Qeset e miellit, policët e pushuar dhe mentaliteti komunist i Berishës.

Intervistë me z. Besim Ndregjoni, sekretar i përgjithshëm i shoqatës mbarëkombëtare të integrimit të të përndjekurve dhe të burgosurve. Pse nuk dëmshpërblehen të përndjekurit, dhe pse janë harruar? Për këto, ai ka një përgjigje të qartë: Pinjollët e komunistëve kanë sërish në dorë fatin e tyre…

Incidenti i të përndjekurve tregoi se pushteti aktual si ka fare marrëdhëniet e mira me të përndjekurit. Në këtë intervistë tregohet zhgënjimi total i tyre, por edhe pritshmëria. Janë të bindur se nuk mund të presin nga njerëz që janë pinjollë direkt të komunistëve dhe se Sigurimi i Shtetit është ende në fuqi dhe ka kapur kupolën e PD-së. Por gjendja është më trishtuese, kur mendon se ata nuk presin fare as edhe nga PS-ja, nëse do të rikthehet në pushtet…

Incidenti që ndodhi mes dy të përndjekurve dhe kryeministrit Berisha, si edhe reagimi i keq i shtetit tregoi sesa e papërgatitur është e gjithë struktura shtetërore ndaj problemeve së të përndjekurve. Pse mungojnë zgjidhjet për të përndjekurit, sipas jush?
“Nuk do ta quaja incident një protestë njerëzore, ndaj padrejtësisë që u bëhet ish të persekutuarve politikë nga politika aktuale shtetërore apo qeverisëse. Rasti i dy ish të dënuarve që demonstruan paqësisht duke hedhur dy qese miell ndaj makinës së Kryeministrit nuk ishte fyese apo incident, por thjesht një mesazh ndaj shefit të qeverisë, se politikat që ndjek administrata e tij nuk përmbushin detyrimet ligjore ndaj qytetarëve që provuan dënimin diktatorial, e sensibilizimin që duhet të ketë Kryeministri ndaj kësaj pjese të shoqërisë, e cila megjithë sakrificat, qëndrimet dhe heroizmin antikomunist, sot vuajnë përçmimin , harresën dhe detyrimet që ka qeverisja ndaj këtyre ikonave, që nuk u pajtuan me diktaturën dhe luftuan për demokraci dhe të drejtat humane.
Para disa vitesh, në parlamentin anglez u sulmua me topa mielli ish Kryeministri Bler. Ne nuk dëgjuam se u pushuan apo u hoqën nga puna punonjës të rendit apo të eskortës së tij, kurse tek ne mentaliteti komunist i udhëheqësit është prezent dhe hakmarrës ndaj punonjësve të policisë duke i hequr nga puna apo mbas disa ditëve rrethim i plotë i parlamentit që të ruhen nga protestat këta lloj deputetësh që as më pak e as më shumë s’kanë asnjë lloj kontributi në demokracinë e vendit, veç besueshmërisë së kryetarit të partisë që i përkasin. Bëjeni krahasimin vetë mes dy ish të dënuar politikë që kaluan rininë nëpër hetuesi e kampe përqendrimi, që shoqëria të kishte liri e të drejta fjalësh dhe këta deputetë, pasuruar vetëm se gëzojnë privilegjet e “udhëheqësit” të tyre.
Pse mungojnë zgjidhjet shtroni pyetje? Kjo dihet: pluralizmi në Shqipëri nuk erdhi se klasa politike e viteve ‘90 bëri ndonjë revolucion. Erdhën në ndryshimin e sistemit me planet ogurzeza të diktatorit të fundit komunist Ramiz Alia, dhe në një ditë dhjetori ish-komunistët e përgatitur në shkollat ideologjike të diktaturës ndryshuan pardesytë dhe u bënë demokratë, kurse kupola e drejtimit të diktaturës Partia e Punës së Shqipërisë në një ditë qershori, ndërroi emrin duke u bërë socialiste. Unë jam dëshmitar dhe protagonist i atyre viteve që demokratët me pardesytë e bardha, ishin shumë larg shtresës antikomuniste, deri kur u dha urdhër ambasadori amerikan që ju duhet të jeni pro antikomunistëve dhe familjeve të tyre. Prandaj ujku qimen e ndërron por zakonin se harron, thotë një fjalë e urtë popullore dhe sot në 100 vjetorin e pavarësisë mbas 22 vitesh pluralizëm ish të përndjekurit politikë përballen me harresën, me përçmimin sikur këta janë qytetarë të dorës së dytë, në vend që të jenë në drejtimin e shtetit e të qeverisjes, që e kanë votuar prej 21 vitesh. Është për të ardhur keq që Partia Demokratike merr votat e të përndjekurve politikë dhe qeverisë me të majtët. Sot numërohen me mijëra të arsimuar nga shtresa antikomuniste, por këta pinjollë të atyre familjeve që ndërtuan këtë shtet, që përballuan diktaturën 45 vjeçare nuk lejohen për administratën dhe shtetin shqiptarë. Nuk lejohen dhe nuk kanë as më të voglin privilegj që të japin apo të punojnë në këtë administratë. Ata sot i përfaqësojnë pinjollët e atyre që bënë krime ideologjike e politike ndaj tyre, ndaj sot duhet të jesh mik apo suport i Ilir Rusmalit, Genc Pollos, apo të tjerëve ish puthadorë të diktaturës që të marrësh pronën tënde, shtëpinë tënde apo një vend pune ne qeverisje…Prandaj mungojnë zgjidhjet për ish të përndjekurit politikë!”

Juve e denoncuat muaj më parë si zgjidhje patetike faktin e bërjes muze të Spaçit. Koha e provoi këtë fjalë. A mendoni se është thjesht retorikë, kjo që përdoret nga dy partitë kryesore me kategorinë tuaj?
“Retorikat ideologjike janë mjete të politikanëve dështakë dhe ideologjikë. Fatkeqësisht, ne sot përballemi me retorika tipike komuniste në një shoqëri të traumatizuar nga diktatura. Kam vizituar dhe referuar në shumë vende të Evropës, që kaluan pushtete komuniste dhe megjithëse ata kanë pasur një komunizëm liberal, ndërtuan në kryeqytetet e tyre obelisqe, muze ku trajtojnë periudhën e asaj kohe për vendet e tyre. Kurse në Shqipëri, përveç ca memorialeve që i kanë ndërtuar me fondet e tyre familjaret antikomunistë, ish të përndjekur politikë, shteti shqiptar s’ka nderuar asnjë memorial apo pllakë përkujtimore për të përjetësuar krimin komunist, që i ka ndodhur shoqërisë shqiptare. Me fondet tona vendosëm një pllakë memoriale në vendin ku ishte busti i diktatorit, e në atë pllakë ishte bilanci i krimit 50 vjeçar komunist, me shpresën se më vonë do ndërtohej një mur ku të ishin emrat e mijëra të vrarëve të diktaturës. Por, erdhi kryetari i ri i Bashkisë dhe e hoqi duke mbjellë pemë. Po ashtu, ky kryetar bashkie nuk lejoj të vendosej në sheshin ‘Skënderbe’ ekspozita që hapa: ‘’Shqipëria Kujton kushtuar 4500 të pushkatuarve nga diktatura komuniste që sot nuk janë gjetur dhe eshtrat”. Në Berlin, kryetari i bashkisë e ka për nder të dërgoj këtë fotoekspozitë dhe ta ekspozoja në mes të Berlinit. Lul Basha jepte urdhër nga Pekini që kjo mos të lejohej. Çfarë emri mund t’i vemë kësaj. Po ashtu, ish paraardhësi i tij Edi Rama prishi ish kinemanë “17 Nëntori”, ku ishin dënuar ajka e intelektualizmit shqiptar si kundërshtarë të komunizmi dhe shteti atëherë heshte ndaj protestës tonë, pra këta pinjoll të komunizmit duan me çdo kusht të lenë në harresë krimin komunist.Shqipëria që vuajti diktaturën më të egër komuniste, sot s’ka një muze për këto krime. Nuk mund të fshish historinë me anë të pushtetit, të periudhës 50 vjeçare diktatoriale që ka kaluar kjo shoqëri me retorika e me llafe boshe në emër të demokracisë duke përdorur një krim të dytë, atë të heshtjes. Harrojnë këta të mjerë politikanë, që shtresën e antikomunizmit nuk mundi ta fshijë diktatura me plumb e hekur jo më këta kopukë me heshtjen e tyre. Historia do i dënoj për këtë heshtje njëlloj si sistemin diktatorial!“

Vazhdimisht pretendohet dhe ju vete shpesh e keni denoncuar kompensimet e tyre. Sa është numri real i të persekutuarve? A ka fryrje të këtij numri? Dhe, ka kaluar afati ligjor i kompensimit të plotë të kategorisë suaj. Kush e pengon këtë proces?

“Kompesimi i të përndjekurve politikë nuk është një privilegj apo lëmoshë që bën pushteti ndaj kësaj shtrese. Jo, ky është një detyrim ligjor që duhet ta kryejë qeveria e kujtdo force politike që vjen në fuqi, por tek ne kompesimi trajtohet politikisht dhe jo ligjërisht dhe në vend që të kryhen detyrimet që të jep ligji me këtë kompensim, akti bëhet politik. Realiteti i numrit të përndjekurve politikë është në statistikat shtetërore dhe arkivat e këtij shteti kurse për habi ministrat dalin dhe thonë se nuk ka numër real të të përndjekurve politikë. Por, çdo qytetar shqiptar që ka jetuar në kohën e diktaturës e di se cila familje luftohej nga diktatura që quhej ‘armike’ apo ‘kulake’ dhe e deklasuar. Çudi, këtë numër nuk e dinë ministra dhe qeveritë që janë në pushtet në Shqipëri. A ka fryrje të numrit? Jo, nuk ka. Përkundrazi komisioni i ligjeve që përbëhet nga deputetë që familjet e tyre dhe ata vetë kanë marrë pjesë në persekutimin tonë mundohen çdo ditë duke nxjerrë amendamente që të shkurtojnë përndjekjen apo të merren vetëm me të gjallët, kurse për të pushkatuarit apo të vdekurit nëpër hetuesia, duan t’i fshijnë e mos t’i kompensojnë”.

Ligji i fundit, sipas të cilit shpërblimet do bëheshin pas të tetëdhjetave, duket se po i lë të padëmshpërblyer shumë prej të persekutuarve në vend, që po vdesin. Mendoni se është një strategji e pa shkruar dhe e mirëmenduar për ti dënuar sërish ata?
“Ky vendim është komik dhe tragjik. Komik, pasi këta pushtetarë janë aq të interesuar për vitet e të dënuarëve sa nga statistikat e tyre paskan gjetur se jetojnë ende ca tetëdhjetëvjeçarë dhe o burra hajt t’i kompensojmë. Kurse të tjerët le të presin. Strategji tipike komuniste, ashtu siç kanë edhe formimin e tyre politik. Jam tepër i trishtuar nga kjo strategji e mirëmenduar që hidhet në kurrizin tonë nga këta njerëz, që fatkeqësisht i kemi votuar vete dhe që po bëjnë veprime kaq keqdashëse ndaj atyre që duhet t’u përkulen për qëndresën që i bënë diktaturës më të egër në Evropë, diktaturës terroriste komuniste enveriste”.

Pse është e vështirë të integrohen të persekutuarit, sipas jush, nga qeveritë e pas ‘90 dhe pse jeni kaq të përçarë?
“Integrimi i të përndjekurve nuk mund te kryhet nga ata që i shërbyen diktaturës, pasi ata kanë mentalitetin e luftës së klasave. Me mentalitetin e pushtetit të tyre, ata quajnë demokraci vetëm pushtetin, ndryshe e nënçmojnë demokracinë. Ata kanë ende ideologjinë me të cilën janë rritur dhe janë mësuar dhe s’mund t’i nënshtrohen ndryshimit të sistemit, mendimin ndryshe. Ata nuk njohin të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk e njohin të drejtën e pronës apo të votës së lirë. Si mund të integrojnë ato pjesë të shoqërisë që ata vetë ose prindërit e tyre i kanë persekutuar; si mund të dënojnë ata krimet e baballarëve të tyre?! Strategjia e tyre është Përça dhe sundo. Shfrytëzuan në maksimum traumat me të cilat kaloi kjo shtresë dhe u përball në diktaturë dhe këto trauma i përdorën jo për të rehabilituar, por për të bërë politikë me to. Përçarja jonë është strategjia e kësaj klase politike. E si mund të integrohen të përndjekurit politikë, kur partia që kreu krime nuk është dënuar. E kam fjalën për partinë shtet që ishte 45 vite në pushtet. Pse nuk u dënua ish sigurimi i shtetit, por ai është në Partinë Demokratike, në drejtimin e saj gati për t’u përdorur kundra mendimit ndryshe. Po të ishin dënuar institucionet e krimit komunist në Shqipëri do kishte integrim të të përndjekurve politike, por pa u dënuar krimi komunist, integrimi i të përndjekurve do jetë i vështirë”.

Ka ende dhjetëra-qindra të pagjetur. Pak vjet më parë qeveria shqiptare pretendoi se do identifikonte ata të Dajtit, por deri më sot nuk është bërë pothuaj asgjë. Jo vetëm u harrua, por s’ka ndonjë strategji për kërkimin e tyre. Meqë e keni denoncuar edhe ju, a mendoni se kjo rrugë do të vazhdojë sërish?
“Me 26 qershor hapa fotoekspozitën ‘Shqipëria kujton: 4500 te pushkatuar kërkojnë një varr në vendin e tyre” në sheshin Vëllezërit Frashëri. Janë zhdukur 4500 qytetarë kundërshtarë të regjimit, një shifër e madhe për numrin e popullsisë që ka pasur dhe ka vendi ynë. Kjo fotoekspozitë ndenji e hapur 12 ditë. Ishte jo larg Kryeministrit, pune dhjetëra metrash; jo larg të përndjekurës Topalli fare pak metra më tutje, por ata dhe deputetët që ishin të ftuar as nuk morrën pjese. Ministri Aldo Bumçi nuk dha asnjë lloj ndihme financiare megjithëse e ka me ligj për të sponsorizuar këto aktivitete kombëtare. Tv pranë qeverisë nuk e dhanë si lajm dhe shtypi pranë qeverisë nuk e shkroi. Kurse shtypi spanjoll dha kronika të gjëra rreth këtyre krimeve të diktaturës komuniste në Shqipëri dhe populli i Tiranës u përkul me venerim përpara atyre figurave kombëtare që kishin shpall pavarësinë, e ndërtuan shtetin shqiptar por qe ishin vrarë nga komunizmi. Vetëm shkrimtari i madh Kadare nga Franca dërgoi mesazh më 22 qershor të këtij viti: ‘I nderuari zoti Besim Ndregjoni, Jam i prekur nga mesazhi juaj dhe natyrisht e ndiej veten pranë jush. E kundërta do të ishte diçka absurde për secilin nga ne. Shqipëria e sotme, koha, njerëzit, ndërgjegjja e të gjithëve nuk mund të jetë e qetë pa kryer detyrimin moral ndaj jush. Ndaj kujtimit të atyre që vuajtën dhe që nuk janë mê në këtë botë. Ndaj gjithë të përndjekurve, që arritën të dilnin prej ferrit të burgjeve dhe të internimeve. Ndaj familjeve dhe të afërmve , që kanë ndarë me ju ankthin e pafund. Duke ju shprehur edhe një herë gjithë mbështetjen, respektin dhe konsideratën time’. Kosova kërkon nga Serbia 1770 qytetarë të zhdukur, kurse ne kërkojmë 4500 të zhdukur. Krahasimi nuk do komente. Është krijuar një task force por ajo është formale. Janë 2000 të vrarë, që janë gjetur pa ndihmën e shtetit. I kanë gjetur familjet tona, kurse shteti hesht ndaj këtyre 4500 familjeve, që nuk i kërkojnë asnjë ndihmë financiare, vetëm vendet ku janë ekzekutuar që t’u ndërtojnë një varr. Ky shtet vetëm hesht. Heshtja ndaj krimit komunist ka 22 vite që vazhdon. Këtë heshtje duhet ta dënojë shoqëria pa asnjë lloj hezitimi se heshtja ndaj krimit na bën fajtorë për brezat që vijnë e nuk mund të ndërtojmë të ardhmen pa analizuar me gjakftohtësi të kaluarën”.

A mendoni se një rotacion politik mund të jetë më miqësor me kërkesat tuaja?
“Jo nuk mendoj se Partia Socialiste që mendohet se mund të marrë pushtetin nuk shoh se ka as sensibilizimin, as kurajën të respektoj, ata që kundërshtuan diktaturën, përderisa kjo parti lufton për 20 vite që të respektohen datat e përkujtimet e diktaturës komuniste. Për mua, ajo nuk është e shkëputur nga ideologjia e partisë që trashëgon. Kërkesat tona nuk janë të pabazuara në ligj dhe në konventat ndërkombëtare. Ne nga shteti shqiptar kërkojmë thjesht zbatimin e ligjit të kushtetutës dhe të konventave ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut. S’kërkojmë asgjë jashtë asaj që na takon ligjërisht. Fatkeqësisht ky shtet, kjo klasë politike nuk i kryen detyrimet ligjore që ka sistemi i demokracisë. Të dy partitë që imponojnë pushtet dhe diktojnë votën e lirë nuk njohin pronën, nuk e dënojnë krimin dhe s’mund ta kenë më miqësinë e atyre që u sakrifikuan për votën e lirë, pronën dhe liritë e të drejtave të njeriut, deri në dhënie jete e shkatërrim familjesh”.