Zhduken 300 emigrantë nga Elbasani

Nisi dje në Selanik procesi gjyqësor, në ngarkim të ushtarëve grekë, që plagosën një të moshuar 2 vjet më parë 
“Qindra trupa janë tretur në tokën greke dhe sot u kanë mbetur vetëm kockat . Janë emigrantë fatkeqë të eleminuar nga policia dhe ushtria greke, vetëm e vetëm se kanë emrin shqiptar.

Politika ka qenë e tillë që gjërat të minimizohen, por faktet janë vërtetë tronditëse. Vetëm në rrethin e Elbasanit rezultojnë se janë rreth 300 emigrantë të zhdukur. Nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Dikush ka vdekur në mënyrë aksidentale, dikush tjetër nga kushtet atmosferike, por akoma më keq, shumica kanë mbyllur sytë në tokën helene, si rezultat i plumbave të marrë nga ushtria dhe policia greke”. Ky fakt tronditës pohohet nga drejtori i Qendrës Shqiptare të Reabilitimit të Traumës dhe Torturës, Adrian Kati. Kreu i këtij institucionit tregon se vijnë me dhjetra qytetarë, të cilët në kërkim të një fati më të mirë, janë keqtrajtuar sapo kanë shkelur në tokën e shtetit helen. Një fije shprese ka ngjalluar për dhjetra emigrantët shqiptarë që janë keqtrajtuar dhe dhunuar në mënyrë çnjerëzore nga policia greke, nisja e procesit të parë gjyqësor në Selanik, në ngarkim të disa ushtarëve grekë, që dy vjet më parë plagosën për vdekje një të moshuar shqiptar. Ferhat Ceka, 69 vjeç, nga Tirana është përballuar dje në Gjykatën e Selanikut në një seancë gjyqësore me njeriun që e qëlloi me armë, por vetëm fati e shpëtoi nga vdekja e sigurt. Në Greqi ai është shoqëruar nga mjeku i Qendrës Shqiptare të Reabilitimit të Traumës dhe Torturës, Izedin Çela. Raporti mjekoligjor, takimet me psikologët, foto pas ngjarjes dhe një mori dokumentash ndodhen në dosjen “Ceka”. Kjo është hera e parë që emigrantët shqiptarë marrin pjesë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në një seancë gjyqësore, me mbështetjen e organizmave të huaja. Në një intervistë eksluzive për gazetën “Ballkan”, drejtori i Qendrës Shqiptare të Reabilitimit të Traumës dhe të Torturës, Adrian Kati, tregon të gjithë peripecitë, që dalin pas ankimit të dhjetra emigrantëve në këtë qendër. 
Aktualisht po zhvillohet gjyqi në Selanik për Ferhat Cekën, i cili është plagosur rëndë dhe torturuar nga një ushtar grek. A keni pasur raste të tjera të denoncuara nga emigrantët për ushtrimin e dhunës dhe që janë trajtuar nga qendra juaj dhe organizmat e tjera evropiane? 
Përveç Ferhat Cekës, kemi pasur raste të tjera që janë mbajtur në vëzhgim dhe më pas diagnostikuar nga mjekët e qendrës, lidhur me traumën fizike dhe psikike. Ne, për të gjitha rastet e paraqitura, i jemi drejtuar organizmave të tjerë për të bërë publike faktet tronditëse. Traumat e emigrantëve kanë filluar që në vitet e para të demokracisë. Kemi dëgjuar shumë raste në rrugë gojore për humbjen e jetës së qindra emigrantëve. Pretendohet se janë dhjetra të vrarë dhe shumë prej tyre mbeten ende të paidentifikuar. Një pjesë e vdekjeve janë edhe aksidentale. Por, sipas shpjegimeve, gjithmonë gojore, mjaft prej viktimave janë shkaktuar nga policia dhe ushtria greke. Në Elbasan është krijuar një shoqatë në ndihmë të të zhdukurve dhe bëhet fjalë për rreth 300 emigrantë që kanë marrë rrugët për në Greqi para disa vitesh dhe familjet e tyre edhe sot e kësaj dite nuk kanë asnjë të dhënë. Keqtrajtime të tjera janë trajtuar nga punonjësit e zyrës sonë. Disa prej tyre kanë pasuar trauma të mëdha psikologjike, si rezultat i dhunës së ushtruar nga strukturat policore të shtetit helen. 
Përveç Organizatës Botërore të Luftës Kundër Dhunës dhe Torturës, a keni marrëdhënie me institucione të tjera që merren me ndjekjen ligjore të problemeve të lindura? 
Kemi marrëdhënie me Grupin e Helsinkit grek “Helsinki Monytor”, që drejtohet nga Panayotis Dimitras. Por, mund ta them me plot bindje se bashkëpunëtorja më aktive në bërjen publike dhe trajtimin e rasteve të emigrantëve të dhunuar, është Melani Anderson, që drejton “Amnesty International” në Londër. Ajo është një nga inciuset kryesore që mori të dhëna mbi keqtrajtimin e Ferhat Cekës dhe e bëri atë publike në institucionet ndërkombëtare. Kemi pasur kontakte me qendra të tilla në Kosovë dhe në Tetovë në mbrojtje të vlerave mbarëkombëtare.