Si i fshihte Sigurimi të vrarët pa gjyq që mbeteshin pa varr. Një rrëfim nga Themi Bare

Rrëfimi i Themi Bares: Si i fshihte Sigurimi të vrarët pa gjyq që mbeteshin pa varr


Flet Themi Bare, ish-sekretar i Këshillit Shkencor të Ministrisë.

“Me porosi të Enver Hoxhës, të dënuarve me vdekje u regjistroheshin fjalët e fundit pak çaste para ekzekutimit”

“Në të gjitha rastet operohej me urdhër sekret të ministrit”

Të vrarët pa gjyq, që mbetën pa varr, janë pjesa më makabre e historisë së Sigurimit famëkeq të regjimit komunist. As një rresht, asnjë fjalë nuk ka për ta në dokumentet e arkivave sekrete. Faktin tronditës e sjell në vëmendjen e opinionit njëri nga funksionarët e lartë të ish-Ministrisë së Brendshme, në formën e denoncimit për një masakër ende të pazbardhur me dhjetëra e qindra viktima të pafajshme. Themi Bare, autori i librit “Historia e armës së Sigurimit të Shtetit”, duke iu referuar këtij kapitull të zi, siç e quan ai, dëshmon se pjesa më e madhe e të zhdukurve pa gjurmë nga Policia Sekrete ishin kundërshtarë politikë dhe të tjerë që nuk pranonin të bëheshin bashkëpunëtorë të saj. Sakaq, ish-zyrtari i Sigurimit pohon se rastet e të dënuarve që ekzekutoheshin fshehurazi dhe atyre që vdisnin në qeli nga torturat e autoriteteve policore, trajtoheshin me  shpërfillje

 

A njihej Enveri me të gjitha materialet e prodhuara nga sektori i studimeve i Ministrisë së Brendshme?
Në përgjithësi materialet e përpunuara nga sektori ynë adresoheshin te Enveri. Shpesh në formën e përmbledhjes, apo relacionit, por kishte raste, kuptohet, sipas specifikës së problemeve, kur merrte të gjithë dokumentin studimor e përgjithësues.


Njiheshit ju me vlerësimet e tij për produktin?
Konsideratat e Enverit për materialet studimore të Ministrisë së Brendshme, në pjesën më të madhe shkonin deri te ministri. Te ne dhe pjesa tjetër e bashkëpunëtorëve të sektorit, kryesisht historianë e oficerë të lartë të Sigurimit, vinin vetëm vërejtjet e kritikat, që më së shumti kishin të bënin me objektin e temës studimore dhe jo me punën tonë përgjithësuese mbi praktikat e organeve të Sigurimit të Shtetit.


Çfarë u ka mbetur në kujtesë nga vërejtjet e Enverit?
Të tilla ka shumë, por më e veçanta ndër to ka qenë kritika standarde pas eliminimit të grupeve armiqësore. Në të gjitha rastet, sa mbyllej procesi ndaj tyre, Enveri u kthehej krerëve të Sigurimit, me një zhargon agresiv, duke i penalizuar jo vetëm për inaktivitet, por edhe si bashkëfajtorë. Ky ritual i çuditshëm, për shumë vite u bë makthi torturues i kupolës së Ministrisë.
Ndonjë rast konkret…


Ndër më tipiket janë ngjarjet e viteve ’70, që nisën me furtunën  ndaj grupit armiqësor në kulturë, të njohur ndryshe si grupi i Fadil Paçramit e Todi Lubonjës. Më një shpejtësi të paparë u bë hetimi, gjykimi dhe dënimi i tyre. Menjëherë pas kësaj, Enveri kërkoi një analizë të thellë nga Ministria e Brendshme, për të identifikuar përgjegjësitë e organeve tona lidhur me këtë veprimtari armiqësore. Të njëjtën gjë kërkoi më vonë në rastin e    dënimit të puçistëve të Ushtrisë dhe grupit të sabotatorëve të ekonomisë. U ulëm si grup pune e përgatitëm analizat në përgjigje të porosisë së tij, duke hedhur dritë në veçoritë e çdo rasti dhe pasojat e tyre, sipas optikës së kohës. Kur  prisnim fjalën e mirë për to, ja befën rrufetë e Enverit: Pallavra! Fjalë në erë! Asgjë për paaftësinë e Sigurimit!…


Me një fjalë, Enveri e vlerësonte të padobishme?
Reagimi i Enverit ishte befasues dhe i çuditshëm. Në pamje të parë dukej sikur shigjetonte materialet e servirura nga analizat e Ministrisë, por në fakt objektivin e kishte te krerët e saj. Për të, asnjë nga grupet armiqësore në kulturë, në Ushtri e ekonomi, nuk ishte zbuluar nga organet e Sigurimit, por nga udhëheqja e Partisë. Drejtuesit e këtij të fundit, sipas Enverit, kishin lënë pa gjurmuar krerët e grupeve armiqësore. Pra, Beqir Ballukun, Hito Çakon, Petrit Dumen, Kiço Ngjelën, Fadil Paçramin, Todi Lubonjën etj. Për pasojë nuk ishte sinjalizuar Partia për aktivitetin e tyre agjenturor. E parë në plan të përgjithshëm, çështja ishte parimore, por në fakt nuk ishte e tillë. Nuk ishte e tillë, pasi organet e Sigurimit nuk mund të gjurmonin e ndiqnin krerët e këtyre grupeve për shkak të statusit të tyre politik, si anëtarë e kandidatë të Byrosë Politike, çka e përjashtonte në mënyrë kategorike platforma e Sigurimit të Shtetit, që ishte si të thuash “Kushtetuta” e shërbimit të fshehtë. Enveri e dinte fare mirë që pa firmën e tij nuk merrej askush prej tyre në vëzhgimin e organeve të Sigurimit, por me sa duket ia donte situata për të penalizuar të tjerët. Në atë periudhë ishte absolutisht e pamundur të viheshin në përgjim drejtuesit e lartë të Partisë, anëtarët e Byrosë Politike, anëtarët e KQ, liderët lokalë, madje edhe komunistët e thjeshtë…


Cili ishte reagimi i krerëve të Sigurimit përballë kritikave të Enverit?
Ku të linte Enveri të arsyetoje diçka të kundërt me bindjen e tij. Ai nuk pyeste për të marrë përgjigje, por artikulonte akuzën që nuk duhej vënë në diskutim në asnjë rrethanë. Më kujtohet  rasti i Beqir Ballukut. Enveri, në gjendje të tronditur, thirri Kadri Hazbiun dhe filloi ta bombardojë: “Pse nuk e ke ndjekur ti armikun Beqir Balluku? Pse nuk e kanë vëzhguar organet e Sigurimit kur thurte plane për përmbysjen e pushtetit?” I gjendur ngushtë, Kadri Hazbiu ngrinte supet pa ditur nga ta fillonte. Eprori i tij kishte humbur çdo lloj arsye dhe kërkonte diçka krejtësisht paradoksale. Si mund ta gjurmonte Sigurimi një ministër, anëtar të Byrosë Politike. Si mund të dyshonte shërbimi i fshehtë në besnikërinë e njërit prej anëtarëve të kabinetit qeveritar? Me çfarë tagri mund ta penalizonte ai njërin nga bashkëpunëtorët e afërt të Enverit? Me sa më kujtohet, Kadri Hazbiu nga kjo përballje e mesit të viteve ’70 u ndëshkua me vërejtje të rëndë. Po Enveri nuk do t’ia harronte, madje në proceset pas vetëvrasjes së Mehmet Sheut, do t’i kthehej prapë kësaj historie. Këtë radhë më i pamëshirshëm dhe brutal…


Si merreshin në akuzë drejtuesit e lartë kur shërbimi i fshehtë nuk kishte asnjë të dhënë për veprimtarinë e tyre armiqësore?
Arrestimi i të ashtuquajturve grupe armiqësore në kulturë, në Ushtri e në ekonomi, ishte i papritur për shërbimin e Sigurimit, aq sa ishte i tillë edhe për opinionin publik. Kryqëzimi i tyre u bë drejtpërdrejt nga udhëheqja e Partisë. Për të tilla gjëra bëhej ç’thoshte Byroja Politike dhe Enver Hoxha, jo ç’thoshte Sigurimi. Çështja hapej si e tillë nga kupola politike, me iniciativën e Njëshit, shqyrtohej prej saj dhe përfundonte në duart e prokurorëve që përthyenin në aktakuzë (pseudo)argumentin e Enverit.


Thonë se Enveri ka pasur një tjetër strukturë Sigurimi, krahas asaj të Ministrisë së Brendshme. Mos ndoshta e bënte penalizmin e bashkëpunëtorëve me informatat e fshehta të saj?
Është folur shpesh për një strukturë të kësaj natyre me agjentë të fshehtë që shërbenin vetëm për Enver Hoxhën, por deri tani ka mbetur në kuadër të hipotezave. Unë kam qenë zyrtar e nuk mund të flas me hipoteza. E tërë praktika e punës së sektorit të studimeve në Ministrinë e Brendshme, ku shërbeva disa dekada, fund e krye u referohej arkivave zyrtare të organeve të Sigurimit. Së paku në to, në asnjë rast nuk kemi gjetur gjurmë të ndonjë strukture paralele. Megjithatë, nga mënyra si operonte,  të krijonte përshtypjen se Enveri veç rrjetit sekret, kishte edhe burime të tjera…


Në arkiva ka dokumente që konfirmojnë se ka pasur të ekzekutuar pa vendime gjyqësore. U ka qëlluar t’i lexoni ato?
Jo vetëm i kam lexuar, por edhe i kam botuar…


Ku i keni botuar?
Në materialet studimore e përgjithësuese që bënim herë pas here me orientim të krerëve të Ministrisë së Brendshme.


Cili ishte reagimi i këtyre të fundit kur njiheshin me precedentë të kësaj natyre, që edhe sipas legjislacionit të kohës ishin të jashtëligjshëm?
Qëndrimi i eprorëve ndaj këtyre konstatimeve ka qenë i ndryshëm për raste të ndryshme. Përgjithësisht vlerësoheshin si shkelje, por mënyra si shqyrtoheshin shpesh mbetej sipërfaqësore. Pra, fakti që kishte të dënuar që ekzekutoheshin pa gjyq dhe të arrestuar që vdisnin në qeli nga torturat e autoriteteve, ishte i njohur jo vetëm nga krerët e Sigurimit, por edhe nga udhëheqësit e Partisë.


Ka pasur një procedurë që detyronte autoritetet e Sigurimit të regjistronin fjalët e fundit të të dënuarve para ekzekutimit? Besoj se gjatë punës në arkiva jeni njohur me përmbajtjen e tyre…
Një pjesë i kam lexuar. Janë vërtet tronditëse. Ka ndër to, ligjërime të pakuptimta. Ka thirrje për drejtësi. Ka sakaq artikulime të çuditshme të tipit “Të rrojë Partia!” “Jetë të gjatë shokut Enver!” Në pjesën më të madhe regjistruesit e tyre janë treguar korrektë, duke hedhur në letër ekzaktësisht edhe psherëtimën e fundit, po jo në të gjitha rastet. Madje në shumë nga dosjet përkatëse ky fashikull mungon. Mungon se është grisur në rrethana të panjohura. Ndërkaq mungon se është shkelur procedura e detyrueshme për të shënuar reagimet e fundit të të ekzekutuarve. Pra, nuk zbatohej ligji, vendimi zyrtar. Asokohe pëshpëritej nën zë se një procedurë e tillë ishte vendosur me porosi të Enverit.


Pra, organet që operonin në emër të ligjit shkelnin ligjin…
Pikërisht këtu qëndron thelbi i dramës, pjesa e errët e njerëzve që operonin fshehtas në emër të ligjit. Kishte një urdhër, një vendim për të shënuar fjalët e fundit të të ekzekutuarve, por ata që i detyronte ligji për ta zbatuar, mund ta bënin si të donin, madje mund t’i regjistronin edhe fiktivisht fjalët e atyre që pushkatonin. Sidoqoftë, kjo është më pak e dhimbshme nga shkelja tjetër për të skicuar vendvarrimin e tyre. Njerëzit që   përmbyllnin këtë procedurë, në shumë raste janë treguar neglizhentë në dokumentimin e rajonit ku janë groposur eshtrat e të ekzekutuarve. Kjo ka sjellë pasoja dramatike, jo vetëm për familjarët, që kërkojnë një vend për të vendosur lule në nderim të tyre, por edhe për të njohurit e bashkëvuajtësit. Ende sot, janë me dhjetëra të ekzekutuar që nuk dihet ku prehen.


Mbani mend ndonjë praktikë të tillë, të cilën e keni studiuar me imtësi?
Puna ime studimore kishte për objekt përgjithësimin e dukurive e të praktikave. Dokumentoja si zbatohej ligji, nxirrja si shkelej procedura. Nga sistemimi i këtij informacioni të bollshëm, procedonim me përfundime nëpërmjet të cilave tërhiqnim vëmendjen për përmirësimin e punës në perspektivë. Ishte një punë voluminoze, por edhe delikate, me shumë stres…
Çfarë e bënte të tillë?
Të raportoje atëherë për praktikat antiligjore të Sigurimit, te krerët e shërbimit, që në fund të fundit kishin ardhur aty edhe si produkt i këtyre marrëzive, ishte vërtet diçka e vështirë.
Se në përgjithësi ligji shkelej hapur, gati në të gjithë gamën e detyrave të shërbimit të fshehtë. Arriti një periudhë ku ai shpërfillej hapur e punohej jo siç thoshte ligji, por siç thoshte Enveri.


Kohët e fundit, në shtypin e përditshëm janë publikuar fakte që denoncojnë rastet e spekulimit me kufomat e të ekzekutuarve. Cila është e vërteta? Ju vetë keni konstatuar raste të tilla, kur punonit në arkivat e Sigurimit të Shtetit?
Në dokumentet arkivore, së paku në ato që unë kam shfletuar, nuk ka gjurmë për të tilla shkelje. Gjithsesi, aty këtu janë konstatuar raste të veçanta, por që nuk mund të quhen abuzime, pasi çdonjëra syresh është shoqëruar me një procedurë zyrtare. Rastet e kadavrave me trupat dhe gjymtyrët e të ekzekutuarve, ka qenë një praktikë e fshehtë, që shpesh ligjërohej me urdhër apo porosi të veçantë të ministrit të Brendshëm. Më kujtohet njëra ndër to, ajo që pasqyrohet në dosjen e Tom Ndojës e Sokol Sokolit, dy të dënuarve me vdekje për revoltën në burgun e Qafë-Barit. Në shkresën fundore të Ministrisë së Brendshme, Hekuran Isai porosit autoritetet e Shkodrës që dy të ekzekutuarve t’u marrin sytë për nevoja të institucioneve shëndetësore(!). Është folur ndërkaq se të dënuarve me vdekje u kanë marrë edhe organe të tjera, por këto nuk na jepeshin. Kjo mendoj se mbetet për t’u investiguar jo vetëm në dokumente, por edhe nëpërmjet kontakteve me dëshmitarët, ekzekutorët dhe ish-punonjësit e Sigurimit që operonin në këtë sektor…


“Enver Hoxha i kaloi në ‘Gijotinë’ të gjithë ministrat e Brendshëm”
Si u shpallën tradhtarë Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu e Feçor Shehu
Historia e tragjedisë së tyre filloi me Koçi Xoxen dhe u mbyll me Feçor Shehun. Të gjithë në plumb, me akuza të njëjta: Agjent të agjentura të huaja! Kështu ndodhi me ta: I bashkoi detyra në krye të Ministrisë së Brendshme, dikasterit me lloj-lloj legjendash të frikshme e hamendje të pafundme, por edhe fati i njëjtë. Fati pa fat!, artikulon Themi Bare, ish-eksponenti i lartë i Sigurimit të Shtetit, që ka pasur rastin të punojë me çdo njërin syresh. Në librin për historinë e armës së Sigurimit, ai përshkruan portretet e tyre, duke hedhur dritë mbi kontributet, karakteret, veçoritë, profilet, pozicionet politike, vlerësimet, kritikat, e deri te simpatitë personale për çdonjërin. Asokohe s’mund të zgjatesha më tej, shton Bare, duke kujtuar rrethanat kur ka shkruar historikun e shërbimit të fshehtë. Duke iu kthyer historisë së tyre në kushte të tjera, ish-sekretari i Këshillit Shkencor, vëren se disa syresh spikatën për pabesi ndaj njëri-tjetrit, të tjerë u shquan si inatçorë e intrigantë, servila dhe karrieristë, por pati ndër ta njerëz me karakter të fortë, që   spikatën për cilësi të virtytshme, bindje ndaj ligjit dhe ndjeshmëri ndaj problemeve të qytetarëve. Pavarësisht këtyre, të gjithë shkuan para skuadrës së ekzekutimit, me të njëjtin “mëkat” se nuk i kishin shërbyer atdheut të tyre, por agjenturave të huaja(!) Çuditërisht, përmbyll Bare kapitullin e ish-eprorëve të tij, deri tani nuk ka dalë asnjë dokument autentik që e vërteton akuzën e kreut të regjimit.

Po sikur Dosjet

top