet faqes së vet zyrtare për 
çeljen e llogarive. Ky njoftim shpallet edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, në 
arkivin për këtë çështje. 
Neni 16 
Afati i vlefshmërisë së depozitës 
Depozitat e çelura, në përputhje me nenin 15 të këtij ligji, janë të kërkueshme 3 vjet 
nga çelja e tyre. Kur brenda 3 vjetëve pranë bankës nuk paraqitet asnjë i interesuar, apo kur të 
interesuarit nuk plotësojnë kriteret e caktuara në nenin 14 të këtij ligji, llogaria transferohet 
drejtpërdrejt në thesarin e shtetit, sipas një rakordimi paraprak, të kryer nëpërmjet bankës së 
nivelit të dytë dhe Ministrisë së Financave. 
KREU III 
MBIKËQYRJA E MËNYRËS SË SHPËRNDARJES SË ÇDO DËMSHPËRBLIMI 
Neni 17 
Mbikëqyrja nga Kuvendi  
Kuvendi, me një komision të posaçëm, brenda 3-mujorit të parë të çdo viti, verifikon 
mënyrën e shpërndarjes së dëmshpërblimit nga Ministria e Financave, në përputhje me 
kriteret e caktuara në nenin 12 të këtij ligji. 
Ministri i Financave vë në dispozicion të Kuvendit, brenda datës 17 janar të çdo viti, 
dokumentet e vitit pararendës. Komisioni, sipas  informacionit të Ministrisë së Financave, i 
raporton Kuvendit brenda 15 ditëve nga ngritja e tij. 
Neni 18 
Mbikëqyrja nga Ministria e Financave 
Ministria e Financave, në përputhje me legjislacionin bankar në fuqi dhe me këtë ligj, 
mbikëqyr zbatimin e neneve 14, 15 e 16 të këtij ligji nga bankat e nivelit të dytë, që ofrojnë 
këtë shërbim, sipas përzgjedhjes. 
Brenda datës 27 janar të çdo viti, Ministria e Financave raporton në komisionin e 
posaçëm të Kuvendit, me shkrim, informacion për shpërndarjen e depozitave dhe ecurinë e 
këtij procesi gjatë vitit pararendës.  
KREU IV 
FILLIMI I PROCEDURËS PËR KËRKESËN PËR DËMSHPËRBLIM Neni 19 
Afati i paraqitjes së kërkesës dhe autoriteti 
(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009) 
1. Brenda datës 01.07.2009, ish të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet 
kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara, që plotësojnë kriteret e neneve 
4 e 5 të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e 
dëmshpërblimit financiar, për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit të paraqitur në 
aneksin “A”, që i bashkëlidhet këtij ligji. 
2. Mosparaqitja e kërkesës brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, sjell 
humbjen e së drejtës së dëmshpërblimit për ish të dënuarin politik apo familjarin e viktimës 
me dënim kapital. Sipas këtij ligji ish i dënuari politik i regjimit komunist, kujdestari i tij 
ligjor apo familjari i viktimës së pushkatuar nuk mund të rivendosen në afat, për paraqitjen e 
kërkesës, pas datës 1.7.2009. 
Neni 20 
Përmbajtja e kërkesës 
(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009)
Kërkesa për dëmshpërblim duhet të përmbajë: 
a) të dhëna për përbërësit e gjendjes civile të ish të dënuarit politik, në kohën e dënimit 
dhe informacion aktual, sipas rastit, nëse janë ndryshuar emri, mbiemri, datëlindja, 
vendlindja, vendbanimi, seksi, raportet e atësisë e të mëmësisë për të dënuarit me vdekje, 
burgim, internim ose dëbim. Për të gjitha  ndryshimet në përbërës, kërkesës duhet t’i 
bashkëlidhet edhe akti, që i ka ndryshuar ato; 
b) të dhëna për periudhën e ekzekutimit (ditën)/vuajtjen e dënimit/dënimeve, hyrjedaljet nga burgimi, izolimi, internimi apo dëbimi; 
c) vendimin e gjykatës, të formës së prerë/aktin e internimit, aktin administrativ apo 
dokumentin zyrtar që provon internimin në kampe me rrethim me tela me gjemba, apo 
aktakuzën për izolim, nëse ka; 
ç) dokumentacionin për gjendjen familjare aktuale të ish të dënuarit politik; 
d) çdo informacion, që ka ai për gabime ortografike apo materiale të përbërësve të 
gjendjes civile të tij, në vendim apo aktakuzë, për identifikimin e saktë të tij; 
dh) certifikatën e gjendjes civile, që provon të gjithë përbërësit e gjendjes civile dhe 
një adresë të saktë, të zgjedhur prej tij për komunikim. 
Certifikata duhet të jetë lëshuar jo më vonë se 45 ditë nga dorëzimi i kërkesës. 
Për ish të dënuarit, që nuk jetojnë, apo familjarët e viktimave, kërkesa paraqitet nga 
familjari, sipas rrethit të përcaktuar në  këtë ligj. Në këto raste kërkuesi paraqet 
dokumentacionin që provon lidhjen familjare me ish të dënuarin politik, si dhe 
dokumentacionin që provon se cilët nga familjarët përfitues të parashikuar në nenin 8 të këtij 
ligji janë të gjallë. 
Neni 21 
Mënyra dhe evidentimi i kërkesave 
Paraqitja e kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë kryhet brenda territorit të vendit, vetëm 
me anë të Postës Shqiptare sha, nëpërmjet dorëzimit nga kërkuesi të dokumentacionit dhe 
marrjes së lajmërimit nëpërmjet postës për lajmërim-marrjen nga ministria. Çdo ish i dënuar 
politik i regjimit komunist, familjar i viktimave të pushkatuara ose familjar brenda rrethit të 
caktuar në këtë ligj i të dënuarit politik, që jeton ose nuk jeton, dorëzon dokumentet në emër 
të të dënuarit politik, i deklaron punonjësit të postës qëllimin e dërgesës dhe pajiset prej tij me 
formularin tip, që i bashkëlidhet këtij ligji, ku shënohen numri i dokumenteve të dorëzuara, 
data dhe ora e pranimit të kësaj dërgese dhe numri i regjistrimit të saj. Formulari nënshkruhet nga punonjësi i postës dhe dërguesi në tri kopje, për dërguesin, për postën dhe për Ministrinë 
e Drejtësisë. Posta Shqiptare sha regjistron çdo dërgesë të saj në regjistra të veçantë dhe i ruan 
ato, sipas legjislacionit në fuqi. 
Dokumentacioni i dërguesit, së bashku me kopjen e formularit, për Ministrinë e 
Drejtësisë, i postohet kësaj të fundit. Një  kopje e njoftimit të marrjes së dokumenteve i 
përcillet dërguesit. 
Tarifa e këtij shërbimi postar, e reduktuar, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe 
shërbimi kryhet në të gjitha filialet postare të qyteteve dhe të bashkive të vendit. Për të 
dënuarit me vendndodhje jashtë vendit, dorëzimi i dokumenteve në Ministrinë e Drejtësisë 
kryhet drejtpërdrejt, nëpërmjet shërbimit konsullor, sipas së njëjtës procedurë, të përcaktuar 
në paragrafin e dytë të këtij neni, ku  punonjësi konsullor kryen pranimin dhe harton 
formularin e dorëzimit të dokumentacionit. Kërkesat, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të 
Jashtme, i përcillen Ministrit të Drejtësisë. Tarifa e këtij shërbimi përcaktohet nga Këshilli i 
Ministrave. 
Posta Shqiptare sha dhe shërbimi konsullor, brenda 10 ditëve nga përfundimi i afatit 1-
vjeçar, dorëzojnë në Këshillin e Ministrave të dhëna për numrin e dërgesave të kryera. Një 
kopje e këtij informacioni i përcillet edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kur, pas plotësimit të 
afatit 1-vjeçar, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ka pretendime nga ish të dënuar politikë, 
familjarë të viktimave të pushkatuara, se kanë dorëzuar dokumentet, por ato nuk gjenden, 
kanë humbur, kanë të meta të pjesshme etj., mjeti i vetëm provues, që shërben për pranimin e 
këtij pretendimi, është formulari i trefishtë i dorëzimit në postë apo në shërbimin konsullor. 
Ministri i Drejtësisë urdhëron ripranimin e dokumenteve, edhe pas plotësimit të afatit 1-
vjeçar, sipas këtij ligji, vetëm kur kërkuesi  provon se i ka dorëzuar ato në postë apo në 
shërbimin konsullor. 
Neni 22 
Evidentimi dhe krijimi i regjistrit elektronik në ministri 
Të gjitha kërkesat, të mbërritura nëpërmjet Postës Shqiptare sha apo shërbimit 
konsullor regjistrohen dhe evidentohen në librat e hyrjes në ministri, në emër të personit të 
dënuar politik, që aplikon për përfitimin e dëmshpërblimit. 
Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë, në faqen e vet zyrtare, publikon gjenealitetet e çdo 
kërkuesi, që aplikon për përfitimin e dëmshpërblimit, sipas këtij ligji. Të dhënat e këtij 
regjistri përditësohen çdo javë, në mënyrë periodike. 
KREU V 
PROCEDURA E SHQYRTIMIT TË KËRKESAVE, HETIMI 
Neni 23 
Fillimi i shqyrtimit të kërkesave 
(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009)
Ministria e Drejtësisë kryen shqyrtimin e  çdo kërkese, të përcjellë nga të ish të 
dënuarit politikë, nëpërmjet Postës Shqiptare sha dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, sipas 
nenit 19 të këtij ligji. 
Pas datës 1.7.2009, pasi janë kryer rakordimet përkatëse ndërmjet Postës Shqiptare 
sha, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Drejtësisë, Ministri i Drejtësisë 
raporton pranë Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit numrin e kërkesave totale të paraqitura 
për dëmshpërblim, sipas këtij ligji dhe diferencat, kur ka të tilla. Neni 24 
Veprimet paraprake 
Ministria e Drejtësisë, pas regjistrimit të kërkesës, hap dosjen individuale dhe brenda 
10 ditëve vepron si më poshtë: 
a) kur nga shqyrtimi paraprak vëren se kërkesa nuk shoqërohet me dokument provues, 
e njofton kërkuesin për të plotësuar dokumentet brenda një afati 30-ditor, duke i dhënë 
informacion për zyrën shtetërore se ku mund t'i gjejë këto dokumente; 
b) kur nga shqyrtimi paraprak provon se i dënuari politik nuk është gjallë dhe kërkesa 
nuk kryhet nga rrethi i familjarëve, të përcaktuar në këtë ligj, i dërgon njoftim negativ 
dërguesit në adresën e tij. I njëjti veprim kryhet edhe për familjarët e viktimave të 
pushkatuara, kur provohet se familjarët brenda rrethit të caktuar në këtë ligj nuk jetojnë më; 
c) kur nga shqyrtimi paraprak provon se lloji i dënimit nuk përbën shkak për 
përfitimin e dëmshpërblimit, sipas këtij ligji, dërgon njoftim negativ në adresën e dërguesit; 
ç) shqyrton në themel të gjitha kërkesat e tjera, që plotësojnë kriteret formale të këtij 
ligji. 
Veprimet administrative, të përmendura në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç” të këtij 
neni, evidentohen me shkrim dhe i njoftohen menjëherë kërkuesit ose dërguesit, duke 
argumentuar shkakun ligjor përkatës. Një kopje e  njoftimit, sipas rastit, administrohet në 
dosjen individuale përkatëse. Ministria e Drejtësisë, për të gjitha njoftimet lajmëron kërkuesin 
edhe për adresën zyrtare, ku duhet të dërgojë dokumentet me postë apo nëpërmjet shërbimit 
konsullor. Në të gjitha rastet kërkuesit kanë të drejtë të ofrojnë e të sjellin prova, për të 
kundërshtuar njoftimin negativ. Korrespondenca, në këtë rast, do të jetë e njëjtë, si në rastin e 
dërgimit të kërkesës me postë. 
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë evidentohen çdo javë kalendarike veprimet 
paraprake për çdo kërkesë të regjistruar. 
Kur, brenda një afati 60-ditor nga marrja e njoftimit negativ, në adresën e Ministrisë se 
Drejtësisë nga kërkuesi nuk paraqitet asnjë pretendim për çështjen apo pretendimi nuk 
provohet, Ministri i Drejtësisë urdhëron mosmiratimin e kërkesës. Urdhri shoqërohet me 
relacionin përkatës. 
Neni 25 
Mënyra e shqyrtimit të kërkesave  
Shqyrtimi i kërkesave për përfitimin e dëmshpërblimit, sipas nenit 28 të këtij ligji, 
kryhet nëpërmjet shqyrtimit të drejtpërdrejtë dhe të bashkërenduar. Ministri i Drejtësisë 
vendos pranimin e një kërkese vetëm kur, nga shqyrtimi i drejtpërdrejtë dhe i bashkërenduar, 
kërkesa plotëson të gjitha kriteret e përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji. 
Neni 26 
Shqyrtimi i drejtpërdrejtë 
Shqyrtimi i drejtpërdrejtë është faza e parë e hetimit, i cili kryhet në sektorin e 
gjendjes gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë (skedarët e përgjithshëm dhe ato të posaçëm, për 
të përndjekurit politikë të regjimit komunist)  dhe, sipas rastit, në arkivin e Drejtorisë së 
Përgjithshme të Burgjeve. 
Çdo kërkesë i nënshtrohet këtij shqyrtimi, pavarësisht informacionit provues, që i 
bashkëlidhet dosjes. Kopja e ekstrakteve të arkivit printohet, nënshkruhet nga punonjësi, që 
përpunoi informacionin dhe i bashkëlidhet dosjes së kërkuesit. Informacioni, për çdo kërkesë, 
kërkohet në të gjitha variantet emër, mbiemër, viti i lindjes, lloji i veprës penale etj., përfshi 
edhe indicjet për gabime të mundshme, ortografike dhe materiale, të dhëna nga vetë kërkuesi, 
për gjenealitetet e tij. Pas verifikimit të drejtpërdrejtë të informacionit, punonjësi vepron si më poshtë: 
a) kur provohet se kërkuesi ka kryer vetëm dënim penal politik, ai evidenton, në një 
formular të posaçëm, llojin dhe, sipas rastit, kohën e vuajtjes së dënimit, gjithsej, të cilin ia 
bashkëlidh dosjes. Dosja i përcillet për shqyrtim të bashkërenduar organeve të tjera shtetërore, 
për të parë nëse çështjet janë në përputhje me kriteret e përcaktuara në shkronjën “d” të nenit 
4 të këtij ligji; 
b) kur provohet se kërkuesi, gjatë të njëjtit gjykim apo gjatë gjykimeve të tjera, është 
dënuar për një ose më shumë vepra penale, politike dhe jopolitike, ai evidenton llojin dhe, 
sipas rastit, kohën e saktë të vuajtjes së dënimit, gjithsej, politik dhe jopolitik, në një formular 
të veçantë, që i bashkëlidhet dosjes. Në vijim dosja u përcillet për shqyrtim të bashkërenduar 
organeve të tjera shtetërore, për të parë nëse  çështjet janë sipas kritereve të përcaktuara në 
shkronjën “d” të nenit 4 të këtij ligji; 
c) kur provohet se kërkuesi, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, ka kryer 
veprime me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë, i propozon ministrit ta klasifikojë kërkesën si 
të pabazuar në këtë ligj; 
ç) kur provohet se kërkuesi ka kryer vetëm dënime jopolitike, i propozon ministrit ta 
klasifikojë atë si të pabazuar në këtë ligj; 
d) kur provohet se Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, kërkesa i 
përcillet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe 
Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit për verifikim të drejtpërdrejtë në burimet e 
tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 - 1.10.1991. Autoritetet përgjegjëse, brenda 30 ditëve, 
verifikojnë kërkesën dhe dërgojnë informacion në Ministrinë e Drejtësisë edhe për çështje të 
përmendura në shkronjën “d” të nenit 4 të këtij ligji. Brenda 5 ditëve, Ministria e Drejtësisë e 
kualifikon kërkesën: 
i) në njërën ndër veprimet e përcaktuara në shkronjat “a” deri në “ç” të këtij neni; 
ii) në rubrikën “Të dhëna për kërkuesin nuk ka”. 
Kur kërkesa kualifikohet sipas nënndarjes “ii” të shkronjës “d” të këtij neni, punonjësi 
i propozon ministrit ta klasifikojë si të pabazuar në këtë ligj, për mungesë provash. 
Në kuptim të këtij neni, shprehja kërkues i referohet subjektit, që ka kryer dënim 
politik me burgim, internim, dëbim apo është ekzekutuar. 
Neni 27 
Shqyrtimi i bashkërenduar 
Shqyrtimi i bashkërenduar është faza e dytë e hetimit, të cilit i nënshtrohen kërkesat që 
rezultojnë dënime politike, në kuptim të këtij ligji. Ministria e Brendshme, Ministria e 
Mbrojtjes, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, 
brenda afatit 30-ditor, shqyrtojnë kërkesat dhe, me njoftim individual, shprehet secili, nëse i 
dënuari politik plotëson kriteret e përcaktuara në shkronjën “d” të nenit 4 të këtij ligji. 
Informacionet e bashkërenduara depozitohen në dosje. Punonjësi përgjegjës, në përputhje me 
nenin 28 të këtij ligji, përgatit relacionin, të cilin ia paraqet Ministrit të Drejtësisë. 
Neni 28 
Zhvillimi i hetimit 
Struktura përgjegjëse në ministri, brenda 35 ditëve, shqyrton në themel të gjitha 
kërkesat që, pas shqyrtimit paraprak, janë kualifikuar se plotësojnë kërkesat sipas shkronjës 
“ç” të nenit 24 të këtij ligji. 
Brenda afatit të përcaktuar në paragrafin e parë të këtij neni, struktura përgjegjëse në 
ministri verifikon dokumentacionin, sipas neneve 3 e 5 të këtij ligji, harton relacionin përkatës 
dhe i propozon ministrit pranimin e kërkesës, si të bazuar në ligj ose mospranimin e saj. 
Kur propozohet pranimi i kërkesës, akti i propozimit, i nënshkruar nga punonjësi 
përgjegjës, përmban edhe periudhën e saktë, në ditë, muaj dhe vite të dënimit të kryer, si dhe masën në lekë të dëmshpërblimit, që do t'i jepet, sipas ligjit. 
Ministri i Drejtësisë, në mbështetje të propozimit të strukturës përgjegjëse, urdhëron 
pranimin apo refuzimin e saj, kur kërkesa nuk mbështetet në ligj. Aktet nënligjore të Ministrit 
të Drejtësisë shpallen edhe në faqen zyrtare të ministrisë. 
Neni 29 
Miratimi i kërkesës 
Ministri i Drejtësisë, sipas dispozitave të këtij ligji, vendos miratimin apo refuzimin e 
kërkesës, i cili është i formës së prerë. 
Brenda 10 ditëve, Ministri i Drejtësisë paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave 
propozimet për përfitimin e dëmshpërblimit, sipas këtij ligji, të cilave u bashkëlidhen 
relacionet përkatëse. 
KREU VI 
TRANSPARENCA E PROCESIT 
Neni 30 
Mbikëqyrja nga grupimet e interesit 
Grupimet joqeveritare të ish të dënuarve politikë kanë të drejtë të paraqesin 
pretendime konkrete, për çështje të moszbatimit të këtij ligji, apo të denoncojnë raste 
përfitimesh pa të drejtë. 
Brenda 10 ditëve, Ministri i Drejtësisë shqyrton çështjen dhe vë në dijeni grupimin 
joqeveritar, Këshillin e Ministrave dhe komisionin përgjegjës për çështje të të drejtave të 
njeriut në Kuvend, për çdo pretendim të paraqitur sipas paragrafit të parë të këtij neni. 
Raporti me shkrim i Ministrit të Drejtësisë shoqërohet me kopje të dokumentacionit 
provues. 
Neni 31 
Denoncimi i fakteve të pavërteta 
Çdo qytetar, në mënyrë individuale apo në grup, ka të drejtë të denoncojë të dhëna të 
rreme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e procesit të përfitimit të dëmshpërblimit të 
ish të dënuarve politikë të regjimit komunist. 
Ministri i Drejtësisë shqyrton çdo denoncim  të rastit. Përgjigjja e verifikimit bëhet 
publike në faqen zyrtare të ministrisë, edhe nëse hartuesi i saj është anonim. 
KREU VII 
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT 
Neni 32 
Fondet për zbatimin e këtij ligji 
(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009)
Në ligjin e buxhetit planifikohen fondet vjetore për zbatimin e këtij ligji. Këshilli i 
Ministrave, brenda vitit 2009, miraton afatet dhe skemën e shpërndarjes së fondeve. 
Neni 33 
 Përzgjedhja e bankës së nivelit të dytë 
Ministri i Financave, në bazë të fondit buxhetor të planifikuar, organizon, brenda 3-
mujorit të fundit të çdo viti, procedurën e përzgjedhjes së bankës/bankave të nivelit të dytë, të cilat do të realizojnë shërbimin e shpërndarjes së depozitave për dëmshpërblimet që do të 
shpërndahen në vitin në vijim. Fitues është subjekti bankar, që ofron shërbimin më të mirë, 
sipas kushteve të përcaktuara nga Ministri i Financave. 
Neni 34 
Aktet nënligjore 
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, të 
nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të dispozitave të këtij ligji. 
 Në përputhje me parimet e rivendosjes së të drejtave, të barazisë para ligjit dhe të 
procesit të rregullt ligjor, ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktin nënligjor në bazë të 
nenit 2 të ligjit. 
DISPOZITA TRANZITORE 
(shtuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009)
1. Kërkuesit që kanë paraqitur kërkesë për përfitimin e dëmshpërblimit financiar në 
Ministrinë e Drejtësisë, dhe janë njoftuar me “njoftim negativ” në përputhje me 
shkronjat “b)” dhe “c)” të nenit 24 “Veprimet paraprake” të këtij ligji, kanë të drejtë të 
riparaqesin kërkesë të re për të rikonfirmuar vullnetin e tyre, si dhe çertifikatën e 
lindjes të lëshuar jo më vonë se 45 ditë nga dorëzimi i kësaj kërkese të dytë, të cilat i 
bashkëlidhen dokumentacionit të paraqitur prej tyre. 
2. Pas regjistrimit të dokumentacionit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, struktura 
përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë fillon procedurën e shqyrtimit administrativ për 
përfitimin e dëmshpërblimit financiar. 
3. Struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë rivlerëson edhe njëherë kërkesat e 
paraqitura për dëmshpërblim financiar për ish të dënuarit politikë, të cilat preken nga 
ndryshimi i nenit 4 shkronja “d”.  
Neni  
Ministria e Drejtësisë fillon procedurën e shqyrtimit administrativ për të gjitha kërkesat për 
përfitimin e dëmshpërblimit financiar, të paraqitura pas datës 19.12.2008. 
Neni 35 
Hyrja në fuqi 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. 
Shpallur me dekretin nr.5527, datë 30.11.2007 të Presidentit të Republikës së 
Shqipërisë, Bamir Topi.