Krimi komunist nëpërmjet torturës

Në Shqipërinë e djeshme komuniste, diktatura nuk e ka mohuar kurrë aktivitetin e saj. Në vitet e para pas lufte, ushtrimi i kësaj diktature nuk ishte i ligjëruar. Ai ushtrohej haptazi në shkelje të plotë të çdo lirie njerëzore. Proceset e shumta gjyqësore, internimet, zhvendosjet e popullsisë nga njëri vend në tjetrin sollën jo vetëm një dhimbje të madhe, por edhe një deformim të madh social të vendit. Ky kufizim i lirive njerëzore zhvillohej pas kufizimin më të vogël. Ai lidhej drejtpërdrejt me ekzistencën e vetë regjimit, i cili nuk e kuptonte pushtetin e tij pa rënduar fort mbi jetën e të drejtat e “armiqve të popullit”. 

Në vitin 1948 doli për herë të parë platforma e organeve të punëve të brendshme që rregullonte detyrat agjenturiale – operative të këtyre organeve. Nga leximi i platformës është e lehtë të kuptohet se tortura ishte tanimë mjet i ligjëruar. Kontrolli i plotë mbi elementin kundërshtar sigurohej si politikë goditje burgosjen, internimin, privimin e lirive të tij si dhe përdorimin e mjeteve shtrënguese për realizimin e qëllimeve që organet e diktaturës i kishin vënë vetes.

Partia e Punës e Shqipërisë ishte organi i vetëm drejtues politik në vend që udhëhiqte veprimet e Sigurimit të Shtetit dhe organeve të tjera të diktaturës.

Në 5 korrik 1950, me ndryshimin e kushtetutës, Partia e Punës u bë edhe ligjërisht udhëheqësja e vetme e jetës politike të vendit. Neni 21 u formulua si vijon: 

“...shtetasit më aktivë dhe më të ndërgjegjshëm të klasës punëtore dhe të masave të tjera punonjëse bashkohen në Partinë e Punës së Shqipërisë, pararoja e organizuar e klasës punëtore dhe e gjithë masave punonjëse në luftën e tyre për ndërtimin e bazave të socializmit të punonjësve, si shoqërore ashtu dhe shtetërore”.

Më tej akoma, me kushtetutën Republikës Popullore të Shqipërisë, e miratuar me ligjin nr.5506, date 28.12.1991, shpallej:

“Neni 2 

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë është shtet i diktaturës së proletariatit, që shpreh e mbron interesat e të gjithë punonjësve. 

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë mbështetet në unitetin e popullit rreth Partisë së Punës të Shqipërisë dhe ka në themel aleancën e klasës punëtore me fshatarësinë kooperativiste nën udhëheqjen e klasës punëtore. 

Neni 3 

Partia e Punës e Shqipërisë, pararoja e klasës punëtore, është forca e vetme politike udhëheqëse e shtetit dhe e shoqërisë. 

Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë ideologjia sunduese është marksizëm-leninizmi. Në bazë të parimeve të tij zhvillohet gjithë rendi shoqëror socialist. 

Neni 4 

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë zhvillon pa ndërprerë revolucionin duke iu përmbajtur luftës së klasave dhe ka për qëllim të sigurojë fitoren përfundimtare të rrugës socialiste mbi rrugën kapitaliste, të arrijë ndërtimin e plotë të socializmit e të komunizmit.

Kësisoj, lufta e klasave ishte edhe parim kushtetues. Ky parim justifikonte diktaturën e proletariatit, si goditje e klasës komuniste ndaj klasave të përmbysura. Gjithë parimi i “së drejtës” në shtetin komunist bazohej se ky parim kushtetues. Pra asgjë nuk kishte më rëndësi përderisa goditja e armikut brenda apo jashtë burgut quhej detyrë kryesore.

Referuar platformës së organeve të punëve të brendshme, Ministria e Punëve të Brendshme ishte “një nga armët kryesore të diktaturës së proletariatit” dhe si e tillë kishte për detyrë të mbronte “pushtetin popullor dhe interesat e popullit” nga “armiqtë e brendshëm e të jashtëm të RPSH-së”. MPB-ja përbëhej në thelbin e saj nga Sigurimi i Shtetit, Policia Popullore dhe forcat e kufirit e të ndjekjes. 

Organizator i specializuar i ushtrimit të vuajtjes ka qenë Sigurimi i Shtetit. Për Enver Hoxhën oficerët e Sigurimit ishin punëtorë partie dhe si të tillë duhej të organizonin në mënyrë të specializuar luftën kundër “elementit armik”. Të kategorizuar si të tillë për Partinë e Punës ishin:

  • Personat që kishin pasur funksione shtetërore para vitit 1944.
  • Gjithë ata që kishin qenë familje të mesme apo të pasura.
  • Personat e shkolluar jashtë vendit.
  • Personat e dënuar apo internuar për motive politike.
  • Elementi i quajtur “antiparti”, d.m.th. ish komunistë me apo pa funksione të rëndësishme të dënuar nga vetë partia.

Për të gjithë personat në fjalë dënimi vazhdonte në linjë biologjike, pra vazhdonte të rëndonte mbi bijtë, nipat, stërnipat, etj. Kjo quhej “politikë e goditjes”, e cila funksiononte brenda parimit të luftës së klasave.

 

top