Tortura

Tortura ushtrohej nëpërmjet:

  1. Organeve të Sigurimit të Shtetit. Kjo torturë ishte:

A. Psikologjike 

Tortura e tillë ushtrohej mbi të gjithë kategorinë që përbënte kontingjentin e përndjekur. Tortura psikologjike fillonte me trajtimin e keq social të familjes së përndjekur për arsye politike nga gjendja e saj sociale, mosdhënia e të drejtës për studim, caktimi i banesës në vende të largëta e të papërshtatshme, punësimi diskriminues, etj. kategoritë përkatëse ishin:

 

  • Familjet e përndjekura
  • Të internuarit politikë
  • Të burgosurit politikë
  • Kandidatët për t’u rekrutuar nga Sigurimi si informatorë dhe agjentë. Atyre u paraqitej një material komprometues, i cili shërbente si dhunë psikologjike në mënyrë që ata të pranonin rekrutimin në armën e Sigurimit. Bën dallim fakti se vetëm anëtarët e Partisë së Punës që ishin bashkëpunëtorë, nuk rekrutoheshin me material shtrëngues, por vetëm me dëshirë.

Torturë më të specifikuar psikologjike kishin të internuarit dhe të burgosurit. Të internuarit paraqiteshin dy herë në ditë te punëtori i policisë ose i Sigurimit. Ata ishin të detyruar të poshtëroheshin prej popullsisë vendase si njerëz të dorës së dytë e që nuk meritonin të jetonin si gjithë të tjerët. Të burgosurit po ashtu ishin nën torturën psikologjike të komandës së burgut, 

operativit të Sigurimit, etj.

Kjo lloj torture ndikonte në deformimin e karakterit njerëzor e shpeshherë në çmendje. Këtë lloj torture pësoi vajza e Tuk Jakovës, së cilës përveçse iu shkatërrua jeta, vuan edhe sot pasojën e pariparueshme.

 

B-Fizike. Tortura fizike ushtrohej nëpërmjet organeve të specializuara si për njerëzit e lirë, ashtu edhe për ata të vënë nën kufizim lirie. Kjo lloj torture drejtohej prej oficerëve të Sigurimit të shtetit, kryesisht nga punëtorët operativë dhe hetuesit e hetuesisë. Më konkretisht:

  • Kandidatët për t’u rekrutuar nga Sigurimi si informatorë dhe agjentë. Viheshin në torturë për të pranuar domosdo rekrutimin si bashkëpunëtorë. Tortura kryhej kryesisht nëpërmjet rrahjes e lëndimeve të mëdha fizike.
  • Të paraburgosurit në hetuesi. Kjo kategori personash torturohej nga hetuesit e hetuesisë. Këtyre u bëhej presion që të pranonin domosdo llojin e fajit për të tjerët si dhe për vete.

Duhet kujtuar këtu se në vitet 1944 – 1974, hetuesia ishte degë, pjesë e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit, ndërsa në vitet 1974 – 1983 ishte drejtori në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Deri në vitin 1983 hetuesit ishin ushtarakë e pas vitit 1983 ishin civilë.

Organeve të policisë. Kjo dhunë ushtrohej kryesisht nëpërmjet sistemit të burgjeve, por edhe nga vetë punonjësit e kësaj arme. Në sistemin e burgjeve tortura ushtrohej nëpërmjet këtyre formave:

 2. Organeve të policisë. Kjo dhunë ushtrohej kryesisht nëpërmjet sistemit të burgjeve, por edhe nga vetë punonjësit e kësaj arme. Në sistemin e burgjeve tortura    ushtrohej nëpërmjet këtyre formave:

  • Nëpërmjet kushteve të këqija të ushqimit, banimit e veshjes.
  • Nëpërmjet caktimit të punëve të rënda fizike në miniera, ndërtim e bonifikime.
  • Nëpërmjet masave disiplinore ekstreme për kushtet e dimrit apo të verës.

Brenda burgjeve, gardianët (policë) ishin ata të cilët torturonin të burgosurit për moszbatim rregullash të brendshme, moszbatim të normës, etj.

Ndërsa për sistemin e internimeve, punëtori i policisë mund të rrihte sa herë të donte të internuarit.

Tortura nëpërmjet ushqimit kishte miratimin e Byrosë Politike të Partisë së Punës të Shqipërisë. Kjo tregonte më së miri se asgjë nuk ishte e paqëllimshme e nuk bëhej pa plan. Në dhembjen e tyre, nuk kishte si të mos kishte pjesë Byroja Politike. Racioni i të burgosurve ishte pjesë e debatit dhe vendimmarrjes së Byrosë Politike. Edhe me një gjë kaq të panevojshme merrej organi më i lartë ekzekutiv i PPSH-së. Kjo sigurisht bëhej për shkak të luftës së klasave që duhej mbajtur kurdoherë në nivel të lartë. Mjafton të përmendet si shembull mbledhja e Byrosë Politike e datës 2 qershor 1952, në të cilën në pikën 5 u diktua “Mbi shtimin e racionit të ushqimit të burgosurve”.  U vendos që vendimi për ushqimin e të burgosurve të jetë në fuqi vetëm për bukën.

 

3. Hetuesia e përgjithshme

Pas vitit 1983, Hetuesia e Përgjithshme ishte organ në varësi të Kuvendit Popullor. Ajo kishte degë të në gjitha rrethet. Hetuesit, tashmë civilë ishin torturues e shpikës torturash. Përgjithësisht hetimet zhvilloheshin pranë degëve të punëve të brendshme ku ishin qelitë, por edhe brenda godinave të hetuesisë. Nuk përjashtohej mundësia e përdorimit dhe e vendeve të tjera.

 

4. Organizatave të masave

Organizatat e masave si Bashkimi i Rinisë së Punës së Shqipërisë, Fronti Demokratik, Bashkimet Profesionale, ushtronin torturë psikologjike të vazhdueshme mbi personat e pikëtuar prej tyre. Kjo torturë vazhdonte deri në pikën kur punën e vazhdonin organet e specializuara.

 

top