TIPOLOGJI E SHPEJTË E HAFIJES
(homo otacustes)

Për t’u pasur parasysh nga të gjithë ata që janë gati të përveshin mëngët për të filluar nga gjykimi etik, gjatë “hapjes” së qivureve të dosjeve:

  1. Ademi raportonte vullnetarisht gjithçka politikisht “të dyshimtë”, sepse i besonte verbërisht vijës së Partisë dhe mendonte se po i shërbente me ndërgjegje të lartë çështjes komuniste, ose pushtetit popullor, ose revolucionit. Ky mund të raportonte edhe babanë, ose motrën, ose fëmijën e vet, po të ishte nevoja.
  2. Bashari raportonte rregullisht dhe profesionalisht gjithçka të dyshimtë që vinte re, në përputhje me detyrat e ngarkuara e urdhrat e marra nga eprorët dhe përkundrejt një pagese. Ky mund të punonte edhe në ndonjë ambasadë dhe të merrej me përgjime ose ndjekje “të rëndësishme”, për shembull të një bashkëshorteje kryesore.
  3. Caci raportonte kryesisht për njerëz të cilët i urrente; ose kuturisej në provokime të gjithfarshme, për të grumbulluar material. Ose edhe thjesht për kënaqësi sadiste, a për t’u ndier i gjithëpushtetshëm ose “i brendshëm”. Po të punonte në ambasadë, ky do të raportonte rregullisht për studentët ose pasuniversitarët.
  4. Dulla raportonte që t’u dilte gjërave përpara ose për të akumuluar kapital politik, ose për t’u ndier në kontroll të situatës, ose sepse kishte frikë të tmerrshme se mos e raportonin dhe i merrnin më qafë kalamajtë, ose ngaqë trembej se mos lëshonte fjalë në pije e sipër.
  5. Ethemi raportonte sepse “organet” i bënin shantazh të rëndë – për shembull, ngase kishte një të afërm në burg ose të pushkatuar, ose kishte gruan polake ose kishte nënshkruar dikur një deklaratë për të shpëtuar lëkurën, ose vëllanë e vet nga burgu.
  6. Fatriu raportonte sepse kërkonte të bënte karrierë, për shembull, për t’u pranuar në Parti, ose për t’i dalë e drejta e studimit, ose për të mbetur në detyrë pas një përdhunimi të shëmtuar të një kolegeje, ose për të fituar një bursë trevjeçare në Stokholm.
  7. Gori raportonte vetëm pranë organeve të Partisë (sekretarit etj.), i cili pastaj u raportonte organeve të Sigurimit. Po të ishte student, ky do t’i fuste kolegët e vet në gjithfarë ngatërresash idiote.
  8. Hiqmeti raportonte vetëm ata që mendonte se e provokonin, duke e futur në biseda ose situata të rrezikshme.
  9. Idrizi raportonte vetëm për persona të caktuar, të cilët e kishte për detyrë t’i përgjonte sepse, siç ia kishin shpjeguar, ishin “armiq”.
  10. Jovani raportonte sepse dëshironte të bëhej agjent i armës së Sigurimit, ose të tregonte se kishte aftësi të rralla për punë spiunazhi, ose ngaqë tërhiqej homoseksualisht nga figurat e forta të Ministrisë së Brendshme (heronjtë e heshtur).
  11. Kostaqi raportonte thashetheme pa ua përmendur autorin, ose bënte përmbledhje të zhurmave, zërave dhe fjalëve që qarkullonin në popull.
  12. Ligori qëndiste letra anonime me akuza të rënda politike të qena e të paqena, kundër personave të ndryshëm, për arsye të ndryshme.
  13. Mexhiti raportonte si ekspert teknik i besuar, me kërkesë formale të organeve të pushtetit.
  14. Nexhdeti raportonte sepse kishte frikë se, po të mos raportonte, do ta konsideronin si politikisht të dyshimtë. Ose ngaqë mendonte se të gjithë raportonin. Ky mund të denonconte ndonjëherë edhe vetveten.
  15. Orhani raportonte sepse, me ose pa ndonjë arsye objektive, ishte bindur se Sigurimi e ndiqte dhe po ia bënte gropën.
  16. Pertefi raportonte rregullisht sepse ia donte puna, por raportet e tij nuk akuzonin njeri ishin të padëmshme.
  17. Qamili raportonte rregullisht për jetën private të figurave të larta të Partisë dhe të Qeverisë, meqë punonte pranë tyre zyrtarisht si kopshtar, pjatalarës, masazhator, kafexhi ose manikyrist.
  18. Rushiti kishte nënshkruar nën presion një deklaratë bashkëpunimi me organet e sigurimit, por nuk kishte raportuar asnjëherë asnjeri.
  19. Suati ishte liruar nga burgu para kohe dhe lejuar të jetonte në Tiranë, ose i ishte rikthyer e drejta e botimit ose e krijimtarisë me kusht që të vihej në shërbim të Sigurimit dhe të raportonte familjarët, miqtë dhe të afërmit.
  20. Teufiku përgjonte dhe raportonte në lidhje me një grup që, me qëllim destabilizimi të pushtetit, përnjimend planifikonte të ushtronte terror masiv në Tiranë ose Bradashesh, për shembull, të helmonte depot e ujit.
  21. Urani raportonte vetëm komunistë, sepse e urrente Partinë e Punës.
  22. Vehipi raportonte sepse ishte morfinoman dhe vetëm ashtu mund të siguronte morfinë.
  23. Xuxi raportonte ose dëshmonte gjyqeve vetëm për persona tashmë të arrestuar dhe të demaskuar nga Partia.
  24. Ymeri raportonte bashkëvuajtësit në burg, me shpresë se do t’i ulej dënimi.
  25. Zoi raportonte bashkëvuajtësit në burg, të cilët herë pas here edhe i provokonte për t’i futur në qorrsokak ose ngatërresa, i ngarkuar qëllimisht nga Sigurimi. [2004]

source http://xhaxhai.wordpress.com/