Si u dënuan Kiço Ngjela dhe Vasil Kati në gjyqin e vitit 1977

User Rating: 0 / 5

Star InactiveStar InactiveStar InactiveStar InactiveStar Inactive
 

Si u dënuan Kiço Ngjela dhe Vasil Kati në gjyqin e vitit 1977

Dt: 26.12.2012

 
 

Arsyetimi i gjykatës për profilin armiqësor të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës dhe Vasil Katit.

“Këllezi e Theodhosi, elementë reaksionarë të futur kontrabandë në Parti”

“Ngjela e Kati kanë bërë tregti me vendet borgjeze”

Ka pasur apo jo një grup të strukturuar opozitar për politikën ekonomike të regjimit komunist? Në vijim të debatit të shkaktuar nga refleksionet e Spartak Ngjelës në librin “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, duke filluar nga numri i sotëm, po botojmë dokumentin e procesit gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për dënimin e pjesëtarëve të grupit “armik e antiparti të sabotatorëve në ekonomi”, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, ish-funksionarë të lartë që operonin në fushën e ekonomisë. Procesi ndaj tyre, i zhvilluar me dyer të mbyllura nga data 3 deri më 17 maj 1977, ka qenë nga më të bujshmit për kohën, jo vetëm për profilin e lartë të protagonistëve, por edhe përmbajtjen e akuzës. Nga problematika e konsumuar aty bie në sy kryqëzimi i të pandehurve për qasje e ide borgjeze, që synonin zhvillimin kapitalist të ekonomisë dhe krijimin e kushteve për një treg të lirë.

“‘Grupi armik e antiparti i sabotatorëve në ekonomi’, i kryesuar nga Abdyl Këllezi dhe me bashkëpunëtorë Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën e Vasil Katin, ka qenë pjesë integrale e komplotit të gjeneralëve puçistë dhe platformës së tyre për përmbysjen e pushtetit popullor.” Legjenda e procesit ndaj katër funksionarëve të lartë të regjimit ,që kishin pasur në dorë fatet e zhvillimit ekonomik të vendit, kulmonte në këtë qasje absurde, me qëllimin e vetëm për të rënduar pozitën e tyre, duke huazuar alibinë djallëzore të diktatorit, konsumuar më herët në forumet e larta të Partisë. Mënyra si ka rrjedhur procesi, së paku aq sa duket nga dokumenti i zbardhur i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i ngjan një ballafaqimi dypalësh, ku njëra syresh dikton faje e përgjegjësi penale dhe tjetra përgjigjet për t’i shpëtuar me sa të mundet ndëshkimit fatal. Pjesa e procesverbalit që botojmë sot përmban  formalitetet zyrtare të procesit, emrat e pjesëtarëve të trupit gjykues dhe arsyetimin e Gjykatës për profilin armiqësor të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës dhe Vasil Katit, si pjesëtarë të “grupit armik e antiparti të sabotatorëve në ekonomi, që me veprimet dhe mosveprimet e tyre i kanë shkaktuar një dëm shumë të rëndësishëm vendit, si në fushën politike e ideologjike, ashtu edhe në atë të mbrojtjes e të ekonomisë socialiste…”
DOKUMENTI
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, i përbërë nga Aranit Çela kryetar, Ali Zanko, Preng Pepa, Halil Sinani dhe Arqile Lole anëtarë, me   pjesëmarrjen e sekretarëve Ylli Mahmuda dhe Sadik Memo, si dhe prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino, në seancat gjyqësore të zhvilluara me dyer të mbyllura, prej datës 3 deri më 17 maj 1977, gjykoi në Shkallë të Parë çështjen penale që u përket të pandehurve Abdyl Këllezi, Koço Theothosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati.
Të pandehurit, në mënyrë të organizuar e sistematike, për një kohë të gjatë kanë zhvilluar veprimtari armiqësore kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe forcës së vetme udhëheqëse të saj, Partisë së Punës të Shqipërisë. Ata i janë kundërvënë vijës së përgjithshme të Partisë dhe të shtetit tonë socialist. Për një kohë të gjatë, me forma të ndryshme, duke shfrytëzuar postet e larta shtetërore, kanë sabotuar zbatimin e direktivave dhe orientimeve të Partisë, të vendimeve të Qeverisë për forcimin dhe zhvillimin e ekonomisë popullore dhe rendit juridik socialist. Në kundërshtim me parimin e ndërtimit tonë shtetëror – centralizimin demokratik – janë për-pjekur të fusin në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe të organizimit shtetëror decentralizimin vetadministrues borgjezo-revizionist. Të pandehurit gjithashtu kanë zhvilluar veprimtari armiqësore në fushën e planifikimit socialist, duke sabotuar në metodologjinë e planifikimit, dhe veçanërisht në hartimin e planeve dhe në forcimin e disiplinës në këtë drejtim. Gjithashtu, dëme të rëndësishme ka shkaktuar veprimtaria armiqësore e të pandehurve në sektorin e naftës dhe të gazit. Dhe më së fundi, sektori shtetëror i tregtisë socialiste ka qenë gjithashtu një objektiv i rëndësishëm i veprimtarisë së këtij grupi armik e antiparti. Shkelja e parimeve marksiste-leniniste të politikës ekonomike të Partisë, dhe në veçanti sabotimi i politikës së RPS të Shqipërisë lidhur me vendet revizioniste, përbëjnë pikësynimin kryesor të të pandehurve në fushën e tregtisë së jashtme.
E gjithë kjo veprimtari armiqësore, e zhvilluar për një kohë të gjatë nga grupi armik e antiparti i sabotatorëve në organizimin shtetëror dhe të ekonomisë, është shoqëruar nga të gjithë të pandehurit me aktivitet të theksuar agjitacioni e propagande kundër politikës së Partisë dhe të shtetit tonë. Nëpërmjet gjithë kësaj veprimtarie armiqësore, të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati i kanë shkaktuar një dëm shumë të rëndësishëm Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, si në fushën politike e ideologjike, ashtu në atë të mbrojtjes dhe të ekonomisë socialiste.
GRUPI, PJESË E KOMPLOTIT TË BEQIR BALLUKUT
Kundërvënia ndaj vijës së përgjithshme të Partisë e të shtetit tonë socialist ka qenë drejtimi kryesor i veprimtarisë sabotuese të grupit armik e antiparti të kryesuar nga Abdyl Këllezi. Me mënyra dhe forma të ndryshme, të pandehurit kanë bërë çdo gjë për të mos lejuar zbatimin në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe në përgjithësi të veprimtarisë shtetërore të orientimeve dhe direktivave të KQ të Partisë. Duke shfrytëzuar postet e larta shtetërore që mbanin, ata kanë goditur rëndë veprimtarinë e organizatave të Partisë në sektorët që drejtonin, si edhe janë përpjekur të mënjanojnë KQ të Partisë dhe Qeverinë nga drejtimi i ekonomisë dhe i organizimit shtetëror dhe të pengonin njohjen prej tyre të gjendjes reale në këto drejtime.
Gjykata konstaton se veprimtaria e grupit armik e antiparti i sabotatorëve, kryesuar nga Abdyl Këllezi dhe me bashkëpunëtorë kryesorë Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën e Vasil Katin, është e lidhur ngushtë, e organizuar dhe e bashkërenduar me gjithë veprimtarinë armiqësore të zhvilluar në vendin tonë gjatë viteve të fundit dhe, në veçanti, me veprimtarinë armiqësore të zhvilluar në Ushtri nga grupi armik e antiparti, i kryesuar nga Beqir Balluku, dhe me atë të zhvilluar në fushën e arteve e të kulturës, të kryesuar nga Fadil Paçrami etj. Gjithashtu, Gjykata arrin në përfundimin se të pandehurit Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi kanë qenë në fakt frymëzuesit dhe drejtuesit e grupit armik dhe antiparti të kryesuar nga armiqtë Pirro Gusho dhe Filip Nashi, se ata praktikisht, prej fillimit deri në fund, kanë udhëhequr të gjithë punën sabotuse në sektorin e naftës. Veprimtaria e grupit armik dhe antiparti, kryesuar nga Abdyl Këllezi, përfaqëson në vetvete një pjesë shumë të rëdësishme të të gjithë veprimtarisë që kanë zhvilluar gjatë kësaj periudhe armiqtë e brendshëm të Partisë, të shtetit socialist dhe të popullit shqiptar, ajo është një pjesë e komplotit të madh të kurdisur kundër RPS të Shqipërisë dhe Partisë së Punës së Shqipërisë. Këto konstatime të Gjykatës bazohen në të gjitha provat e panumërta të administruara gjatë zhvillimit të gjykimit si dhe në vetë pohimet e të pandehurve Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati dhe të dënuarve Beqir Balluku, Fadil Paçrami e Filip Nashi.
Gjykata arrin në konkluzionin se sabotatorët Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati janë armiq të vjetër të Partisë dhe shtetit socialist; e kaluara e largët dhe e afërt e tyre përbën në vetvete një unitet mendimi dhe veprimi kundër Partisë dhe shtetit të diktaturës së proletariatit, kundër interesave të popullit shqiptar.
ABDYL KËLLEZI, KREU I GRUPIT, BORGJEZ I HERSHËM
I pandehuri Abdyl Këllezi, qysh në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare, sidomos gjatë gjithë kohës së pasçlirimit të vendit, çdo qëndrim dhe aktivitet të tij e ka lidhur me interesat e klasave shfrytëzuese, prej të cilave rridhte dhe ai vetë, me perspektivën e zhvillimit të personalitetit të tij krejtësisht borgjez dhe armik ndaj interesave të atdheu, popullit e Partisë. “Unë qenien në Parti dhe marrjen pjesë në lufte e lidhja me dëshirat për të bërë karrierë e për të zënë poste drejtuese të larta në Parti e shtet”, deponoi në hetuesi dhe para gjyqit i pandehuri Abdyl Këllezi. Gjithashtu, para fakteve të shumta, ai detyrohet të pohojë: “Jam një armik i Partisë me rezerva të vjetra, të lashta ndaj vijës së përgjithshme të saj”. Pikërisht  në përmbajtjen e këtyre deponimeve e gjejnë shpjegimin të gjitha ato qëndrime prej armiku, e gjithë ajo veprimtari e gjerë dhe e vazhdueshme armiqësore e të pandehurit Abdyl Këllezi gjatë më tepër se 30 vjetëve të fundit. I arrestuar në burgun civil të Tiranës, në procesverbalin e mbajtur nga autoritetet fashiste të burgut, Abdyl Këllezi, duke mbajtur një qëndrim pro këtij okupacioni, pohon se “duke parë që trupat italiane ikën nga Tirana në drejtim të kufirit, nuk  mendova më keq për italianët që sigurisht me kohë do ta bëjnë Shqipërinë më të madhe…”. Nga ana tjetër, duke shtrembëruar realitetin historik (pritjen me armë që populli ynë i bëri okupatorëve fashistë italianë) më poshtë ai shpif se gjoja “as në Itali, as në Shqipëri nuk kam dëgjuar kurrë të flitet për atentate ose demonstrata kundër personaliteteve të shtetit italian dhe shqiptar. Në vitet e para të pasçlirimit, i pandehuri Abdyl Këllezi bashkohet me armiqtë e Partisë dhe të popullit Abedin Shehun, Isuf Keçin, Tuk Jakovën etj., ai së bashku me këta shfaqet kundër politikës së Partisë dhe shtetit tonë, kundër ndërtimit të socializmit. Lidhur me këtë veprimtari armiqësore, i pandehuri Abdyl Këllezi, gjatë zhvillimit të gjyqit, pohoi: “Unë kam qenë në të njëjtat ujëra me Tuk Jakovën kundër udhëheqjes së Partisë… kam pranuar të bisedoj me Abedin Shehun, Isuf Keçin etj. kundër vijës, politikës dhe udhëheqjes së Partisë, nuk kam qenë dakord me qëndrimin që mbajti Partia kundër tyre…kam qenë pjesëtar i grupit antiparti të Abedin Shehut, unë i kam mbrojtur ata”. Po ashtu, më vonë, i pandehuri Abdyl Këllezi bën kauzë të për-bashkët me revizionistët modernë sovjetikë dhe jugosllavë, politikën dhe ideologjinë e të cilëve e vë në bazë të veprimtarisë të tij armiqësore kundër Partisë së Punës të Shqipërisë, shtetit të diktaturës së proletariatit dhe popullit shqiptar. “Në platformën e punës sime, -deponoi në Hetuesi dhe para gjyqit i pandehuri Abdyl Këllezi, -u fut vija revizioniste e Kongresit XX. Unë mora nga vija revizioniste e Kongresit XX goditjen e bastioneve kryesore, pa të cilët as që bëhet fjalë për shtet socialist”. Sikurse rezultoi nga hetimi dhe gjykimi i çështjes, pikërisht mbi bazën e vijës borgjezo-revizioniste dhe të armiqësisë kundrejt Partisë së Punës të Shqipërisë dhe shtetit socialist krijon lidhjet e të pandehurit Abdyl Këllezi me armiqtë Beqir Balluku, Fadil Paçrami, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati etj.
KOÇO THEODHOSI, OPOZITAR I PARTISË QË GJATË LUFTËS
Nga hetimi dhe gjykimi i çështjes, rezultoi se i pandehuri Koço Theodhosi ka qenë gjithashtu një element borgjez i futur kontrabandë në radhët e Partisë dhe në luftën për çlirimin e atdheut e ndërtimin e socializmit. “Unë kam hyrë kontrabandë në Parti, për të fituar njëfarë posti, por kam pasur pikëpamje kundër vijës së Partisë”, deklaroi para gjyqit i pandehuri Koço Theodhosi. Qysh në kohën e luftës, i pandehuri Koço Theodhosi jo vetëm që ishte kundër programit të Partisë, por zhvillon me elementë antiparti dhe armiq, si Sejfulla Malëshova e Manol Konomi biseda me përmbajtje kundër vijës së Partisë dhe interesave të Luftës Nacionalçlirimtare.
Mbas çlirimit të vendit, i pandehuri Koço Theodhosi vazhdon të jetë në opozicion me politikën e Partisë dhe interesat e popullit, ai nuk pajtohet me masat e pushtetit popullor kundër ish-klasave shfrytëzuese dhe armiqve të popullit, krijon lidhje armiqësore me elementë antiparti, si Abedin Shehu etj.
Në vitet e mëvonshme, i pandehuri Koço Theodhosi, duke vënë në bazë të veprimtarisë së tij tezat themelore të revizionistëve jugosllavë e sovjetikë, krijon lidhje armiqësore me elementë të ndryshëm armiq dhe antiparti, siç janë Maqo Çomua, Ramadan Xhangolli, Fadil Paçrami, Abdyl Këllezi, Kiço Ngjela, Vasil Kati etj. “Nga fundi i vitit 1960, -pohon i pandehuri Koço Theodhosi, -më ka ardhë në zyrë Maqo Çomua dhe më tha se si ne mund të prishim marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, kur ne kemi nevojë të domosdoshme për ndihmën e tij. Unë isha dakord me këto pikëpamje të Maqos”. Sikurse e pranoi vetë në Hetuesi dhe para gjyqit, i pandehuri Koço Theodhosi gjatë më tepër se 30 vjetëve ka qenë në opozicion me politikën e Partisë dhe të shtetit socialist dhe për një kohë jo të vogël ky opozicion është shoqëruar me një veprimtari të rrezikshme armiqësore. Para gjyqit, i pandehuri Koço Theodhosi, duke bërë sintezën e gjithë veprimtarisë së tij armiqësore, deponoi: “Unë kam qenë në kundërshtim me politikën e Partisë. Kjo platformë është vënë në veprim nga ana jonë”.
KIÇO NGJELA, I LIDHUR ME JUGOSLLAVËT
Gjykata konsiston se i pandehuri Kiço Ngjela, për një kohë të gjatë ka mbetur një njeri me rezerva të mëdha ndaj vijës politike të Partisë dhe të shtetit socialist. Veprimtaria armiqësore e të pandehurit Kiço Ngjela në vitet e fundit është e lidhur me qëndrimin antiparti të hershëm në favor të revizionistëve jugosllavë dhe të agjentit të tyre, Koçi Xoxe. Ky është një nga faktorët e përqafimit dhe nënshtrimit të tij ndaj politikës dhe ideologjisë borgjeze revizionisteve jugosllave dhe sovjetike dhe i krijimit të lidhjeve armiqësore me të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Vasil Kati etj.
VASIL KATI, BORGJEZ I REGJUR
Hetimi dhe gjykimi i çështjes vërtetuan plotësisht se i pandehuri Vasil Kati ka qenë vazhdimisht një element armik i Partisë dhe i socializmit, atë e kanë karakterizuar tiparet e një borgjezi e revizionisti të regjur. “Unë, -deponoi ai në Hetuesi dhe para gjykatës, -çdo gjë e kam matur me barometrin e vetvetes, bëja çmos që të mbaja postin, duke përdorur tërë format e mënyrat e servilizmit, konformizmit, arrogancës, të komprometimit reciprok, të lëshimeve, të mbytjes së kritikës etj. Qysh gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, -vazhdon ai, -kam qenë i djathtë dhe i korenteve social-demokrate në këtë drejtim. Edhe mbas çlirimit, në ndërtimin socialist të vendit kam pasur pikëpamje të tilla djathtiste…”. Provat e ndodhura në dosje në konfirmim të deponimeve të të pandehurit vërtetojnë se Vasil Kati vazhdimisht, në një mënyrë apo në një tjetër, me veprime apo në heshtje, ka qenë përkrahës i elementit armik dhe antiparti, duke filluar nga ata që u preken nga reformat e pushtetit popullor vitet e para të çlirimit, dhe deri tek armiku Bedri Spahiu, Vehip Demi etj. Mbi bazën e përkrahjes së plotë të politikës dhe ideologjisë borgjeze të revizionistëve sovjetikë e jugosllavë, i pandehuri Vasil Kati krijoi lidhjet armiqësore me Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën etj.

Burimi: http://www.panorama.com.al/2012/12/25/si-u-denuan-kico-ngjela-dhe-vasil-kati-ne-gjyqin-e-vitit-1977/#ixzz2G9SOfjoo