Këllezi e Vasil Kati në gjyq: Kemi kërkuar marrëdhënie me SHBA

User Rating: 0 / 5

Star InactiveStar InactiveStar InactiveStar InactiveStar Inactive
 

Procesi gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, maj ’77

Abdyl Këllezi në gjyq: Unë kam qenë për kursin kapitalist.

Pohimi i Koço Theodhosit: Nuk e kam miratuar kurrë dënimin e Liri Belishovës dhe Maqo Çomos.

Të pandehurit pranuan se kishin përkrahur Tuk Jakovën.

Vasil Kati: Kërkoja marrëdhënie me SHBA.

 

Procesi gjyqësor për dënimin e pjesëtarëve të grupit “armik e antiparti të sabotatorëve në ekonomi”, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, ish-funksionarë të lartë që operonin në fushën e ekonomisë, i zhvilluar me dyer të mbyllura nga data 3 deri më 17 maj 1977, ka qenë nga më të bujshmit për kohën, jo vetëm për staturën e lartë të protagonistëve, por edhe përmbajtjen e akuzës. Në numrin e kaluar publikuam pjesën e dokumentit me formalitetet zyrtare të procesit, emrat e pjesëtarëve të trupit gjykues dhe arsyetimin e gjykatës për profilin armiqësor të çdonjërit prej të pandehurve, të cilët “me veprimet dhe mosveprimet e tyre i kanë shkaktuar një dëm shumë të rëndësishëm vendit në fushën politike, ideologjike, ekonomike dhe atë të mbrojtjes”. Fragmenti në vijim zbulon aspektin politik të akuzës ndaj katër ish-liderëve të regjimit që kishin pasur në dorë fatet e zhvillimit ekonomik të vendit. “Partia u besoi drejtimin e ekonomisë dhe ata e sabotuan duke e futur në kursin borgjezo-revizionist”, konkludon trupi gjykues, me pretendimin se ka vërtetuar platformën e tyre antiparti dhe veprimtarinë e përbashkët me grupin e Beqir Ballukut për përmbysjen e pushtetit popullor. Sakaq, një numër jo i vogël dëshmitarësh të përpunuar në zyrat e sigurimit sjellin “prova” të tjera për dimensionin armiqësor të të pandehurve si ithtarë të Kongresit XX të PK të BS dhe të Hrushovit, si kundërshtarë të vijës së masave e të luftës së klasave, por edhe si komplotistë të fshehur të diktaturës së proletariatit…

 

abdyl-kellezi
Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati i janë nënshtruar në kanale të ndryshme dhe forma të shumta një përpunimi ideologjik dhe politik nga revizionistët e të gjitha ngjyrave dhe veçanërisht nga ata sovjetikë e jugosllavë dhe, duke zbatuar politikën dhe ideologjinë antimarksiste të të gjithë këtyre, kanë sulmuar Partinë dhe shtetin tonë socialist. Gjykata arrin në përfundim se të pandehurit Abdyl Këllezi, 

Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati janë në fakt agjentë të  revizionistëve modernë.

PLATFORMA ANTIPARTI
Gjykata konstaton se për ta fshehur veprimtarinë armiqësore grupi armik dhe antiparti i kryesuar nga Abdyl Këllezi ka përdorur jo vetëm mundësitë që u jepte pozita që zinin në shtet dhe në Parti, autoriteti dhe kompetencat që kishin, por edhe shumë forma të ndryshme nga më të djallëzuarat. Mashtrimi, gënjeshtra, kamuflimi, demagogjia dhe hipokrizia përbëjnë një nga tiparet kryesore për çdo të pandehur të këtij grupi armiqësor. Shfrytëzimi për keq i direktivave, vendimeve marksiste-leniniste të kongreseve të Partisë, të plenumeve të KQ dhe të Byrosë Politike, ka qenë metodë pune kryesore e gjithë të pandehurve për të

arritur pikësynimet e tyre armiqësore.

Abdyl këllezi (në qendër)

Siç rezultoi gjatë zhvillimit të hetimit e gjykimit, të pandehurit nën parullën e zbatimit të orientimeve dhe vendimeve të Partisë, i shtrembëronin ato, nuk i zbatonin ose futnin vijën e tyre armiqësore borgjeze-revizioniste…

Hetimi dhe gjykimi i çështjes gjithashtu vërtetoi se i gjithë aktiviteti kriminal i grupit armik e antiparti të sabotatorëve në organizimin shtetëror dhe në ekonomi, i kryesuar nga Abdyl Këllezi, paraqet në vetvete një veprimtari të organizuar, e cila është zhvilluar në bazë të një platforme dhe plani të përcaktuar.
Në fushën politike, bazën e kësaj platforme e përbën kundërshtimi i plotë i politikës së Partisë, qoftë në fushën e brendshme apo ndërkombëtare; mbështetja e politikës së revizionistëve sovjetikë, jugosllavë dhe e të gjithë revizionistëve të tjerë kundër RPS të Shqipërisë, forcimi i gjithanshëm i lidhjeve me të gjitha vendet revizioniste.
Duke dhënë shpjegime rreth kësaj platforme, i pandehuri Abdyl Këllezi deponon se “Të gjitha faktet vërtetojnë plotësisht atë që unë me mënyra të ndërgjegjshme nuk kam qenë: për ndërtimin e socializmit e të komunizmit në Shqipëri. Unë kam qenë për të ecur në kursin revizionist, duke futur elemente dhe duke hapur rrugët për kalimin në revizionizëm e në restaurimin e kapitalizmit në Shqipëri”.

IDHTARË TË KONGRESIT XX TË BS                                                                                                                                                                                                       

Të pandehurit Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, duke mbështetur elementet esenciale të platformës politike të grupit, bëjnë deponime po të të njëjtit karakter. “Unë kam qenë dakord me tezat e Kongresit XX të PK të Bashkimit Sovjetik”, pohon i pandehuri Koço Theodhosi, pasi këto teza puqeshin me pikëpamjet e mia. “Nuk kam qenë dakord për dënimin që i bëri Partia Liri Belishovës e Maqo Çomos…”

Po kështu, duke deponuar rreth kësaj çështjeje, i pandehuri Kiço Ngjela pohon: “Unë kam qenë dakord me tezat e Kongresit XX të PK të BS”. “Si rezultat i pikëpamjeve tona, ne edhe mbas prishjes të marrëdhënieve me vendet revizioniste mbajtëm po ato forma, po atë sistem marrëdhëniesh që kishim edhe para prishjes me to”.
Më së fundi, edhe i pandehuri Vasil Kati, duke qenë në të njëjtin pozicion politik armiqësor, thekson se sipas pikëpamjes së tij “Kongresi XX i revizionistëve sovjetikë vuri themelet e botës së paqes, bashkekzistencës midis vendeve me sisteme të ndryshme shoqërore, kalimin në socializëm në rrugën paqësore, parlamentare”. “Unë kam qenë, -pohon ai, – për një rrugë kompromisi, për të mos acaruar marrëdhëniet me shtetet e tjera përfshi Bashkimin Sovjetik e Shtetin e Bashkuar të Amerikës.
Të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati janë armiqtë e marksizëm-leninizmit dhe të diktaturës së proletariatit. Platforma ideologjike e grupit të tyre konsiston në mohimin e diktaturës së proletariatit dhe, si rrjedhim, të rolit udhëheqës të klasës punëtore dhe të Partisë së saj, në mohimin e luftës së klasave, si dhe në papajtueshmërinë me të gjitha masat e rëndësishme me karakter ideologjik në luftën kundër burokratizmit dhe liberalizmit, si dy rreziqe kryesore të shtetit të diktaturës së proletariatit. Duke pranuar plotësisht këtë platformë ideologjike, që të gjithë të pandehurit kanë bërë para gjyqit deponime të hollësishme. “Tezat e Kongresit XX, pohoi para gjyqit i pandehuri Abdyl Këllezi, të cilat nuk përputheshin me marksizëm-leninizmin, puqeshin me idetë e mija. Nuk kam qenë dakord me luftën e klasave, si rrjedhim dënimin e Tuk Jakovës e kam quajtur të padrejtë; po kështu dhe të Abedin Shehut e Isuf Keçit….” Po kështu, i pandehuri Koço Theodhosi theksoi “Kam qenë me ideologjinë borgjeze, nuk kam qenë me parimin e luftës së klasave, nuk kam qenë dakord as me masat që mori Partia për shpronësimin e ish-klasave të përmbysura”. “Problemin e luftës  së klasave nuk e kam përkrahur, deponoi para gjyqit i pandehuri Kiço Ngjela, kam qenë kundër shtetit të diktaturës së proletariatit…” Vasil Kati pranon: “Mbas çlirimit nuk isha që t’u merrej gjithë pasuria personave të deklasuar, por t’u lihej një pjesë e pronës së tyre. Duke u nisur nga këto pikëpamje oportuniste, duke qenë dhe nënministër i Ekonomisë, ndihmova për futjen e disa tregtarëve e industrialistëve në rrjetin e ekonomisë popullore, dhe më vonë kam pasur pikëpamjen se edhe elementët nga ish-klasat e përmbysura ose me biografi jo të pastër mund të punojnë në organet shtetërore dhe se këta elementë riedukohen në rrugën paqësore”. Para gjyqit, ky i pandehur deponoi: “Unë kam qenë për një demokraci borgjeze dhe jo për diktaturën e proletariatit”.


KUNDËRSHTARË TË VIJËS SË MASAVE                                                                                                                                                                                              

Të pandehurit para gjyqit pranuan në mënyrë të hapur se kanë qenë unanimisht kundër masave me karakter të rëndësishëm ideologjik që mori Partia në luftën kundër burokratizmit dhe liberalizmit, për revolucionarizimin e mëtejshëm të aparatit shtetëror dhe të gjithë jetës së vendit, siç janë forcimi i zbatimit të vijës së masave, forcimi i kontrollit punëtor, zbatimi i parimit të qarkullimit të kuadrit etj. “Kemi qenë kundër vijës së masave, deponoi para gjyqit i pandehuri Abdyl Këllezi. Unë dhe tre të pandehurit e tjerë kemi bashkëpunuar për uljen e rolit të klasës punëtore; thoshim se nuk na kontrollon dot njeri. Ne ishim gjeneralë dhe nuk pranonim të na kontrollonte klasa punëtore”. “Unë, deponoi para gjyqit Koço Theodhosi, kam pasur mendimin se qarkullimi i kuadrit do të na prishë punë.” Po kështu deponoi edhe Kiço Ngjela dhe Vasil Kati. “Unë nuk kam qenë për zhvillimin e vijës së masave dhe kontrollit punëtor”, thotë Vasil Kati. Të pandehurit vijën e tyre antimarksiste janë munduar ta fusin edhe në organet e vartësisë. Kuptimplotë është fakti që konfirmohet  në raportin e inspektimit të shtetit “Mbi veprimtarinë armiqësore të zhvilluar në sektorin e tregtisë së jashtme” ku, përveç të tjerave, nënvizohet se “në shumicën e ndërmarrjeve nuk gjen një dokument te Partisë, një vepër të shokut Enver”. Po aty theksohet se “të gjitha analizat, raportet, informacionet etj. kanë përshkrime teknike, shumica pa vlerësime politike, megjithëse ky  sektor ka qenë në kontakt direkt me botën e jashtme, me imperialistët dhe revizionistët”.

Gjykata konstaton se grupi armik e antiparti i sabotatorëve në organizimin shtetëror dhe në ekonomi ka kundërshtuar hapur politikën ekonomike të Partisë. “Unë mendoja, pohon Koço Theodhosi, se tregtia bëhet për interesa ekonomikë, dhe ashtu si të leverdis ekonomikisht duhet ndërtuar edhe politika”. Unë kam qenë për marrëdhënie tregtare me të gjithë. Kam qenë për të na dhënë kredi rumunët. Unë kam pasur pikëpamjen se industria e rëndë është zhvilluar më shumë se industria e lehtë dhe nuk kam qenë dakord me raportin midis tyre, si edhe me bujqësinë. Me këto pikëpamje unë jam në një pozicion me Tuk Jakovën, me revizionistët jugosllavë e sovjetikë”. Unë kisha pikëpamjen se socializmi te ne nuk mund të ndërtohet me forcat tona dhe isha kundër këtij parimi”. Deponime të njëjta kanë bërë në hetuesi dhe para gjyqit edhe të pandehurit Kiço Ngjela e Vasil Kati. “Unë, thotë Vasil Kati, kam pasur mendimin gjithmonë se jam tregtar… pavarësisht se cilat janë shtetet dhe çfarë politike bëjnë ato me vendin tonë, mjaft që të shkojë mbarë tregtia”. Nga të gjitha materialet e dosjes del e qartë se të gjithë të pandehurit    kanë pasur gjithashtu një vijë të caktuar për të minuar udhëheqjen e Partisë në drejtimin në ekonomi. “Unë në parim nuk kam qenë dakord, deponoi Abdyl Këllezi, për rolin drejtues, absolut të Partisë në socializëm. Nuk kam qenë dakord që organizata bazë e Partisë të japë tonin në dikasteret e ndryshme. Provat e shumta të ndodhura në dosje vërtetojnë se kjo vijë antiparti për një kohë të gjatë është shoqëruar me një veprimtari të rrezikshme për dobësimin e rolit udhëheqës të partisë në sektorët ku ata drejtonin, sidomos në Ministrinë e Tregtisë dhe në ndërmarrjet e tregtisë së jashtme. Dëshmitari Eqerem Beci, duke folur për veprimtarinë armiqësore të të pandehurit Abdyl Këllezi, thekson se: “Janë të rralla rastet që në aparatin e Komisionit të Planit të Shtetit armiku Abdyl Këllezi të ketë zbërthyer ndonjë direktivë të KQ. Asnjëherë nuk u interesua se si zbatohej vendimi i Byrosë Politike i vitit 1970 për eksport-importin…” Po kështu, dëshmitari Muzak Kallajxhiu thekson se “Koço Theodhosi shkelte normat e jetës së brendshme të Partisë, nënvleftësonte rolin e organizatës bazë, donte t’i shkonte e tija, hakmerrej ndaj kundërshtarëve”.


ARMIQ TË LUFTËS SË KLASAVE                                                                                                                                                                                                        
 

Nisur nga qëllime armiqësore, të pandehurit Kiço Ngjela dhe Vasil Kati kanë vendosur në vende pune të rëndësishme elementë me të dhëna biografike jo të mira, që nuk u përgjigjen kritereve të përcaktuara nga Partia. “Kuadrot me përbërje të keqe, deponoi para gjyqit i pandehuri Kiço Ngjela, nuk kanë ardhur rastësisht në Ministri, por u mblodhën aty nga ana ime… Me këtë personel nuk mund të ishte organizata bazë e Partisë në rolin pararojë”. Gjykata konstaton se të pandehurit, duke përdorur këto koncepte antimarksiste, për vite me radhe kanë zhvilluar agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit socialist. Këto koncepte ata jo vetëm që i kanë diskutuar ndërmjet tyre, por edhe i kanë biseduar me armiq të ndryshëm, siç janë Beqir Balluku, Fadil Paçrami, Ramadan Xhangolli etj. Gjithë provat e ndodhura në dosje si dhe vetëpohimet e të pandehurve tregojnë se ky grup armiqësor synonte shkatërrimin e shtetit të diktaturës së proletariatit dhe nëpërmjet vendosjes së diktaturës borgjeze-revizioniste, restaurimin e rendit kapitalist në Shqipëri. “Te gjitha këto pikëpamje, pohon i pandehuri Koço Theodhosi, jam përpjekur t’i realizoj në praktikë, mbasi nuk isha dakord me pushtetin e diktaturës së proletariatit, dëshiroja që ky të zëvendësohej me një rend borgjezo-revizionist”. “Është fakt, thekson i pandehuri Abdyl Këllezi, se me armiqtë e zbuluar e të demaskuar nga Partia vitet e fundit, kemi punuar dhe kurdisur një komplot për të përmbysur Partinë dhe pushtetin popullor me pikësynime të paracaktuara për të rivendosur në Shqipëri rendin borgjezo-revizionist. Të njëjtën gjë pranuan para gjyqit dhe të pandehurit Kiço Ngjela e Vasil Kati.


KOMPLOTISTË TË PUSHTETIT POPULLOR                                                                                                                                                                                    

   Të pandehurit përpara gjyqit pranuan se parashikonin rrëzimin me dhunë të pushtetit shtetëror socialist me anën e forcave të mundshme reaksionare të brendshme në bashkëpunim me një ndërhyrjeje agresive nga ana e imperialistëve dhe social-imperialistëve të ndryshëm. I pandehuri Abdyl Këllezi para gjyqit lidhur me këtë problem deponoi sa vijon: “Në planin tonë hyjnë rrëzimi i diktaturës me anë të puçit ushtarak… mua më duhej Beqir Balluku dhe grupi i tij, sepse ai kish në dorë armët e ushtrisë, me anën e të cilëve do të rrezonim pushtetin. Në mbështetje të grupeve tona, në plan të jashtëm kanë qenë imperialistët e revizionistët… Në kushte e rrethana të caktuara nuk përjashtohej ndonjë ndërhyrje nga jashtë”. Po kështu, i pandehuri Koço Theodhosi deponoi “kisha për qëllim të rrëzoja pushtetin popullor… Mendoja që pushteti do të rrëzohej me anë të një puçi; mendoja se do të kishte ndërhyrje nga jashtë, si dhe nga forcat e brendshme. “Isha për përmbysjen e pushtetit popullor, pohoi para gjyqit i pandehuri Kiço Ngjela, e kam të qartë se mund të vinte rasti edhe për përleshje dhe se mund të kishte edhe ndërhyrje nga jashtë”. Siç del nga materialet e çështjes, i pandehuri Abdyl Këllezi ka luajtur rolin e udhëheqësit të grupit, por edhe atë të organizatorit e ndërlidhësit. “Është e vërtetë, thotë i pandehuri Vasil Kati, se nën orientimet direkte të Abdyl Këllezit si Kiço Ngjela, edhe unë kemi vepruar për të sabotuar orientimet e Partisë”.

Burimi: http://www.panorama.com.al/2012/12/26/kellezi-e-vasil-kati-ne-gjyq-kemi-kerkuar-marredhenie-me-shba/#ixzz2H9IlXQ7I