Akuza në gjyq: “Ngjela e Kati pesëfishuan afaristët e huaj në Shqipëri”

Procesi gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, maj ’77

“Ngjela dhe Kati pesëfishuan afaristët e huaj në Shqipëri”

“Ata në shumicën e rasteve nuk kryenin transaksione tregtare, por merreshin me veprimtari agjenturore”

“Veprimtaria është realizuar në bashkëveprim me grupin armiqësor të Piro Gushos e Filip Nashit”

Dokumenti: Si u sabotua sektori i naftës.
Koço Theodhosi, pjesë e grupit të Tuk Jakovës e Panajot Plakut.

Nga dokumenti i procesit gjyqësor të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës e Vasil Katit, zhvilluar me dyer të mbyllura nga data 3 deri më 17 maj 1977, numrin e kaluar publikuam dimensionin politik të akuzës ndaj katër ish-liderëve të regjimit që kishin pasur në dorë fatet e zhvillimit ekonomik të vendit. “Partia u besoi drejtimin e ekonomisë dhe ata e sabotuan duke e futur në kursin borgjezo-revizionist”, konkludon trupi gjykues, me pretendimin se ka vërtetuar platformën e tyre antiparti dhe veprimtarinë e përbashkët me grupin e Beqir Ballukut për përmbysjen e pushtetit popullor. Një numër jo i vogël dëshmitarësh i kanë shtuar procesit “prova” të tjera për aspektin armiqësor të të pandehurve si “ithtarë të Kongresit XX të PK të BS e të Hrushovit”, si “kundërshtarë të vijës së masave e të luftës së klasave” dhe si “komplotistë të fshehur të diktaturës së proletariatit”. Pjesa në vijim përmban arsyetimin e gjykatës për veprimtarinë armiqësore të të pandehurve në fushën ekonomike, ku veçohet roli i tyre në krijimin e ndërmarrjeve vetadministruese të tipit jugosllav, për futjen e kapitalit perëndimor, për shtimin e afaristëve të huaj, për sabotimin e sektorit të naftës, për shpërdorimin e valutës etj…

                                                                                                                                                            

Miq të biznesmenëve të huaj
Të pandehurit Kiço Ngjela e Vasil janë futur më tej në rrugën e decentralizimit të kompetencave, duke u lënë ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme të drejtën të ftojnë afaristë dhe specialistë të huaj sipas dëshirave të tyre. Sipas evidencës së Ministrisë së Tregtisë, që ndodhet në dosje, në vitin 1974 kundrejt vitit 1973 është pesëfishuar numri i afaristëve të huaj që kanë ardhur në Shqipëri, ndërsa i specialistëve është gjashtëmbëdhjetëfishuar. Këta afaristë dhe specialistë, siç ka rezultuar, në shumicën dërrmuese të rasteve jo vetëm nuk kanë kryer transaksione tregtare, por prej tyre janë marrë dhe me veprimtari armiqësore. Nga zhvillimi i gjykimit u provua se grupi armik e antiparti i kryesuar nga Abdyl Këllezi ka shpërdoruar fondet e caktuara për veprat e mëdha, duke i përdorur ato pa miratimin e qeverisë. Kështu, nëpërmjet disa protokolleve, kanë autorizuar që nga fondet e destinuara për vepra të rëndësishme si hidrocentrali i Fierzës, Kombinati Metalurgjik, Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës etj. të ndërtohen objekte, që nuk kanë lidhje me to dhe që arrijnë në dhjetëra miliona lekë.

 

Keqpërdorim i fondit të valutës
Me pasoja shumë të rënda ka qenë veprimtaria e të pandehurve në fushën e planifikimit dhe përdorimit të fondit të valutës. Me urdhër direkt të Abdyl Këllezit, në bilancin e të ardhurave dhe shpenzimeve në valutë është mbajtur një fond rezervë, jashtë kufijve të importit të dikastereve. Në marrëveshje të përbashkët ky fond është përdorur nga Abdyl Këllezi në kundërshtim flagrant me vendimin Nr.194 të Këshillit të Ministrave. Sipas aktit të Komisionit të Planit “Mbi veprimtarinë armiqësore në fushën e valutës e të furnizimit materialo-teknik”, i pandehuri Abdyl Këllezi, gjatë viteve 1971-1973, nga ky fond i fshehtë valute ka shpërdoruar 3.512.000 rubla. Me qëllim që të goditnin planin e shtetit në fushën e importit, të pandehurit janë përpjekur të shmangnin çdo kontroll nga ana e qeverisë në këtë drejtim dhe sidomos mbi përdorimin e kuotave të importit. Decentralizimi i kuotave të importit duke u lënë të drejtën e disponimit të tyre dikastereve, u shfrytëzua nga të pandehurit për qëllimet e tyre armiqësore dhe, në radhë të parë, për të dëmtuar ekonominë socialiste. Sidomos të pandehurit Abdyl Këllezi e Kiço Ngjela kanë treguar një zell të veçantë në lidhje me inkurajimin dhe lejimin e shpërdorimit të kuotave të importit.

Lidhur me këtë çështje, një rol të rëndësishëm ka luajtur gjithashtu udhëzimi i lëshuar nga i pandehuri Abdyl Këllezi në vitin 1971 dhe i zgjeruar në vitin 1974 me anën e të cilit u jepte të drejtë ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme që të dispononin vetë fondet në valutë të kursyera nga shkurtimi i importit në masën deri 400 mijë rubla (para vitit 1974 kjo masë ishte deri 100 mijë rubla). Veprimtaria kriminale e grupit armik e antiparti vërtetohet me pohimet e vetë të pandehurve, si dhe me një numër të madh provash shkresore. Gjithashtu fajësia e tyre vërtetohet nga dëshmitë e dëshmitarëve Vasil Santo, Eqerem Beci, Stavri Mitezi, Muzak Kallajxhiu, Hasan Hamzai, Saide Xholi, Sali Ulqinaku, Gogo Kozmai, Genc Shkodra, Rustem Zereci, Llambro Strakosha e Lisimak Trandafili.

Koço Theodhosi (i pari djathtas)

AUTORË TË AKTEVE ANTILIGJORE
Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, duke shfrytëzuar funksionet e rëndësishme që mbanin në Parti e në shtet, jashtë çdo kompetence, kanë nxjerrë një numër jo të vogël urdhrash, udhëzimesh dhe rregulloresh që tërësisht ose pjesërisht vijnë në kundërshtim flagrant me ligjet dhe aktet nënligjore të organeve të larta shtetërore. Një karakter të tillë ka rregullorja e nxjerrë nga Koço Theodhosi “Mbi detyrat dhe të drejtat kryesore të Drejtorisë së Përgjthshme të Naftës”, ku kësaj Drejtorie i jepet e drejta e përcaktimit të rregullave të sigurimit teknik dhe të mbrojtjes nga zjarri, e studimit, miratimit edhe ndjekjes së zbatimit të projekteve të shfrytëzimit të vendburimeve të naftës e të gazit, e lëvizjes së makinerive dhe të materialeve nga një ndërmarrje në tjetrën brenda sistemit të naftës, si dhe të drejta të tjera, të cilat, sipas ligjeve në fuqi, janë në kompetencë të organeve më të larta të administratës shtetërore dhe që e shndërrojnë efektivisht këtë drejtori në një “ministri” brenda Ministrisë së Industrisë e Minierave, në një organ vetadministrues revizionist. Aktet nënligjore të nxjerra nga këta të pandehur kanë prekur   çështje të ndryshme, ato u referohen problemeve të pagave, kategorizimeve, shpërblimeve etj., të cilat as nuk lejohen dhe as nuk rregullohen në mënyrën e paraqitur prej tyre. Kështu p.sh., i pandehuri Koço Theodhosi me udhëzimin datë 29.9.1967, të firmosur prej tij, vendos rregullin që t’u jepet një shpërblim në masën 25 për qind mbi pagën punëtorëve të agregateve të shpimit të puseve të naftës, ndërkohë që dhënia e një shpërblimi të tillë nuk lejohet nga Vendimi i Këshillit te Ministrave Nr.9l, datë 24.6.1967. Tipik është udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Tregtisë, Ministrisë së Industrisë e Minierave dhe Ministrisë së Financave Nr. 821, datë 12.3.1971 “Mbi nomenklaturën e artikujve të rinj”. Në këtë udhëzim Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Aleks Verli u japin komiteteve ekzekutive të KP të rretheve të drejtën që të miratojnë kushte teknike dhe çmime për artikujt që nuk prodhohen në një ndërmarrje të vetme; Ndërkohë që sipas vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.194, datë 25-26.XI.1970, një e drejtë e tillë u njihet këtyre komiteteve vetëm për artikujt e rinj që prodhohen në një ndërmarrje te vetme. Për të konkretizuar përmasat e punës armiqësore për decentralizimin e kompetencave nëpërmjet nxjerrjes së akteve normative të kundërligjshme, mjafton të përmendet urdhri i Abdyl Këllezit Nr.55, datë 22.2.1971. Në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.194, datë 25-26.XI.1970, që përcakton se ministritë caktojnë numrin e përgjithshëm të punonjësve si dhe fondin përkatës të pagave për çdo ndërmarrje dhe institucion në vartësi të tyre, me urdhrin e lartpërmendur, i pandehuri Abdy1 Këllezi këtë kompetencë të ministrive ia jep Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Tiranës, dhe, për më tepër, i jep të drejtë atij që të bëjë lëvizje të fuqisë punëtore nga një sistem në tjetrin. Qëndrim të kundërligjshëm dhe thellësisht armiqësor ka mbajtur ky i pandehur sidomos lidhur me problemin e rezervës shtetërore, ku mbi bazën e urdhrave dhe udhëzimeve, të paligjshme të tija i ka hapur rrugën vetes për shpërdorime dhe veprime arbitrare në dëm të kësaj rezerve, për decentralizim të mëtejshëm të kompetencave dhe për të futur vetadministrimin revizionist në drejtimin shtetëror të ekonomisë.

SABOTIMI NË NAFTË
Grupi armik e antiparti, i kryesuar nga Abdyl Këllezi, për një kohë të gjatë dhe sistematikisht ka zhvilluar një veprimtari të gjerë sabotuese në industrinë e naftës dhe të gazit. Kjo veprimtari është vazhdim i sabotimeve që kanë kryer më parë në këtë sektor revizionistët jugosllavë e sovjetikë, si dhe tradhtarët Tuk Jakova, Panajot Plaku etj. Ajo është realizuar sipas një plani të studiuar e të përpunuar mirë, në bashkëveprim të plotë me grupin armiqësor të kryesuar nga Piro Gusho e Filip Nashi, duke unifikuar pikëpamjet armiqësore midis tyre nëpërmjet bisedave të vazhdueshme në kohë e vende të ndryshme, si dhe duke përcaktuar metodat e veprimet praktike që duhet të zbatonin për të arritur qëllimin e përbashkët, “dobësimin e ekonomisë popullore dhe të fuqisë mbrojtëse të vendit”. Këtë veprimtari të egër sabotuese, kryesisht të pandehurit Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi e kanë udhëhequr vetë nëpërmjet mbledhjeve, bisedave apo porosive verbale të vazhdueshme, nëpërmjet urdhrave apo shkresave që u dërgonin pa ndërprerje sabotatorëve të tjerë që kishin në industrinë e naftës e të gazit më në krye armiqtë Piro Gusho e Filip Nashi. Me forma të tilla pune të pandehurit Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi i udhëzonin këta të fundit se si e ku duhej të thellonin më tej realizimin në praktikë të këtyre sabotimeve. Unë dhe Koço Theodhosi jemi koka e kësaj veprimtarie; kurse Lipe Nashi e të tjerët janë ekzekutorët”, pohoi në seancë gjyqësore Abdyl Këllezi. Gjatë hetimit gjyqësor u konkretizua se qysh në fazën fillestare të punës sabotatorët në industrinë e naftës e të gazit kanë synuar që të mos zbulonin vendburime të reja nafte e gazi. Pikërisht për këtë arsye, duke vepruar në kundërshtim me direktivat e Partisë, jo vetëm nënvleftësuan kërkimin e vendburimeve të reja të naftës në zonat ranore, por i braktisën fare këto struktura. Kështu, nga viti 1969 deri në vitin 1974, në këto struktura u shpuan vetëm 10 puse dhe, në vitin 1974, kur këta armiq panë se po u zbulohej veprimtaria e tyre sabotuese, dhanë disa puse kërkimi e zbulim-konturimi në strukturat ranore. Vetë i pandehuri Koço Theodhosi, gjatë hetimit e gjykimit pohoi: Kam biseduar me Abdy1 Këllezin, Filip Nasin e Beqir A1inë dhe të gjithë kemi qenë të mendimit që të mos bënim kërkime në strukturat ranore. Të pandehurit Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi nxitën dhe orientuan shpimin e puseve të reja pa përgatitjen e nevojshme dhe pa studime komplekse gjeologjiko-gjeofizike, si dhe në kundërshtim me parimin për të kaluar në kërkim nga e njohura tek e panjohura”, me dashje lanë pas dore kërkesat shkencore të përcaktuara në dy vendet e rëndësishme të Byrosë Politike të KQ të PPSh dhe të Këshillit të Ministrave në lidhje me përgatitjen e strukturave për shpim. Kështu p.sh., po të ishin bërë më parë studime komplekse gjeologjiko-gjeofizike, do të ishte evidentuar shpimi i panevojshëm i puseve Prishta 13 e 14, që solli harxhime kot të disa miliona lekëve dhe do të konstatohej me kohë se aty jo vetëm nuk kishte naftë, por as strukturë perspektive. Të pandehurit orientuan dhe nxitën përqendrimin e kërkimeve në front të gjerë në rajonet Shushicë, Prishtë, Vurg, Nënshkodër, Osmënzezë, dhe ne rajone të tjera larg vendburimeve të njohura të naftës e gazit, hallakatën kërkimet e naftës dhe, si rrjedhim,  nga 45 struktura të supozuara, që janë atakuar gjatë viteve 1970-1975 në një sërë pusesh, 39 prej tyre nuk u vërtetuan, 3 struktura u vërtetuan me ndryshime të mëdha nga projekti dhe vetëm një strukturë (ajo e Finiqit) rezultoi gazmbajtëse industriale. Ndërsa Byroja Politike me vendimin Nr.154, datë 10 nëntor 1967, porosiste që planifikimi dhe zbatimi i programit të naftës të bëhen në baza sa më të studiuara e shkencore dhe duke i kushtuar vëmendje të posaçme përcaktimit të kontaktit naftë-ujë, të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi dhe sabotatorët e tjerë në industrinë e naftës e të gazit kanë vepruar në të kundërtën. Duke u kamufluar me parulla të tilla si “Atdheu ka nevojë për naftë” etj., këta armiq diktuan shifra të fryra në planin e prodhimit të naftës, sabotuan e shkelën kuotat e përvitshme të prodhimit të planifikuar, shpuan shumë puse të reja dhe u morën debite më të mëdha nga ato të lejuarat, shkaktuan përmbytjen e shpejtë të tyre, si dhe avancuan para kohe kontaktin naftë-ujë.
Gjatë gjykimit dhe hetimit, i pandehuri Koço Theodhosi pohoi: “Unë, Abdyl Këllezi e Filip Nashi, në kundërshtim me vendimet e Partisë e qeverisë dhe me rregullat shkencore, shfrytëzonim me mbingarkesë vendburimet gëlqerore, sidomos në vitet 1973, 1974 e 1975.” Ndërkaq, i pandehuri Abdyl Këllezi pranoi: “Në vitin 1973 kam biseduar me Ngjelën e Vasil Katin se do ta pakësojmë eksportin e naftës, mbasi vendburimet po i shfrytëzojmë me mbingarkesë dhe jashtë rregullave teknike”.

 

Këllezi e Theodhosi, partizanë të vetadministrimit të ndërmarrjeve

Si u krijuan organizma ekonomikë e teknikë të modelit jugosllav

Nën maskën e hapjes së fronteve të reja dhe të shfrytëzimit të rezervave të brendshme të ndërmarrjeve, armiqtë Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi krijuan në Tiranë dhe, më vonë, edhe në rrethet e tjera, në kundërshtim me orientimet e Partisë, organizma ekonomikë e teknikë, reparte e linja të reja me qëllim për të copëzuar ekonominë dhe për të decentralizuar prodhimin. Sidomos pas vajtjes së Abdyl Këllezit si kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, kjo veprimtari mori përpjesëtime edhe më të mëdha. Për të goditur parimin e centralizmit demokratik, të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati shtrembëruan orientimet e Partisë mbi dhënien e kompetencave bazës, duke u lënë të drejtë ndërmarrjeve për të marrë punëtorë dhe për të ngritur pa fund reparte e sektorë në hozrashot. Ata mundën të nxjerrin jashtë strukturës së ministrive disa drejtori qendrore dhe sektorë të ndryshëm, duke çuar kështu fryrje aparatesh, si edhe në shkëputjen dhe izolimin e ministrive nga drejtimi i sektorëve të prodhimit e shpërndarjes. Kështu, të pandehurit Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi,

basi krijohet Drejtoria e Përgjithshme e Naftës në vitin 1970, i dhanë asaj kompetenca të gjera, duke e kthyer në fakt në një institucion krejtësisht autonom nga Ministria e Industrisë e Minierave. Po në këtë mënyrë vepruan edhe në veprimtarinë e drejtorive të tjera qendrore, siç është ajo e kromit në Burrel, e bakrit në Rrëshen, e uzinave mekanike të bujqësisë etj. Po kështu vepruan për krijimin e të ashtuquajturave drejtori me cikël të mbyllur brenda ministrive, si dhe lidhur me ndërmarrjet e tregtisë së jashtme. “Ne u lamë dorë të lirë ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme, deponon i pandehuri Vasil Kati, të shisnin e të blinin duke vendosur vetë çmimet, pa marrë miratimin e drejtorive në Ministri. Me këto kompetenca, secila ndërmarrje e tregtisë së jashtme vepronte për hesap të vet dhe nuk bëhej koordinimi i çmimeve të mallrave të eksportit me ato të importit. Kiço Ngjela ishte për një decentralizim më të madh të ndërmarrjeve, që ato të vetëvepronin, të ishin të shkëputura nga aparati i Ministrisë”.

Burimi: http://www.panorama.com.al/2012/12/27/akuza-ne-gjyq-ngjela-e-kati-pesefishuan-afaristet-e-huaj-ne-shqiperi/#ixzz2H9NLYts1